“Ke bashkëpunuar me sigurimin e Serbisë”: Veton Surroi reagon ashpër ndaj librit të Baton Haxhiut
Publicisti Veton Surroi ka publikuar në faqen e tij një shkrim polemizues lidhur me dy librat e Baton Haxhiut, botuar së fundmi në Tiranë nga shtëpia botuese UET Press.
Surroi kundërshton disa prej deklaratave të Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7, më 12 nëntor, veçanërisht rrëfimin e përfshirë në librin me titull “Kosova, historia që zhbëri Jugosllavinë”, për një drekë në vitin 1998 në banesën e nënës së tij, Nahire, ku sipas Haxhiut, në mur qëndronte një fotografi e madhe e Titos dhe kishte zhvilluar një bisedë me të rreth saj.
Pas kësaj ka reaguar dhe analisti Baton Haxhiu, i cili këmbëngul se dreka ka ndodhur dhe se fotografia e Titos qëndronte në mur, duke deklaruar se nuk ka asgjë për të korrigjuar në rrëfimin e tij.
Ai paralajmëron gjithashtu përballje në gjykatë lidhur me akuzat e Surroit ndaj babait të tij të ndjerë.
Haxhiu hedh poshtë gjithashtu pretendimet për lidhje me strukturat serbe dhe i kundërpërgjigjet Surroit duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij ndaj historisë së gazetës “Koha Ditore”.
Pretendimet e Veton Surroit
Surroi, në shkrimin e tij, shtron disa konstatime rreth deklaratave të Baton Haxhiut në emisionin “Pressing” në T7 të 12 nëntorit 2026:
- Baton Haxhiu foli për pjesëtarët e vdekur të familjes së Surroit, ndër ta nënën e tij Nahire dhe dajën Zenel Kabashi. Sipas Surroit, Haxhiu pretendon se e kishte çuar në drekë në banesën e nënës së tij në 1998 dhe se atje kishte parë fotografinë e Titos e më pas kishte zhvilluar bisedë me të rreth saj. Surroi thotë se nuk e ka çuar kurrë Haxhiun në atë banesë dhe e cilëson fotografinë dhe bisedën si trillim.
- Surroi thotë se gjatë bisedës në T7 Haxhiu është thirrur në emër të fjalëve të të afërmëve të vdekur, të cilët nuk mund të përgjigjen. Ai thekson se as ai nuk mund t’i citojë fjalët e të vdekurve për Haxhiun apo babain e tij, dhe se Fazli Haxhiu, i njohur si Fazli Qeli, nuk mund të mbrohet në të vdekur nga konstatimet se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit, i caktuar për mbulimin e aktiviteteve kulturore.
- Surroi shprehet se Baton Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e babait apo familjarëve të tij, por për veprimet e veta.
- Sipas Surroit, në vitin 1998 Haxhiu ka pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të Serbisë për Prishtinën, për të hapur një kanal komunikimi mes shefit të atij shërbimi, Jovica Stanishiqit, dhe Mahmut Bakallit. Sipas tij, Haxhiu ka koordinuar takime të përfaqësuesve të Sigurimit me Bakallin në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit në Brezovicë.
- Surroi thotë se në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë, gjatë dëshmive të Bakallit, roli i Haxhiut nuk doli të ishte ai i bashkëbiseduesit të Stanishiqit, siç pretendon ai në deklarata të ndryshme. Sipas tij, gjatë bisedës kokë më kokë mes Stanishiqit dhe Bakallit, Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
- Surroi përmend se në vitin 2005 Ministria e Brendshme e Shqipërisë refuzoi pëlqimin për dhënien e shtetësisë Haxhiut, mbi bazë të një dokumenti me natyrë sekrete që, sipas tij, nënkuptonte marrëdhënie të papërshtatshme me një shërbim inteligjence jomiqësor ndaj Shqipërisë. Refuzimi, thotë ai, u tejkalua me të drejtën diskrecionale të Presidentit, pas një fushate mediale të udhëhequr nga TV Klan.
- Surroi përfundon duke folës për familjen e tij amtare, nga gjyshi Xhemal Kabashi te fëmijët dhe dhëndurët e tij, të cilët, sipas tij, kanë formësuar shtetin e Kosovës gjatë shekullit XX, me bindje politike të ndryshme.
Reagimi i Baton Haxhiut
Haxhiu e ka lexuar reagimin e Surroit me vonesë, pasi ishte në Mal të Zi pas promovimit të librit në Tiranë dhe Prishtinë. Ai thotë se për kapitullin e tij në libër nuk ka dyshim: dreka ka ndodhur, Surroi ka qenë i pranishëm, fotografia e madhe e Titos qëndronte në mur dhe biseda me nënën e tij, zonjën Nahire, ka ndodhur ashtu siç e ka rrëfyer. Prandaj, thotë ai, nuk ka asgjë për të korrigjuar.
Haxhiu e cilëson të çuditshëm faktin që Surroi nuk po kundërshton një interpretim të tij, por po mohon një drekë ku ai vetë ishte i pranishëm. Ai thotë se është e drejta e Surroit të mohojë atë që pretendon, por ai nuk mund ta ndryshojë atë që ka parë dhe përjetuar.
Për pjesën që lidhet me babanë e tij, Haxhiu thotë se nuk do të polemizojë në rrjete sociale, por do t’i përgjigjet në gjykatë. Ai thekson se babai i tij u burgos në maj të vitit 1981, në kohën kur Fadil Hoxha ishte figura kryesore politike e Kosovës, dhe se historia e tij mbështetet në dokumente dhe dëshmi burgu, jo vetëm në kujtime apo insinuata.
Haxhiu e pyet gjithashtu Surroin nëse, duke pasur parasysh pretendimet e tij, ato do të duhej të shtriheshin edhe te “Koha Ditore”, gazeta e cila, sipas Haxhiut, u themelua nga Surroi dhe u botua nën drejtimin e tij si kryeredaktor, dhe që ishte në përballje të hapur me regjimin e Millosheviqit. Ai thotë se nëse pretendimet e Surroit do të ishin të sakta, gazeta do të kishte funksionuar për vite me një kryeredaktor të lidhur me strukturat e atij regjimit, një përfundim që, sipas tij, nuk mban.
Haxhiu thotë gjithashtu se nuk ka nevojë të fshihet pas askujt për veprimtarinë e vet dhe se jeta e tij publike është e hapur. Ai e cilëson konfliktin e tij me Surroin si rrjedhim të dy botëkuptimeve politike të ndryshme: Surroi ishte formuar në një botë jugosllave, institucionale, ndërsa Haxhiu, sipas tij, e kishte lexuar ndryshe atë që po ndodhte me Kosovën.
Ai përmbyll duke thënë se të gjitha të tjerat t’i gjykojnë lexuesit, dhe i kërkon Surroit të lexojë librat e tij.
Burimi: lajmifundit.al










