Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Ekzekutimi i Artan Myrtajt në Sarandë: zbardhet zinxhiri i hakmarrjeve

Ekzekutimi i Artan Myrtajt në Sarandë: zbardhet zinxhiri i hakmarrjeve
Foto: lajmifundit.al

Saga e përgjakshme në Sarandë / Ekzekutimi i Artan Myrtajt, zbardhet zinxhiri i hakmarrjeve

Ekzekutimi i Artan Myrtajt në Sarandë: zbardhet zinxhiri i hakmarrjeve

Lajmifundit / 13 Nëntor 2026, 19:58

Aktualitet

Ekzekutimi mafioz 100 metra larg komisariatit, si u ndoq dhe u qëllua për vdekje Artan Murtaj në Sarandë

Emisioni investigativ “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala, ka rikthyer në vëmendje atentatin e rëndë që i mori jetën 44-vjeçarit Artan Murtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”, mëngjesin e 20 shtatorit 2026 në Sarandë.

Murtaj sapo kishte dalë nga një lokal, kur u vu në shënjestër nga dy persona të veshur me të zeza dhe me skafandra. Autorët e ndoqën dhe hapën zjarr ndaj tij, duke e qëlluar disa herë me armë zjarri.

Sipas të dhënave të bëra publike në emision, atentatorët vazhduan ta qëllonin edhe pasi Murtaj kishte tentuar të largohej, ndërsa në fund e goditën edhe në kokë, duke i shkaktuar plagë fatale.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm, çka dëshmon intensitetin e të shtënave. Gjatë sulmit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit.

Një tjetër element që e bën ngjarjen edhe më të rëndë është vendi ku ndodhi atentati: Murtaj u ekzekutua vetëm rreth 100 metra larg komisariatit të Policisë së Sarandës.

Autorët u larguan me një motor pas sulmit, ndërsa vrasja u krye në një zonë të frekuentuar të qytetit, në një distancë shumë të shkurtër nga institucioni që duhej të garantonte sigurinë publike.

Sfondi i dhunës në qytet

Një burrë po del qetësisht nga lokali ku sapo ka konsumuar një kafe. Është mëngjes dhe kjo duket një rutinë e zakonshme, të cilën ai e kryen shpesh në qytetin e tij. Por ndërsa ecën në trotuar, vetëm pak metra pasi ka lënë lokalin, hapat e tij ndalen para një siluete të veshur me rroba motoristi, e cila mban në kokë një skafandër dhe në njërën dorë drejton një pistoletë. Pa paralajmërim, pistoleta nis të qëllojë drejt tij.

Është afërsisht ora 10.00 e datës 20 shtator 2026 dhe një skenë e tillë eliminimi mafioz është bërë një ngjarje e zakonshme për qytetin e Sarandës, ku vrasjet e këtij lloji janë kthyer në refrenin e ditës, ose më saktë në një sagë të përgjakshme që ka tronditur rëndë qetësinë e qytetit, të paktën në pesë vitet e fundit.

Në pamjet e dokumentuara nga kamerat e qytetit, 44-vjeçari Artan Murtaj bën një përpjekje të dëshpëruar për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave që e prisnin vetëm disa metra larg lokalit. Pamjet tregojnë realitetin e vështirë në të cilin ndodhet sot Saranda.

Lufta për territor, pronat e lakmuara të bregdetit, linjat e transportit detar dhe kontrolli mbi lëndët narkotike e kanë shndërruar qytetin, i dedikuar turizmit, në një vend ku mbizotërojnë hakmarrjet dhe plumbat. Në tre vitet e fundit, Saranda është tronditur shpesh nga ngjarje të rënda: atentate mafioze, shpërthime me eksploziv dhe zhdukje misterioze personash, si në rastin e Artan Murtajt.

Përplasja e 17 korrikut 2025

Ndërsa i shpëton tentativës së parë të eliminimit, motoristi vrasës e ndjek tashmë nga pas me dy armë në duar. Pas tij, një motorist i dytë, i veshur nga koka te këmbët me të zeza, ndjek të njëjtën viktimë.

Shënjestra, e cila përpiqet kot t’u shpëtojë plumbave që i vërshëllejnë pas shpine, vrapon drejt rrugës kryesore në kërkim të shpëtimit. Disa plumba e kanë goditur tashmë në trup, por kjo nuk duket se i ka reshtur fuqitë.

