Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Shqiptari i arrestuar për vjedhjen në rezidencën e Princit William dhe Kate

Shqiptari i arrestuar për vjedhjen në rezidencën e Princit William dhe Kate
Foto: top-channel.tv

Mediat britanike kanë publikuar fotografinë e njërit prej dy shqiptarëve të akuzuar për vjedhjen në rezidencën mbretërore të Princit William dhe Princeshës Kate, në Norfolk të Anglisë.

Siç raporton nga Londra korrespondenti i Top Channel, Arben Manaj, bëhet fjalë për Arilen Ndocin, 32 vjeç, i cili së bashku me Mirgen Dokun, 34 vjeç, dyshohet se kanë vjedhur një orë dhe gjashtë kopsa manshetash nga rezidenca mbretërore Anmer Hall, në pronën Sandringham.

Dy shqiptarët dyshohet se kanë depërtuar në vilë duke u ngjitur përmes tubave të shkarkimit të ujërave të çatisë dhe duke dëmtuar një dritare të ndërtesës.

Në momentin e vjedhjes, Princi William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në rezidencë, por në Windsor.

Si u zbuluan dhe arrestuan dy shqiptarët

Alarmi i sigurisë së pronës mbretërore u aktivizua në orën 17:49 të së hënës, ndërsa tre persona u panë duke lëvizur drejt rezidencës.

Dy prej të dyshuarve u pikasën nga një punonjës i pronës mbretërore gjatë patrullimit, ndërsa po largoheshin nga zona. Në operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e tyre u përdorën edhe dronët e policisë britanike.

Në momentin e arrestimit, asnjëri prej dy shqiptarëve nuk kishte këpucë të veshura. Në territorin e pronës mbretërore u gjetën gjithashtu mjete që dyshohet se ishin përdorur gjatë vjedhjes.

Sipas prokurorëve britanikë, policia konstatoi edhe shenja të kontrollit të rrëmujshëm të ambienteve të brendshme të rezidencës.

Një person i tretë, shtetësia e të cilit mbetet ende e panjohur, nuk është arrestuar.

Dy shqiptarët dalin para gjykatës

Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku u paraqitën të mërkurën përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ku përballen me akuzat për vjedhje banese dhe hyrje të paautorizuar në një zonë të mbrojtur.

Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, të dy shqiptarët dyshohet se qëndronin në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe.

Gjatë seancës, ata u asistuan nga një përkthyes nëpërmjet lidhjes me video dhe konfirmuan vetëm emrat dhe datëlindjet e tyre. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për më 30 nëntor.

Rezidenca mbretërore, dhuratë nga Mbretëresha Elizabeth II

Anmer Hall është ndërtuar në vitin 1802 dhe është blerë nga Mbretëresha Victoria në vitin 1862. Rezidenca me dhjetë dhoma iu dhurua Princit William dhe Princeshës Kate me rastin e martesës së tyre nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II.

William është i pari në linjën e trashëgimisë së fronit britanik, pas babait të tij, Mbretit Charles III.

Sipas raportimit të korrespondentit të Top Channel, ky është rasti i parë i raportuar i një vjedhjeje në një pronë të familjes mbretërore britanike, për të cilën akuzohen shtetas shqiptarë.

Shqiptari i arrestuar për vjedhjen në rezidencën e Princit William dhe Kate

Dy prej të dyshuarve u vunë re nga një punonjës i sigurisë së pronës, i cili gjatë një patrullimi i pa duke u larguar drejt një zone të pyllëzuar. Në kërkim u angazhuan qen policie, dronë dhe helikopteri i Policisë Kombëtare Ajrore.

Pamjet nga dronët treguan të dyshuarit duke lëvizur në pyll, ku dyshohet se kishin hedhur edhe sende të përdorura për vjedhjen. Sipas prokurorisë, të dy u arrestuan pa këpucë.

Dy të dyshuarit u arrestuan në afërsi të vendngjarjes, ndërsa një person i tretë, që dyshohet se ka lidhje me ngjarjen, është ende në kërkim.

Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se Ndoci dhe Doku janë shtetas shqiptarë që dyshohet se kanë hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme. Sipas informacionit të paraqitur në gjykatë, Doku banon në zonën e South Kensington, në Londrën perëndimore, ndërsa Ndoci nuk ka një adresë të përhershme.

Në momentin e incidentit, Princi William, Princesha Catherine dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, nuk ndodheshin në Anmer Hall, por në rezidencën e tyre kryesore në Windsor.

Të dy personat konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha