Porto Riko ka një arsye të veçantë për të festuar. Jennifer Barreto u shpall fituese e Miss Universe 2026, duke sjellë për herë të gjashtë këtë kurorë në vendin e saj dhe duke shënuar një moment historik në 75-vjetorin e këtij konkursi.
Ajo 27-vjeçare triumfoi mes 116 konkurrentesh nga vende të ndryshme të botës, në edicionin e 75-të të konkursit të bukurisë, i cili u zhvillua në San Juan, kryeqytetin e Porto Rikos.
Një histori e re për konkursin
Por përtej fitores, Jennifer bëri histori për një tjetër arsye. Ajo është gruaja e parë e martuar dhe nënë që fiton titullin Miss Universe, pas ndryshimit të rregullores së konkursit në vitin 2023, kur organizatorët lejuan pjesëmarrjen e grave të martuara dhe atyre që kanë fëmijë.

Barreto është e martuar me Yan Carlos Barreto Calderon, pjesëtar i ushtrisë amerikane, dhe është nënë e një vajze 7-vjeçare, të quajtur Penelope. Përveç angazhimit në kompeticione bukurie, ajo ka ndërtuar edhe një profil profesional në fushën sociale. Jennifer zotëron dy diploma masteri, në psikologji dhe punë sociale klinike, ndërsa ka punuar me familjet ushtarake dhe persona të prekur nga dhuna në familje dhe abuzimi ndaj fëmijëve.
Puna në ushtrinë amerikane
Në vitin 2021, ajo nisi punën në ushtrinë amerikane, në Fort Cavazos të Teksasit, ku u angazhua në programin për mbështetjen e familjeve, fillimisht si edukatore dhe specialiste e ndërhyrjes në situata krize. Më vonë, ajo u përqendrua edhe në parandalimin e problemeve sociale dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve ushtarake.

Gjatë rrugëtimit drejt kurorës, Jennifer ka theksuar se dëshiron ta përdorë këtë platformë për të promovuar kauza sociale dhe për të vijuar misionin e saj në shërbim të të tjerëve. Në intervistat e dhëna gjatë konkursit, ajo ka folur edhe për rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke nënvizuar se teknologjia nuk duhet të zëvendësojë vlerat njerëzore.
Në raundin final të pyetjeve, e pyetur se çfarë kanë më shumë nevojë liderët në ditët e sotme, Barreto vuri theksin te aftësia për të dëgjuar komunitetet që përfaqësojnë dhe për të dhënë shembull përmes veprimeve të tyre.
Rikthimi i kurorës pas 20 vitesh
Me këtë fitore, Porto Riko rikthen kurorën e Miss Universe pas 20 vitesh. Për herë të fundit, vendi e kishte fituar këtë titull në vitin 2006, me Zuleyka Rivera.
Në vendin e dytë u rendit përfaqësuesja e Republikës Dominikane, Melissa Nunez, ndërsa vendi i tretë shkoi për përfaqësuesen e Venezuelës, Clara Vegas. Jennifer Barreto mori kështu kurorën nga fituesja e edicionit të kaluar, meksikania Fatima Bosch.
Burimi: bordo.al









