Dior Paçarada është një nga shumë futbollistët shqiptarë që po ndërtojnë karrierë në Evropë.
Mesfushori defanziv, i lindur në vitin 2008, u dashurua me futbollin shumë herët, ndërsa synimet e tij tani janë të qarta.
Fillimet në futboll
“Që nga mosha 4-vjeçare kam filluar të merrem me futboll. E kam nisur në klubin e qytetit ku jetoj, në TSV Detingen Erms. Në moshën 10 vjeçare kalova te KF VFL Pfullingen. Aty u rrita si futbollist dhe në grupmoshat U15, U16 dhe U17 isha kapiten. Në atë kohë pata edhe ftesën nga Federata e Futbollit të Kosovës për grumbullimin dy ditor në Gjermani, me grupmoshën U15”, thotë Diori.

Rruga drejt U19
Pas paraqitjeve të shkëlqyera me U17, ai kaloi te KF SSV Reutlingen U18, me të cilën u shpall kampion për të kaluar te U19 Oberliga Baden-Württemberg.
“Edhe aty patëm një sezon vjeshtor fantastik, pas të cilit e siguruam titullin e kampionit dhe inkuadrimin në DFB-NACHWUCHSLIGA U19 (BUNDESLIGA U19), ku na pret një sfidë shumë më serioze”, ka shtuar Paçarada.
Arritja deri në nivelin më të lartë të futbollit gjerman për U19 është për Diorin një arsye më shumë për të synuar kalimin te një skuadër e madhe gjermane, si dhe për të marrë thirrjen nga Përfaqësuesja e Kosovës, që është edhe dëshira e tij më e madhe. /Gazeta Express
Burimi: www.gazetaexpress.com










