Një deklaratë e Jonida Maliqit këtë të shtunë në programin “Goca dhe Gra” ka bërë xhiron e rrjetit gjatë gjithë fundjavës. Gjatë programit, këngëtarja u pyet për një artiste që konsideron të mbivlerësuar dhe emri që përmendi ishte ai i Rozana Radit. Jonida u shpreh se e vlerëson për poezinë dhe aktrimin, por jo për vokalin, duke e cilësuar të mbivlerësuar në këtë aspekt.
“E di ku më shkon mendja? Te një vajzë që ka qenë pjesë këtu, e këtij paneli në një nga sezonet. Sigurisht që e vlerësoj për artisten që është, për poeten, për aktoren që është. Vokalisht nuk e vlerësoj dhe mendoj që ka pasur mbivlerësim dhe ajo është Rozana Radi. Me gjithë respektin për artisten që është, por për pjesën vokale si këngëtare”, u shpreh Maliqi. Përgjigjja e Rozanës nuk vonoi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo zgjodhi t’i përgjigjej me ironi, duke shkruar: “Sikur një këngë e jotja të merrte aq klikime sa një video ku përmendem unë, do të ishte film! Suksese!”

Përplasja me Soni Malajn
Ky nuk është rasti i parë kur Jonida shpreh publikisht rezerva për koleget e saj. Gjatë eksperiencës në “Ferma VIP”, ajo u përfshi në një përplasje me Soni Malajn, e cila nisi brenda formatit dhe vijoi edhe pas largimit të Jonidës nga ferma. Duke folur për dallimet mes karrierave të tyre, Maliqi përdori një krahasim që tërhoqi vëmendje: “Soni shkon në club, unë në festivale”. Ajo shtoi se ishin rritur ndryshe, kishin arsimim dhe mënyra jetese të ndryshme.

Momenti viral me Elvana Gjatën
Sa i përket këngëtares Elvana Gjatën, diskutimet kanë qenë të lidhura kryesisht me vlerësimin artistik në Festivalin e Këngës ne vitin 2024. E ftuar në “Podfestë”, Jonida u rikthye te momenti viral gjatë Festivalit të vitit të kaluar, kur ishte pjesë e jurisë dhe e renditi në vendin e dytë këngën “Karnaval” të Elvanës. Një nënqeshje e saj gjatë momentit të votimit u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.

“Elvanën e njoh që në moshë fare të vogël. Nuk ka nevojë fare për elozhet e mia sepse në qoftë se është aty ku është, është falë atributeve të saj. Ajo është një artiste që unë e kam vlerësuar gjithmonë, por nëse mua nuk më pëlqen kënga, nuk ka të bëjë fare me çfarë është ky këngëtar, ka të bëjë vetëm me materialin muzikor”, u shpreh Jonida asokohe pas momentit viral. Nga ana tjetër Elvana preferoi ta kalojë në heshtje këtë ‘përplasje’ duke mos bërë asnjë koment.
Burimi: bordo.al