Atentatori e arrin prenë në dalje të rrugicës dhe, për t’u siguruar, e qëllon edhe disa herë në trup dhe në kokë. Më pas ngjitet në vendin e pasmë të motorit dhe largohet nga vendngjarja. Përveç viktimës, mbetet i plagosur edhe një kalimtar i rastit.

Kush ishte Artan Murtaj

Pyetja që ngrihet është përse u vra Artan Murtaj dhe çfarë e lidh atë me sagën e përgjakshme që ka tronditur Sarandën në dy vitet e fundit, ku është përdorur edhe tritoli, si në rastin e ekzekutimit të Isuf Jaçajt. Murtaj, i njohur edhe si “Tani i Ruzhdiut”, u vra mëngjesin e 20 shtatorit, vetëm 100 metra larg komisariatit të Sarandës, në vendin e njohur si ish-Agjencia. Ai sapo kishte dalë nga qelia, pasi ishte arrestuar për plagosjen e dy të rinjve nga Kamza.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, gjithçka duket se nis më 17 korrik 2025 në një lokal të qytetit të Sarandës, ditën kur në atë lokal u plagosën dy shtetas: Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama. Të dy kishin banim në Kamëz, por ndodheshin në Sarandë atë ditë. Ata ishin skeduar më parë nga Policia e Shtetit për aktivitetin e tyre kriminal dhe, vetëm disa muaj më parë, më 8 janar 2025, ishin ndaluar për kundërshtim të forcave të rendit në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë, por më pas ishin lënë të lirë.

Ajo që e bënte profilin e tyre edhe më të rrezikshëm ishte fakti se ishin shokë të Ervis Lamit, një figurë që thuhet se kishte fituar reputacion të fuqishëm në botën e krimit dhe që po përpiqej t’i shtrinte ndikimin edhe në Sarandë. Aty ai filloi të krijonte përplasje me figura të tjera të krimit lokal, si Ramadan Zoto.

Incidenti në lokalin “Kozi Bistro”

Ramadan Zoto, 43 vjeç, mban mbi supe një rekord të gjatë krimesh, të shtrira në Shqipëri dhe në Greqi. Sipas dinamikës së zbardhur nga grupi hetues, bazuar edhe në kamerat e sigurisë, përplasja midis Zotos dhe miqve të tij, mes tyre Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj, me dy vizitorët e padëshiruar, ndodhi në mesditën e 17 korrikut 2025, brenda lokalit “Kozi Bistro”, pak metra larg stadiumit të qytetit.

Sipas pamjeve, në orën 14.57 në lokal hynë Ramadan Zoto dhe Artan Murtaj dhe u ulën në një tavolinë në hyrje. Pak më pas hynë edhe Erjon Canaj dhe Klaus Jaçaj, që u ulën në verandën e jashtme. Në lokal kishte edhe klientë të tjerë, mes tyre gra dhe fëmijë.

Në orën 14.59 hyri edhe Gëzim Hajdaraj, me një çantë gri-të-zezë mbi supe, pasuar nga Ernest Lama, me një marsup në qafë, që u ulën në tavolinën e fundit, në cepin e verandës së jashtme. Pak minuta më pas, grupi i Zotos filloi lëvizjet e para. Murtaj dhe Zoto u ngritën nga tavolina dhe u drejtuan drejt të dy të sapoardhurve. Zoto nxori nga brezi një armë që dukej si pistoletë dhe u drejtua drejt verandës, ku ndodheshin Hajdaraj dhe Lama.

Sipas dosjes, Zoto qëlloi fillimisht drejt Ernest Lamës, i cili u çua dhe u përkul për t’i shpëtuar plumbave, duke marrë një plumb në këmbë. Më pas Zoto u kthye nga Gëzim Hajdaraj, që ishte ende i ulur, dhe e qëlloi me dy plumba në trup, duke e lënë të plagosur në verandë. Zoto u drejtua sërish drejt Lamës, që tentoi të largohej duke u mbështetur në një këmbë. Në konflikt u përfshinë edhe pjesëtarë të tjerë të grupit, ku spikaste Artan Murtaj, që në fillim ishte ulur në të njëjtën tavolinë me Zotën.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha