Russell Brand nuk po qëndron me të burgosurit e tjerë në burgun HMP Wandsworth të Londrës. Aktori dhe ish-komediani britanik është vendosur në një sektor të veçantë, ku po qëndron i vetëm në qeli, për shkak të shqetësimeve që lidhen me sigurinë e tij.
Vendosja në një sektor të veçantë
Sipas raportimeve të mediave britanike, autoritetet e burgut kanë vendosur ta mbajnë të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve, pasi ekziston frika se fama e tij dhe natyra e veprave për të cilat është dënuar mund ta bëjnë atë objektiv të mundshëm të sulmeve.
Gjatë kësaj periudhe, Brand po monitorohet nga personeli i institucionit, i cili kryen kontrolle të vazhdueshme për të vlerësuar gjendjen dhe sigurinë e tij. Vendosja në këtë sektor nuk do të thotë se aktori do të qëndrojë i izoluar gjatë gjithë periudhës së vuajtjes së dënimit. Kjo është një masë e përkohshme, e cila mund të ndryshojë në varësi të vlerësimeve që do të bëhen nga autoritetet penitenciare.
Procedurat e hyrjes dhe reagimi i të burgosurve
Edhe në burg, emri i tij duket se nuk ka kaluar pa u komentuar. Sipas mediave, disa të burgosur i kanë vendosur nofkën “Russell from the Block”, një lojë fjalësh që lidhet me këngën e famshme të Jennifer Lopez, “Jenny from the Block”, por edhe me njësinë ku ai është akomoduar.
Ndërkohë, hyrja e tij në institucion është shoqëruar me procedurat standarde që ndiqen për çdo të burgosur. Brand ka dorëzuar veshjet personale, është pajisur me uniformën e burgut dhe ka marrë një paketë me produktet bazë të higjienës personale. Raportohet gjithashtu se i është mundësuar një telefonatë e shkurtër.
Për momentin, mbetet e paqartë se sa kohë do të qëndrojë në HMP Wandsworth. Sipas raportimeve, transferimi në një burg tjetër mund të ndodhë brenda disa javësh, në varësi të nivelit të sigurisë dhe vlerësimit të rrezikut.
Kujtojmë se Russell Brand është dënuar me 10 vjet e gjashtë muaj burg për përdhunim dhe sulme seksuale.
Burimi: bordo.al










