Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Aktualitet

Era këput telat elektrikë, fshatra pa dritë në veri

Era këput telat elektrikë, fshatra pa dritë në veri
Foto: shqiptarja.com

Moti i keq dhe dëmet kryesore

Në Aeroportin e Rinasit, 5 avionë janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative për shkak të vështirësive në ulje për shkak të motit të keq. Ndërkohë, në Portin e Durrësit reshjet kanë ndërprerë përkohësisht shkarkimin e mallrave.

Stuhia që ka përfshirë vendin, me ere të fortë dhe shi të fortë ka shkaktuar dëme kryesisht në veri të vendit. Në Pukë, era ka rrëzuar në tokë çatinë e korridorit që lidh Urgjencën me godinën e spitalit. Llamarinat kanë dëmtuar edhe një autoambulancë. Sipas spitalit, uji nuk ka depërtuar brenda ambienteve dhe shërbimi vijon normalisht.

Dëme në shkolla, banesa dhe rrugë rurale

Situatë problematike paraqitet dhe në Bashkinë Fushë-Arrëz, ku era e fortë ka dëmtuar çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe çatitë e disa banesave (foto). Ndërkohë, disa rrugë rurale janë bllokuar nga rënia e gurëve e dherave.

Ndërprerje të energjisë elektrike

Era ka këputur linjat, duke lënë pa drita shumë fshatra të Fushë-Arrëzit. Ndërprerje të energjisë raportohen edhe në Bashkinë e Vaut te Dejës.

Në qytetin e Shkodrës, erërat e forta kanë rrezuar disa pemë në rrugë, duke krijuar vështirësi në qarkullim.

Probleme raportohen edhe në akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka rënie inertesh. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje bore, por rruga vijon të jetë e kalueshme.

Kukësi dhe Tropoja

Edhe në Kukës dhe Tropojë moti i keq ka sjellë probleme. Reshjet e borës kanë nisur në lartësitë mbi 1000 metra, ne malet e Gjallicës dhe Koretnikut. Në zonat më të ulëta ka reshje shiu, ndërsa në rrugët rurale të Surrojit dhe Arrënit raportohen rënie gurësh. Ndërkohë, disa fshatra në Kukës, Tropojë dhe Has janë pa energji elektrike.

Lezha, Mirdita dhe gjendja e rrjetit elektrik

Probleme me shtyllat elektrike raportohen në disa zona të Lezhës, ku fshatrat Kallmet, Troshan, Blinisht dhe Fishtë kane ndërprerje të energjisë. E njëjta situatë paraqitet edhe në Mirditë, veçanërisht në fshatrat Prosek, Perlat dhe Katund i Vjetër.

Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi në një postimi në rrjetet sociale bën të ditur se 52 fidera janë jashtë funksionit, kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha