Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Koloneli Neziri: Dronët nuk mund të jenë nisur nga Shqipëria

Koloneli Neziri: Dronët nuk mund të jenë nisur nga Shqipëria
Foto: shqiptarja.com

Koloneli Neziri tha se duke qenë se distanca mes Shqipërisë dhe Libisë është rreth 800 kilometra, është e vështirë që dronët që sulmuan sot anijen ruse të niseshin nga vendi ynë dhe të mos pikaseshin gjatë udhëtimit për në brigjet e Libisë.

Koloneli [Sami Neziri] i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e Clash Report dhe VisionerGeo, dy faqe lajmesh online në Turqi dhe Gjeorgji, se Shqipëria ishte të dielën pikënisje e dronëve detarë që goditën luftanijen ruse Mercury në brigjet e Libisë.

Përgjigja ndaj pretendimeve

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Neziri tha se edhe teknikisht është e pamundur që të niseshin dronë nga Shqipëria për të sulmuar anijen ruse në Libi.

Sipas tij, duke qenë se distanca është rreth 800 kilometra, është e vështirë që dronët të mos pikaseshin gjatë udhëtimit për në brigjet e Libisë.

Reagimin e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes së Shqipërisë, Neziri e cilësoi krejt normal, për të mos dhënë asnjë lloj hapësire për të spekuluar.

“Jemi në epokën e dezinformimit. Këto kanë qenë 2 platforma, nuk është se ka pasur njoftime nga agjenci lajmesh prestigjoze, që i referohen edhe vendet, ose agjenci të tjera të lajmeve. Dy platforma dixhitale që merren me luftën, me gjeopolitikën, por në këtë rast ka qenë lajm tërësisht i pavërtetë. Kjo është bërë më parë se Presidenti Zelensky të japë komunikatën, që merr përsipër goditjen e anijes ruse. Kështu që edhe reagimi i Ministrisë së Jashtme, edhe i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ka qenë tërësisht normal për të mos dhënë asnjë lloj hapësire për të spekuluar. Shqipëria edhe teknikisht po ta marrësh, është e pamundur që të nisësh dronë me qindra kilomentra larg dhe të godasësh një anije luftarake, që pavarësisht se është e tipit korvet, klas korvet, ka qenë një nga anijet më moderne. Pra me sistem vëzhgimi, me radarë, me kapacitete për të goditur deri te nëndetëset, deri në helikopterë në bord. Pra një anije shumë moderne, e ndërtuar 3-4 vite më parë, e futur në përdorim. Ka bërë rreth 5 vite për t’u ndërtuar dhe rreth 2 vite testim. Unë besoj se duhet parë Libia”, tha mes të tjerash Neziri.

Libia si vendi i mundshëm i nisjes

Më pas gjatë fjalës së tij, Neziri argumentoi se dronët që goditën anijen ruse mund të jenë lëshuar nga baza të caktuara që ndodhen në Libi.

Ai theksoi se Ukraina ka zgjeruar gjeografinë e goditjes së aseteve ruse, teksa vuri në dukje se territori i Libisë, nga ku ai dyshon se është kryer sulmi, është i ndarë në disa ‘vatra’ influencash të ndryshme.

“Nuk është hera e parë që Ukraina godet asetet ruse. E ka zgjeruar gjeografinë e goditjes së aseteve ruse. Një nga arsyet se përse Ukraina i godet është pikërisht fakti se Rusia përdor flotën hije, ose anijet tregtare, për të bërë transport ose të naftës, ose të materialeve. Libia, pas rënies së Gadafit, në 2011 pasoi lufta civile dhe në 2014-ën Libia është ndarë në 2 pjesë. Është pjesa perëndimore, që kontrollohet nga qeveria e unitetit kombëtar dhe mbështetet kryesisht nga vendet e Europës Perëndimore dhe kemi Lindinë me qendër në Tripoli. Kemi Libinë Lindore me qendër në Bengazi që kontrollohet nga ushtria kombëtare libiane. Kjo mbështetet drejtpërdrejtë nga Rusia. Nga Rusia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara. Por më shumë është përdorur nga Rusia. Rusia e ka përdorur si bazë ushtarake. Të nisësh 800 kilometra… Unë të thashë që kjo ka qenë një anije shumë moderne dhe është shumë e vështirë që dronët të nisen nga qindra kilometra larg dhe ta godasin. Unë mendoj se është përdorur një platformë nga bazat në Libi dhe mbi platformë kanë qenë dronët”, shtoi ai.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha