Rosalía, artistja spanjolle, triumfoi në ceremoninë e 27-të të Latin Grammy Awards, duke fituar gjashtë çmime, ndër to dy prej më të rëndësishmeve.
Rosalía ishte padyshim protagonistja e mbrëmjes në ceremoninë e 27-të të Latin Grammy Awards, e mbajtur në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas. Këngëtarja spanjolle, e cila ishte nominuar në shtatë kategori, arriti të fitojë gjashtë çmime, duke konfirmuar edhe një herë suksesin e saj në muzikën ndërkombëtare.
Çmimet kryesore
Mes vlerësimeve më të rëndësishme ishte çmimi për Albumin më të Mirë të Vitit me Lux, si dhe ai për Këngën më të Mirë me “La Perla”.
Gjatë pranimit të çmimit për këngën “La Perla”, Rosalía mbajti një fjalim emocionues, ku iu drejtua të gjithë atyre që dikur kishin dyshuar në aftësitë e saj artistike.
“Është një nder të jem këtu dhe ta marr këtë çmim. Por, të gjithë atyre që më thanë se nuk vleja asgjë apo se muzika ime ishte shumë e çuditshme, faleminderit. Sepse pikërisht ngaqë nuk i dëgjova, sot po e fitoj këtë çmim”, u shpreh artistja.
Ajo tregoi gjithashtu se kënga “La Perla” ishte frymëzuar nga këngëtarja e njohur meksikane Paquita la del Barrio, e cila u nda nga jeta në shkurt të vitit 2025.
“Faleminderit Meksikës për frymëzimin, për rancherat sepse siç e kam thënë edhe më parë, pa Paquita la del Barrio, ‘La Perla’ nuk do të ekzistonte”, tha Rosalía.
Në fjalimin e saj nuk mungoi as një mesazh për gratë, të cilave iu drejtua me një metaforë të veçantë: “Për të gjitha ato që kanë gjetur një perlë, shpresoj që jeta t’ju ketë rezervuar një diamant, sepse tashmë nuk jemi për bizhuteri të lira”.
Momenti emocionues me albumin e vitit
Momenti më emocionues erdhi me çmimin për albumin e vitit. Rosalía u rikthye në skenë për të marrë trofeun nga duart e këngëtarit Juanes dhe nuk i mbajti dot lotët. Ajo kujtoi mbështetjen që kishte marrë prej tij në fillimet e karrierës, kur koncertet e saj ndiqeshin nga vetëm 100 persona.
“Mbaj mend kur sapo po nisja karrierën time, ti ishe një nga artistët e parë që erdhe në koncertet e mia, kur në një sallë në Madrid kishte vetëm 100 persona. Më ke ndihmuar shumë në fillimet e mia dhe vazhdon të jesh pranë meje. Jam shumë mirënjohëse”, u shpreh ajo.
Duke folur për albumin Lux, këngëtarja e cilësoi atë si një hap të guximshëm dhe një moment besimi te vetja.
“Nëse El Mal Querer ishte një ëndërr dhe Motomami një bast, Lux për mua ka qenë një hap besimi. Është shumë e rëndësishme të flasësh të vërtetën tënde dhe t’u japësh të tjerëve mundësinë të bëjnë të njëjtën gjë. Ky album është e vërteta ime. E di që kam ende shumë për të mësuar dhe se ndoshta nuk e kam bërë ende punën time më të mirë, por e di që kam gjithçka që duhet për të qenë më e mira”, tha artistja.
Një falënderim të veçantë ajo rezervoi edhe për nënën e saj, duke e cilësuar si një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e saj: “Faleminderit mami që më ke bërë kështu, sepse ti gjithmonë gjen një zgjidhje për gjithçka”.
Performancat e mbrëmjes
Përveç çmimeve, Rosalía ishte edhe një nga protagonistet e performancave muzikore të mbrëmjes. Ajo hapi ceremoninë me një përzierje të këngëve “La rumba del perdón”, “La Perla” dhe “Dios es un stalker”.
Në këtë edicion pati sukses edhe artistë të tjerë spanjollë. Alejandro Sanz u vlerësua me çmimin për Albumin më të Mirë Pop Bashkëkohor për ¿Y ahora qué?, ndërsa Yerai Cortés fitoi në kategorinë e Albumit më të Mirë Flamenco me Popular.
Burimi: bordo.al










