Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Një çaj në qese plastike mund të lëshojë miliarda grimca mikroplastike

Një çaj në qese plastike mund të lëshojë miliarda grimca mikroplastike
Foto: ata.gov.al

Plastikat që nuk shihen: nga çamçakëzi te fatura e dyqanit

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/- Plastika gjendet kudo, sidomos në formën e grimcave aq të vogla sa nuk shihen me sy të lirë, sipas “Washington Post”.

Mikroplastikat dhe nanoplastikat, që janë edhe më të vogla, gjenden pothuajse kudo në mjedis, por edhe në trupin e njeriut.

Ekziston edhe një kategori tjetër: plastikat e fshehura, që shtohen qëllimisht në produkte dhe ushqime.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar përdorimin e polimereve me bazë nafte, të përshtatshme për kontakt me ushqimin, në sasi që nuk tejkalojnë atë që nevojitet për efektin fizik ose teknik të synuar.

Studimet shkencore mbi ndikimin e mikroplastikave në shëndetin e njeriut kanë dhënë disa tregues shqetësues, por deri tani nuk kanë arritur në përfundime të plota dhe përfundimtare.

Çamçakëzët

Shumë njerëz përtypin plastikë çdo ditë pa e kuptuar. Dikur, baza kryesore e çamçakëzëve ishte “chicle”, një lateks natyral i nxjerrë nga lëngu i pemës “sapodilla”.

Sot, baza elastike e shumicës së çamçakëzëve përbëhet nga polimere sintetike, ku u shtohen ëmbëlsues, aromatizues dhe përbërës të tjerë.

Në SHBA, kompanitë lejohen të deklarojnë në përbërje vetëm termin e përgjithshëm “baza e çamçakëzit”, pa zbuluar formulën e plotë.

Ndër përbërësit e miratuar nga FDA janë acetati i polivinilit, goma stiren-butadien dhe polietileni. Këto materiale përdoren edhe në prodhimin e gomave të automjeteve, shollëve të këpucëve dhe qeseve plastike.

Një studim i vogël i studiuesve të Universitetit të Kalifornisë në Los Anxheles vlerësoi se një çamçakëz mesatar mund të çlirojë nga 200 deri në 600 grimca mikroplastike, ndonëse shifra mund të jetë edhe më e lartë.

Studimi zbuloi gjithashtu se çamçakëzët me bazë sintetike dhe ata me bazë natyrale çlironin sasi të krahasueshme grimcash.

Megjithatë, ndikimi i mikroplastikave në shëndetin e njeriut mbetet objekt studimi dhe nuk ka ende përfundime përfundimtare.

Paketimet e ushqimeve dhe pijet

Gotat prej letre për kafe kanë shpesh një shtresë të brendshme plastike. Kjo shtresë pengon depërtimin e lëngjeve të nxehta përmes letrës, por mund të jetë një burim mikroplastikash në ushqim.

Bustinat e çajit

Sipas një studimi të vitit 2019, bustinat prej rrjete najloni, kur zhyten në ujë të nxehtë, mund të çlirojnë mbi 11 miliardë grimca mikroplastike dhe 3 miliardë grimca nanoplastike për një bustinë të vetme.

Ky numër është kundërshtuar nga studiues të tjerë, të cilët kanë ngritur dyshime mbi mënyrën e numërimit të grimcave në studimin fillestar.

Për të reduktuar ekspozimin, rekomandohet çaji me gjethe ose bustinat prej letre dhe pëlhure.

Sipas Kazi Albab Hussain, studiues pas doktoraturës në Universitetin e Nebraskës në Lincoln, temperatura e lartë e ujit luan një rol të rëndësishëm në çlirimin e mikroplastikave dhe nanoplastikave.

Faturat e dyqaneve

Faturat që marrim pas blerjeve shpesh printohen në letër termike, e cila mund të përmbajë substanca kimike të quajtura bisfenole, kryesisht BPA ose BPS.

Përmes prekjes së kësaj letre, këto substanca mund të përthithen nga lëkura.

BPA përdoret në shtresën termike të faturave, ndërsa disa përbërës të tjerë të gjetur në materiale plastike mund të imitojnë veprimin e hormoneve në organizëm, të cilat rregullojnë funksione të rëndësishme si rritja, riprodhimi dhe metabolizmi.

Megjithatë, për personat që nuk punojnë si arkëtarë, ekspozimi nga faturat konsiderohet shumë i ulët.

Një studim i vitit 2023 vlerësoi se ekspozimi ditor ndaj BPA-së nga faturat termike ishte 5 mijë deri në 50 milionë herë më i ulët se kufijtë e përcaktuar nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA). //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha