Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al/Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë që nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore nga kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu.
Një udhëtim i mbuluar me mister
Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohë, vizita mbetet e mbuluar me mister. Me përjashtim të disa dëshmive të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes apo Lisen Bashkurtit) dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet për vizitën e kreut të shtetit shqiptar në sesionin e 45 të OKB-së në New York, i cili zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.
Pyetjet janë të shumta. Kur filloi përgatitja e protokollit për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar dhe kush ishin pjesëtarët e tjerë që shoqëruan Ramiz Alinë? Prej sa personash përbëhej stafi ndihmës dhe cilët ishin ata? Çfarë përmbante programi i vizitave dhe i takimeve gjatë qëndrimit në SHBA? A u realizua ai program sipas protokollit dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia?
Pyetje po aq të rëndësishme lidhen me takimet me shqiptarët e “mërgatës së vjetër” dhe me incidentet e mundshme me “mërgatën reaksionare”, si dhe me pritjen në Boston, ku nuk dihet as kush e organizoi, as cilët eksponentë të mërgatës ishin të pranishëm. Po ashtu, mbetet e paqartë itinerari i udhëtimit nga Tirana drejt SHBA-së, arsyet e ndarjes së delegacionit në grupe dhe qëndrimi një natë në Zvicër. Gjithashtu, nuk shpjegohet përse Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, ishte pjesë e delegacionit, as sa dhe cilat dhurata mori me vete delegacioni.
Ka edhe çështje logjistike e financiare: përse u caktua hoteli “Plaza”, në pronësi të Donald Trumpit, për akomodimin e delegacionit; sa kushtoi gjithë vizita; përse u shtuan fonde gjatë qëndrimit dhe si u justifikuan ato shpenzime. Po ashtu, pse stafi diplomatik shqiptar në Misionin e OKB-së i dha Ramiz Alisë një planimetri të saktë të sallës së sesionit, duke përcaktuar edhe vendin e përfaqësuesit jugosllav? Kush ishin truprojat (mjeku dhe shoferi) dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin me armatim e municion? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar?
Përgjigje të pjesshme mund të gjenden në dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat publikohen për herë të parë me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
Takimi me Shevarnaze në Hotel “Plaza”
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT TË KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, ME MINISTRIN E JASHTËM TË BASHKIMIT SOVJETIK, EDUARD SHEVARNAZE, NJU JORK 1990
ËSHTË NË TË MIRËN E POPULLIT SHQIPTAR E TË POPULLIT SOVJETIK QË MARRËDHËNIET MIDIS DY VENDEVE TË FORCOHEN
Më 27.9.1990, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, u takua në hotel “Plaza” në Nju Jork me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Eduard Shevarnaze.
Shoku Ramiz Alia: Gëzohem shumë që takohem me ju. U bë shumë mirë që marrëdhëniet tona u rregulluan.
Eduard Shevarnaze: Jam shumë i gëzuar që më jepet rasti të takohem me ju. Ky takim ka një kuptim të veçantë. Ju transmetoj përshëndetjet e nxehta nga ana e shokut Gorbaçov dhe dua t’ju siguroj se tek populli sovjetik ka ndjenja miqësore për popullin shqiptar. Ajo që ndodhi midis nesh është e hidhur. Nuk duhet të kishte ndodhur, por unë i përkas një brezi më të ri. Me shumë kënaqësi ju ftoj të vini në Bashkimin Sovjetik, të bisedojmë konkretisht për marrëdhëniet tona.
Shoku Ramiz Alia: Jam shumë i gëzuar që takohem me ju. Jam dakord me mendimet që shprehët. Kaloi një kohë mjaft anormale midis të dy vendeve tona. Tashmë është e rëndësishme që të mos kujtojmë se si u shkaktuan ngjarjet midis dy vendeve tona. Unë kam lexuar deklaratën e shokut Shevarnaze në kohën e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe e kemi vlerësuar atë të drejtë. Prandaj me kaq do ta mbyll këtë pikë.
Është me rëndësi të madhe të shkojmë përpara. Normalizimi i marrëdhënieve tona diplomatike koincidon me zhvillimet e reja në Evropë dhe në botë. Në këto rrethana, Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria nuk kanë përse të mbeten larg njëri-tjetrit; përkundrazi, duhet gjetur të gjitha mundësitë që marrëdhëniet të zhvillohen sa më mirë.
