Gustavo Varela po përjeton një moment të jashtëzakonshëm në Serie A. Sulmuesi portugez i Monzës ka hyrë në historinë e kampionatit italian, duke u bërë lojtari i tretë në 50 vitet e fundit që arrin shifrën e dyshifrorit të golave në 11 ndeshjet e para të karrierës së tij në elitën e futbollit italian.
Para tij, këtë arritje e kishin realizuar vetëm Vincenzo Montella në vitin 1997 dhe Diego Milito në vitin 2008. Pas dopietës vendimtare në fitoren ndaj Fiorentinës, Varela nuk e fshehu emocionin për atë që po përjeton.
“Është e pabesueshme ajo që po bëj. Kthehem në shtëpi, mbyll sytë dhe ende nuk arrij ta besoj. Futbolli është i përbërë nga momente”, u shpreh sulmuesi në një intervistë për DAZN.
Besimi i shokëve të skuadrës
Portugezi vlerësoi gjithashtu besimin që po merr nga shokët e skuadrës, duke veçuar edhe kapitenin Pessina. Paraqitjet dhe statistikat mbresëlënëse të Varelës kanë tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha italiane. Në mesin e skuadrave që po monitorojnë situatën e sulmuesit është edhe Interi.
Interesimi i Interit
Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtori sportiv i zikaltërve, Dario Baccin, është parë në stadiumin Brianteo gjatë ndeshjes Monza-Fiorentina, një tjetër sinjal i interesimit të mundshëm të klubit milanez për futbollistin portugez.
Me ritmin që po shfaq dhe rekordin e sapo vendosur, Gustavo Varela po kthehet në një nga emrat më të përfolur të futbollit italian, ndërsa e ardhmja e tij mund të jetë një nga çështjet interesante të merkatos.
Burimi: kohajone.com










