Arsenali po i afrohet finalizimit të marrëveshjes për rinovimin e kontratës me mesfushorin Declan Rice, i cili vlerësohet si një ndër elementët kyç të projektit afatgjatë të klubit londinez.
Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, bisedimet mes palëve po ecin me ritme të shpejta dhe kanë kaluar tashmë në fazën përfundimtare.
Arsenali dhe përfaqësuesit e mesfushorit anglez raportohet se janë shumë pranë dakordësisë për kushtet financiare, ndërsa janë duke përfunduar detajet e fundit lidhur me kohëzgjatjen e kontratës.
Klubi londinez shpreson se negociatat do të përfundojnë me sukses, pasi dëshiron ta mbajë Rice në qendër të projektit të tij për vitet në vijim.
27-vjeçari gëzon respekt të madh brenda klubit, si nga drejtuesit dhe trajneri Mikel Arteta, ashtu edhe nga bashkëlojtarët dhe tifozët.
Arsenali ka siguruar tashmë vazhdimësinë e trajnerit Arteta, me të cilin ka arritur marrëveshje për kontratë deri në qershor të vitit 2030. Tani, drejtuesit synojnë të garantojnë edhe të ardhmen afatgjatë të njërit prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.
Rice iu bashkua Arsenalit në verën e vitit 2023 nga West Ham United, për shumën prej rreth 116.6 milionë eurosh. Kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në qershor të vitit 2028, por palët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje të re në të ardhmen e afërt.
Mesfushori anglez e ka nisur mirë edhe sezonin aktual, duke regjistruar katër asistime në 10 paraqitje në të gjitha garat.
Nëse negociatat përfundojnë sipas pritshmërive, Arsenali do të sigurojë vazhdimësinë e një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, teksa synon të mbetet konkurrues në nivelet më të larta të futbollit anglez dhe evropian.
Burimi: insajderi.org










