Koreografi dhe balerini shqiptar Leander Veizi ka ndërruar jetë papritur në Gjermani, ku ushtronte aktivitetin e tij artistik dhe mbante përkohësisht drejtimin e Kompanisë së Vallëzimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut.
Artisti u gjet i pajetë të hënën në banesën e tij në qytetin e Regensburgut. Lajmin e ka konfirmuar vetë Teatri Shtetëror i Regensburgut, i cili ka shprehur tronditjen dhe dhimbjen për humbjen e papritur të një prej artistëve të tij.
Karriera artistike
Me origjinë shqiptare, Leander Veizi kishte ndërtuar një karrierë të spikatur në botën e baletit dhe koreografisë, duke u angazhuar në disa prej trupave dhe institucioneve të njohura të vallëzimit në Evropë.
Ai kishte studiuar në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë, si dhe në shkollën prestigjioze italiane “Scuola del Balletto di Toscana”.
Gjatë karrierës së tij, Veizi ishte pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, kompanisë “Gauthier Dance” në Theaterhaus Stuttgart, Baletit Vorpommern dhe TanzTheaterMünster. Në këto skena kishte bashkëpunuar me koreografë të njohur dhe interpretuar role të rëndësishme.
Angazhimi në Regensburg
Në vitin 2022, ai iu bashkua trupës së Teatrit Shtetëror të Regensburgut si balerin, ndërsa më vonë u angazhua edhe në krijimtarinë koreografike. Në fillim të sezonit të ri artistik, institucionit iu besua atij edhe drejtimi i përkohshëm i Kompanisë së Vallëzimit.
Përmes një deklarate zyrtare, Teatri Shtetëror i Regensburgut ka shprehur dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta, duke e kujtuar si një koleg, mik dhe artist frymëzues.
“Me trishtim të thellë kemi mësuar për ndarjen e papritur nga jeta të kolegut dhe mikut tonë, Leander Veizi. Vajtojmë humbjen e një miku dhe artisti frymëzues”, thuhet në mesazhin e institucionit.
Teatri ka shprehur gjithashtu ngushëllimet dhe solidaritetin me familjarët e artistit në Shqipëri, Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneren e tij dhe të gjithë njerëzit e afërt.
Libri i ngushëllimeve
Në nderim të kujtimit të Leander Veizit, në ambientet e Teatrit në Bismarckplatz është vendosur një libër ngushëllimesh, ku kolegët, qytetarët dhe admiruesit e tij mund të lënë mesazhet e respektit dhe solidaritetit për artistin shqiptar.
Burimi: www.kosovarja-ks.com









