Gleison Bremer ka kërkuar ndjesë para bashkëlojtarëve dhe stafit teknik të Juventusit, pas deklaratave të tij të ashpra që i bëri pas humbjes kundër Lazios. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, fjalët e mbrojtësit brazilian shkaktuan polemika brenda klubit bardhezi.
Pas disfatës, Bremer kritikoi mentalitetin e disa bashkëlojtarëve, duke lënë të nënkuptohet se disa lojtarë fshihen dhe tërhiqen kur gjërat nuk shkojnë mirë. Braziliani theksoi se nuk mund ta mbajë vetëm ai përgjegjësinë për të gjithë ekipin, deklarata që shkaktuan reagime edhe nga trajneri Luciano Spalletti.
Megjithatë, mbrojtësi vendosi të sqarojë qëndrimin e tij përpara ekipit dhe stafit teknik. Bremer shpjegoi se komentet e tij erdhën si pasojë e zemërimit dhe zhgënjimit pas humbjes, duke theksuar se nuk kishte për qëllim të sulmonte apo të akuzonte ndonjë lojtar të caktuar.
Kërkimfalja e brazilianit synon të ulë tensionet në dhomat e zhveshjes dhe të shmangë përshkallëzimin e situatës në një moment delikat për Juventusin.
Megjithatë, çështja nuk duket e mbyllur. Sipas raportimeve, Bremer pritet të përballet me një gjobë financiare nga drejtuesit e klubit për deklaratat e tij, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur disiplinën dhe për të mos lejuar që polemikat të ndikojnë më tej në skuadër.
Burimi: kohajone.com









