Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Studentët kanë gjithmonë të drejtë, mesazhi i profesor Fugës: Nuk dhunojnë njeri, mos bëjë ndokush krimin kombëtar t’i dhunojë

Studentët kanë gjithmonë të drejtë, mesazhi i profesor Fugës: Nuk dhunojnë njeri, mos bëjë ndokush krimin kombëtar t’i dhunojë

Profesor Artan Fuga ka ndarë një deklaratë përmes rrjeteve sociale, ku shprehet se “studentët kanë gjithmonë të drejtë”.

Fuga thekson se studentët nuk ushtrojnë dhunë dhe bën apel që askush të mos kryejë një padrejtësi kombëtare duke i sulmuar ata.

“Studentët kanë gjithmonë të drejtë!

Ata nuk dhunojnë askënd, prandaj askush të mos bëjë krimin kombëtar duke i dhunuar!

Jam i bindur se studentët e mi nuk janë të dhunshëm!

Ata nuk kanë prirje psikologjike për dhunë.

Për më tepër, jam i sigurt se ndër vite kam vërejtur me hidhërim se një pjesë e madhe e tyre kanë treguar prirje për të vuajtur në heshtje për vështirësitë e jetës dhe ankthin për të ardhmen, sesa të kenë kërkuar me këmbëngulje, përmes mobilizimit studentor, të drejtat e tyre, të cilat, o Zot, sa të gjera dhe të mëdha duhet të jenë!

Dhe këtë e kanë bërë, sado kritik të jesh, sepse kanë besuar, ndonjëherë me naivitet të sinqertë, sepse kanë respekt, shpesh më të madh sesa duhet, për vlerat themelore të shoqërisë.

Ata nuk interesohen për dhunën në shoqëri, sepse janë të aftë të përballen në një konkurrencë paqësore me të tjerët në karrierë.

Nuk kanë marrë dhe as kanë përvetësuar kurrë mësime për dhunë nga unë dhe nga kolegët e mi.

Për ta mund të them se ndër vite kanë qenë më shumë të vuajtur, por kurrë, asnjëherë, të dhunshëm.

Prandaj e kam të vështirë, madje të pamundur, madje refuzoj çdo insinuatë, apo çdo formulë klishe në media, propagandë qeveritare, apo poshtërsi intelektuale nga kushdo që pretendon pa prova se studentët, të paktën ata me të cilët punoj unë dhe kolegët e mi, ushtrojnë dhunë në qytet, thyejnë, vënë zjarre, kërcënojnë, apo çdo etiketë e këtij lloji që u ngjitet padrejtësisht, apo dhunojnë me gurë policë!

Pasi u tha kjo, ndonjë individ i veçantë i përfshirë rastësisht në ndonjë ngjarje të dhunshme, çka nuk e di ende, çka nuk ka asnjë informacion, dhe kjo është e rëndë për institucionet përkatëse, nuk përfaqëson studentët, për t’i njollosur ata.

Studentët nuk duan vetëm një të ardhme, por ata janë e ardhmja e vendit, shtresa më e kulturuar e tij, në pjesën dërmuese vajza, ata janë shpresa e emancipimit të shoqërisë shqiptare!

Prandaj, jam i sigurt se çdo dhunim i studentëve të mi, apo ndalim i tyre pa prova, çdo trajtim jo në bazë të ligjit të çdo studenti, pa dyshim është jo vetëm i tepruar, i pavlefshëm dhe shumë i dëmshëm nga ana shoqërore, më cenon drejtpërdrejt mua dhe kolegët e mi, si edhe dëmton rëndë thelbin e ADN-së të kulturës shqiptare, i hap kombit plagë të rënda në dekada, e bën kujtesën e tij kolektive edhe më të dhembshur sesa është nga dramat dhe traumat që maskarenjtë, kolaboracionistët, tradhtarët e kombit, diktatorët, të çmendurit dhe budallenjtë me pushtet, tregtarët e interesave kombëtare të shkëmbyer me pushtet të pamerituar, i kanë shkaktuar gjatë historisë.

Studentët kanë nevojë të dëgjohen! Ka dhjetëra mënyra paqësore, të respektueshme, për t’u vënë veshin kërkesave të tyre sociale, ekonomike, pedagogjike madje edhe politike. Nga qeverisja, nga politika në përgjithësi, nga vetë stafet universitare, sepse ata kanë të drejtë të jenë mosbesues, besimi i tyre është abuzuar, të kërkojnë, sepse kërkesat e tyre janë hedhur në kosh me premtime politike boshe, kanë të drejtë të aspirojnë për diploma cilësore, sepse diplomat dhe arritjet e tyre i kanë përbuzur duke sunduar në shoqëri mekanizma false dhe cinikë promovimi social.

Politika deri tani i ka gënjyer, asgjë nuk ka bërë nga premtimet e disa viteve më parë, arbitrariteti i qeverisjes shkon deri aty sa ende nuk ka një statistikë të papunësisë intelektuale, ende nuk vepron meritokracia për të promovuar në vende pune më të mirët, ende nuk ka një parashikim nga qeverisjet për profesionet intelektuale për dhjetë vjetët e ardhshëm në vend, shoqëria jonë është zhveshur nga teknologjia, kultura, novacioni shkencor që të mund të integrojë të diplomuarit, ende në shoqëri sundon klani, miqësia, paraja për të zënë një vend pune, ende gjithçka për universitetet është e centralizuar në duart e politikës, arritur deri në skandalin derisa iu kërkohet të pranojnë që studentët e Tiranës t’i kenë konviktet në Durrës!!! Nuk është thelbi, po absurditeti politik imagjinoni se ku ka arritur, deri ku abuzohet me shpirtin e vuajtur studentor, deri ku shkelen politikisht dhe nga administrata dhe qeverisja të drejtat e tyre!

Unë përsëris atë që vazhdoj të them publikisht gjatë viteve: Studentët kanë gjithmonë të drejtë! Kush dëshiron t’ja shpjegoj këtë, jam gati!

Studentët si shtresë shoqërore nuk dhunojnë askënd, ndaj mos i bëni pis, ndaj larg duart nga sytë, nga trupi, nga shpina, nga kyçet e duarve të studentëve!”, shprehet Fuga në një postim në rrjetet e tij sociale.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha