Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjermani, ku një familje me 5 anëtarë humbi jetën në banesën e saj. Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet lidhur me rastin, pasi viktimat u gjetën pa jetë në një apartament në qytetin jugperëndimor gjerman të Kehl, të hënën.
Gjetjet e zjarrfikësve dhe hetimi
Zjarrfikësit besojnë se ka pasur një rrjedhje monoksidi karboni në apartament, pasi detektorët e gazit u aktivizuan kur shërbimet e emergjencës hynë në banesë të hënën. Nuk është ende e qartë nëse ishte një defekt teknik apo një akt kriminal.
Një zëdhënës i zyrës së prokurorit të Offenburgut tha se autoritetet do të informojnë publikun nëse do të ketë ndonjë gjetje të re. Mësohet se në banesë ishin 7 persona, por dy nga fëmijët, një djalë dhe një vajzë, mbijetuan dhe u dërguan në spital.
Viktimat
Fëmijët që mbijetuan ishin të moshës 10 deri në 14 vjeç. Babai, 46 vjeç, gjyshja, 74 vjeç, dhe tre fëmijë të tjerë nuk arritën të mbijetonin.
Burimi: euronews.al









