Vesa Luma ka rikthyer në vëmendje një prej perlave të muzikës qytetare shkodrane, këngën “Për mue paska kenë kismet”, pas së cilës fshihet një histori dashurie e pamundur, e mbushur me mall, dhimbje dhe një fund tragjik.
Përmes një postimi në Instagram, teksa interpreton këtë këngë, këngëtarja ka ndarë edhe historinë që frymëzoi kompozitorin shkodran Palokë Kurti, në fillim të viteve 1880.
Një mësues pianoje në Shkodër
Në atë kohë, Palokë Kurti ishte një muzikant i ri dhe i njohur, i cili, krahas angazhimeve artistike, punonte edhe si mësues pianoje në familjet e pasura të Shkodrës. Pikërisht gjatë një prej këtyre mësimeve, ai njohu një vajzë me të cilën nisi të ndante ndjenja të veçanta. Dashuria mes tyre dukej e ndërsjellë, por frika se familja e saj nuk do ta pranonte një lidhje me një mësues e pengonte Palokën të shprehej hapur.
Gjithçka mori fund papritur, kur familja e vajzës vendosi të ndërpriste mësimet e pianos. Pa asnjë mundësi për ta takuar sërish, muzikanti mbeti me ndjenjat e pathëna dhe shpresën se një ditë do të mund ta shihte përsëri.
Takimi në dasmë
Por takimi i tyre i radhës do të ishte shumë më i dhimbshëm nga sa mund ta kishte imagjinuar.
Disa vite më vonë, Palokë Kurti u ftua të merrte pjesë si muzikant në një dasmë në qytet. Në momentin që nusja hyri në sallë, ai kuptoi se përballë kishte pikërisht vajzën që kishte dashur dikur në heshtje. Ajo po martohej me një tjetër.
I tronditur nga kjo pamje, Paloka nuk mundi t’u bashkohej këngëve të ahengxhinjve për nusen. Përkundrazi, i pushtuar nga dhimbja dhe malli, improvizoi vargjet që do të ktheheshin në një prej këngëve më të njohura të muzikës qytetare shqiptare:
“Për mue paska kenë kismet
Me ken ti e tjera kuj
Mbasi të due, ban merhamet
Edhe mue me duej.”
Sipas historisë së rrëfyer, kënga preku edhe vetë nusen, e cila e kuptoi se vargjet i drejtoheshin asaj. Kur Paloka këndoi vargun “Ah! Si s’mbaroj…”, emocionet e saj ishin aq të forta, sa thuhet se i ra të fikët.
Një këngë që mban kujtime
Pikërisht këtë histori ka zgjedhur të sjellë sërish në vëmendje Vesa Luma, përmes interpretimit të saj, duke rikujtuar se disa këngë mbartin shumë më tepër sesa një melodi: ato ruajnë brenda tyre dashuri, kujtime dhe dhimbje që nuk i zbeh as koha.
Burimi: bordo.al