Jam plotësisht dakord me mendimin e shokut Shevarnaze se në popullin sovjetik dhe në popullin shqiptar, pavarësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur, është ruajtur miqësia dhe dashuria për njëri-tjetrin. Por duhet të jemi realistë: disa njolla kanë mbetur. Detyra jonë është t’i zhdukim ato. Nuk duhet ndenjur duarkryq, por të veprojmë me mentalitet të ri, duke iu përshtatur kushteve të reja. Duhen pasur parasysh mësimet e historisë, sepse edhe shumë gjëra të mira ka pasur midis dy vendeve tona.
Ne mendojmë se ka mundësi të gjejmë rrugë për zhvillim të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore midis dy vendeve. Unë nuk kam ndonjë program konkret, dhe nuk është as rasti për një bisedë të tillë. Sot është e mjaftueshme njohja jonë, por do të ishte mirë të jemi dakord për t’i dhënë shtytje marrëdhënieve.
Shoku Ramiz Alia (vazhdim): Nga ana jonë jemi të disponuar të bashkëpunojmë, jemi të interesuar që marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik të përmirësohen dhe të zgjerohen. Shqipëria është një vend i vogël, prandaj kuptohet që jemi më shumë të interesuar të kemi marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik. Dëshiroj t’ju siguroj se asnjë e keqe nuk ju ka ardhur dhe kurrë nuk do t’ju vijë nga Shqipëria; përkundrazi, të mira do t’ju vijnë. Këto rrugë urojmë t’i hapim.
Eduard Shevarnaze: Të gjitha këto do t’ia transmetoj shokut Gorbaçov. Jam plotësisht dakord me mendimet tuaja. Nga ajo që ndodhi kemi nxjerrë mësime. Ishin kohëra shumë të vështira, megjithatë gëzohemi që tani gjërat po vihen në vend dhe marrëdhëniet po normalizohen. Ka një bazë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Kohët kanë ndryshuar. Evropa nuk është më ajo që ishte. Çdo shtet, i madh apo i vogël, ka vlerën e tij. Në një bisedë me Bejkerin ra fjala edhe për Shqipërinë. Edhe ajo do të futet në familjen evropiane. Mund të vonohet një muaj ose një vit, por do të futet. Marrëdhëniet me Shqipërinë do t’i zhvillojmë.
Shoku Ramiz Alia: Mendoj se ka mundësi të zhvillohen më tej marrëdhëniet, por do të duhet punë shumë. Për këtë vullneti i mirë ekziston. Për vende si Shqipëria, situata nuk është e thjeshtë. Presionet janë të shumta, në kuptimin që Shqipëria të bëjë ndryshime për të drejtat e njeriut, të ketë këtë apo atë lloj sistemi shoqëror, etj.
Do të thosha se presionet shkojnë deri atje sa vendosen edhe bllokada. Në Shqipëri nuk vijnë ushtri e anije, por arrin puna që nga ana e Italisë, e RFGJ-së dhe e Francës të bllokohen të gjitha marrëdhëniet. Janë bllokuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike, gati si me Irakun, vetëm me një ndryshim: kur takohemi me italianët dhe francezët, buzëqeshin, dhe të dyja palët ngrenë supet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Deri para pak kohe thuhej që Shqipëria duhet të bëjë deklaratë për KSBE-në. Ne e bëmë këtë deklaratë, ndërsa tani thonë që Shqipëria duhet të bëjë edhe gjëra të tjera. Do të dëshiroja të lexoja një dokument se çfarë kushtesh ka për t’u pranuar në KSBE. Një dokument i tillë nuk ekziston, dhe nuk mund të ekzistojë, se do të ishte një absurditet.
Edhe kur dikush pranohet në parti, ka një statut që i duhet përmbajtur, por anëtari që pranohet nuk i plotëson të gjitha kushtet. Ai premton se do të bëhet një komunist i mirë. Statuti i një partie është një dokument më rigoroz sesa një proces zhvillimi.
Shoku Ramiz Alia (vazhdim 2): Ne nuk do të biem në pozita të tilla presioni. E dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Ne nuk kërkojmë atë që nuk na takon, por do të bëjmë atë që është me interes. Zoti Bejker mund të vendosë ta shtyjë një ose dy vjet pjesëmarrjen tonë të plotë në KSBE, por neve nuk na prish punë. Shqipëria ka mbi tremijë vjet që ekziston dhe do të ekzistojë edhe në të ardhmen. Momenti nuk është i thjeshtë. Të marrim Ballkanin. Zëvendëskryeministri grek bën deklaratë zyrtare se me bashkimin e Gjermanisë krijohen kushte për të ndryshuar kufijtë, prandaj mundet që Korçën dhe Gjirokastrën ta marrë Greqia, megjithëse Greqia është pjesëtare e procesit të Helsinkit.
Kosova është një tragjedi me konsekuenca tepër të rrezikshme. Aty banojnë tre milion shqiptarë, të cilët po vriten e po burgosen. Televizioni dhe shtypi në gjuhën shqipe u mbyllën, qeveria shqiptare u shpërnda, parlamenti shqiptar në Kosovë u shpërnda dhe u arrestua. Ju jeni malësor si ne dhe e dini mirë se ç’ndodh kur thika shkon në kockë, prandaj situata është e rrezikshme. Jugosllavia është gjithashtu pjesëtare e procesit të Helsinkit. Pra ka dy kute për vlerësimin e ngjarjeve: një për Shqipërinë dhe një për të tjerët.
Eduard Shevarnaze: Evropa është në proces. Po bëhen hapa përpara drejt krijimit të një Evrope të re. Rëndësi ka që luftë të mos ketë. Rregullat e reja në Evropë nuk janë të lehta për t’u zbatuar. Unë besoj në paqen në Evropë. Edhe Shqipëria do të përfshihet në KSBE. Elementi themelor që ngrihet në KSBE është respektimi i zgjedhjeve të lira.
Shoku Ramiz Alia: Përsa u përket marrëdhënieve midis dy vendeve tona, jam dakord që diplomatët tanë, ambasadorët, të merren më konkretisht me këtë punë. Ka një vështirësi teknike për ambasadën sovjetike në Tiranë, pasi specialistët sovjetikë erdhën për të gjetur një ndërtesë. Por edhe pa gjetur ndërtesë, nuk ka përse kjo çështje të zgjasë shumë. Midis dy vendeve të ketë takime dhe konsultime më të shpeshta.
Eduard Shevarnaze: Le të ecin marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Për këtë duhen konkretizuar gjërat. Me kënaqësi ftoj ministrin e Jashtëm të vizitojë Bashkimin Sovjetik. Pastaj edhe unë do të vij në Shqipëri. Të krijohet një komision i përbashkët dhe të ecin marrëdhëniet përpara.
Shoku Ramiz Alia: Nga ana ime dëshiroj të përshëndes shokun Gorbaçov dhe gjithë udhëheqjen sovjetike. Në parim jam plotësisht dakord për shkëmbimin e vizitave. Shoku Shevarnaze do ta vizitojë Shqipërinë, jo shpejt, sigurisht. E di se keni shumë punë. Prandaj nuk them që kjo vizitë të realizohet shpejt, por ta keni në kalendar.
Populli shqiptar dhe popujt sovjetikë kanë simpati për njëri-tjetrin. Duhet dhënë besim kësaj miqësie. Kaloi gjithë kjo kohë dhe, për të qenë realistë, disa njolla kanë mbetur. Ne mund të mos jemi dakord për disa gjëra, por vazhdon komunikimi. Ndërsa njeriu i thjeshtë, nëse nuk është dakord, i thyhet besimi. Shqipëria ka qenë mikja më e mirë e Bashkimit Sovjetik. Populli shqiptar ka qenë populli që e ka dashur më shumë se askush tjetër Bashkimin Sovjetik. Për ne ka qenë e dhimbshme ajo që ka ndodhur. Prandaj duhet krijuar besimi. Nëse më lejoni, dua t’ju bëj një këshillë të vogël: kur TASS-i të japë lajme për Kosovën, të jetë i kujdesshëm, të mos i shajë shqiptarët.
Shoku Ramiz Alia (vazhdim): Shumë epitete përdoren për shqiptarët në Kosovë, si separatistë, nacionalistë, irredentistë, që janë epitete serbe. Unë nuk mund të ndërhyj në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, por ndaj shqiptarëve në Jugosllavi duhet pasur kujdes, sepse ndikon edhe në Shqipëri.
Eduard Shevarnaze: Mos i vini re shumë shtypit. Mendimi i ndonjë korrespondenti nuk është mendimi i udhëheqjes së Bashkimit Sovjetik.
Shoku Ramiz Alia: Është në të mirën e popullit tonë dhe atij sovjetik, dhe besoj se të gjitha premisat janë që marrëdhëniet tona të forcohen. Besoj se edhe takimi i sotëm ishte i dobishëm. Është mirë kur flasim hapur, midis shokësh. Një nga të këqijat e së kaluarës ka qenë se nuk u fol hapur. Fjalë të tjera thoshte mendja dhe tjetër gjë nxirrte goja.
Eduard Shevarnaze: Shumë faleminderit, ishte një kënaqësi që u takuam se bashku, shoku Ramiz. Ju faleminderit! / Memorie.al
Burimi: gazetashqiptare.al










