Manchester United rrezikon të humbasë një nga talentet më premtues të akademisë së tij.
JJ Gabriel, i lindur në vitin 2010, duket gjithnjë e më i vendosur për t’u larguar nga “Old Trafford”, pavarësisht përpjekjeve të klubit anglez për ta bindur të qëndrojë.
Sipas “Tuttomercatoweb”, duke iu referuar raportimeve nga Anglia, negociatat mes Unitedit dhe përfaqësuesve të futbollistit nuk kanë sjellë përparimin e pritur, përcjell “Gazeta Express”.
As trajneri Michael Carrick nuk ka arritur ta ndryshojë situatën, ndërsa largimi i talentit të ri po shihet si një mundësi gjithnjë e më reale.
Real Madridi lëviz konkretisht
Real Madridi duket se ka ndërmarrë hapa konkretë për ta fituar garën për shërbimet e Gabrielit.
Sipas raportimeve, klubi madrilen e ka paraqitur një ofertë financiare që mund të arrijë në afro 10 milionë euro, duke i përfshirë pagën dhe bonuset për një kontratë trevjeçare.
Megjithatë, Barcelona nuk ka hequr dorë nga gara. Klubi katalunas e njeh potencialin e futbollistit dhe po e përcjell nga afër situatën e tij.
Gabriel raportohet se është stërvitur individualisht në Castelldefels, pranë Barcelonës, por drejtuesit katalunas nuk dëshirojnë të përfshihen në një garë të kushtueshme financiare.
Në këtë garë është edhe Bayern Munichu, i cili ka zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e lojtarit, por deri tani nuk ka arritur ta kalojë konkurrencën e dy gjigantëve spanjollë.
Manchester United përgatitet për largimin e talentit
Unitedi ka tentuar ta mbajë futbollistin, por bisedimet me familjen dhe përfaqësuesit e tij nuk kanë prodhuar rezultat konkret.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar pasi Gabriel është larguar nga planet e ekipit të parë.
Për shkak të moshës së tij, transferimi paraqet edhe sfida rregullatore, ndaj vendimi përfundimtar do të varet nga futbollisti dhe familja e tij, si dhe nga zgjidhja e çështjeve kontraktuale.
Për momentin, nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por Real Madridi duket se ka kaluar nga interesi në veprime konkrete.
Barcelona dhe Bayern Munichu vazhdojnë ta monitorojnë situatën, ndërsa Manchester United rrezikon ta humbasë një prej talenteve më të çmuara të akademisë së vet. /Gazeta Express
Burimi: www.gazetaexpress.com










