Reperi i mirënjohur shqiptar, Don Xhoni, ka shprehur reagimin e tij përmes një postimi në InstaStory në lidhje me gjendjen në Shqipëri, duke dërguar një mesazh kundër dhunës, për bashkim dhe për domosdoshmërinë e gjetjes së një rrugëzgjidhjeje përmes dialogut.
Artisti iu drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërisë, duke deklaruar se prej disa ditësh po shikon një sasi të madhe pamjesh nga ajo që po ndodh.
Ai theksoi se nuk dëshiron të qëndrojë indiferent ndaj situatës, ndërsa shprehu shqetësimin për atë që po vëren.
Foto: Instagram
“Shqipëria ime, që prej sa ditësh po shoh plot video për çfarë po ndodh, dhe më dhemb të mos reagoj kur po e shoh vazhdimisht atë dhunë e atë përçarje”, shkroi reperi.
Don Xhoni u ndal posaçërisht te dhuna, duke theksuar se ajo nuk përbën zgjidhje dhe se konfliktet vetëm sa mund ta rëndojnë situatën.
“Dhuna nuk zgjidh nga asnjëra anë. Me forcë e me zemërim nuk zgjidhet asgjë, përkundrazi bëhet edhe më keq”, u shpreh ai.
Më tej, reperi bëri thirrje për bashkim mes studentëve dhe institucioneve, duke theksuar rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje të përbashkët.
“Mos harroni që në fund të ditës ne jemi një! Institucionet krijohen prej qytetarëve, e jo qytetarët prej institucioneve”, përfundoi Don Xhoni.
Burimi: insajderi.org










