Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Protestë në Brazil para zyrave të Meta kundër ndikimit të platformave në zgjedhje

Protestë në Brazil para zyrave të Meta kundër ndikimit të platformave në zgjedhje

SAO PAULO, 20 tetor /ATSH/- Një numër i madh protestuesish, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe lëvizjeve shoqërore, u mblodhën dje para zyrave qendrore të kompanisë “Meta” në Sao Paulo të Brazilit, për të shprehur kundërshtimin ndaj asaj që ata e konsiderojnë si ndërhyrje e kompanisë në procesin zgjedhor dhe pengim të qarkullimit të përmbajtjeve politike në rrjetet sociale, sipas “Reuters”.

Protesta u organizua në rrugën “Faria Lima”, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj, ndërsa brohorisnin slogane kundër kompanisë që zotëron platformat “Facebook”, “Instagram” dhe “WhatsApp”.

Ata kërkuan më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri për mënyrën se si trajtohen përmbajtjet politike gjatë fushatës zgjedhore.

Organizatorët pohojnë se disa përmbajtje politike dhe llogari në rrjetet sociale janë përballur me kufizime të padrejta, duke ndikuar në dukshmërinë e mesazheve të publikuara gjatë fushatës.

Ata kërkojnë që kompania të sqarojë kriteret që përdor për të kufizuar ose hequr përmbajtjet dhe të garantojë trajtim të barabartë për kandidatët.

Slogani kryesor i protestës ishte “Meta, mos ndërhy!”, ndërsa organizatorët deklaruan se synonin t’i dorëzonin kompanisë një dokument me kërkesat e tyre.

Sipas raportimeve të medieve braziliane, përfaqësuesit nuk arritën ta dorëzonin zyrtarisht dokumentin në selinë e kompanisë dhe njoftuan se do ta dërgonin atë në rrugë elektronike.

Protesta u zhvillua në një periudhë tensionesh për rolin e platformave digjitale në zgjedhjet presidenciale të Brazilit.

Fushata e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva ka akuzuar “Meta”-n se kufizimet në shpërndarjen e disa përmbajtjeve dhe funksionimi i sistemeve të saj favorizuan kandidatin kundërshtar Flavio Bolsonaro.

Gjykata më e lartë zgjedhore e Brazilit i ka kërkuar “Meta”-s të garantojë trajtim të barabartë për kandidatët.

Kompania, nga ana e saj, ka mohuar se ka vepruar me prirje politike, duke argumentuar se problemet e evidentuara lidhen me defekte teknike dhe zbatimin e rregullave të saj, jo me përpjekje për të favorizuar një kandidat.

Organizatat protestuese kërkojnë që “Meta” të bëjë të qarta mënyrat se si algoritmet dhe sistemet e inteligjencës artificiale ndikojnë në shpërndarjen e përmbajtjeve politike, si dhe të vendosë mekanizma më transparentë për shqyrtimin e ankesave gjatë fushatës zgjedhore. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha