Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Doktoresha Gjeorgjina Kuli: Sakrifica të mëdha si nënë në mjekësi

Doktoresha Gjeorgjina Kuli: Sakrifica të mëdha si nënë në mjekësi
Foto: bordo.al

Do të gënjeja nëse do të thoja se e prisja që doktoreshë Gjeorgjina, gjatë kësaj bisede, do të ndalej jo pak herë, do të prekej dhe do të lotonte teksa kujtonte historitë e pacientëve të saj të vegjël. Janë histori që i ka mbajtur me vete për vite dhe, megjithatë, duket se koha nuk i ka bërë më të lehta për t’i rrëfyer. Në bisedën tonë për Bordo, ajo foli për më shumë se 40 vite në mjekësi, për fëmijët që ka trajtuar dhe familjet me të cilat është përballur, por edhe për veten. Për mëmësinë, për kohën që i ka kushtuar profesionit, për ato që do të kishte dashur t’i kishte bërë ndryshe dhe për një jetë ku roli i mjekes ka zënë një hapësirë të madhe. E çiltër dhe e vërtetë, njësoj si pacientët e saj të vegjël, Prof. Dr. Gjeorgjina Kuli, Shefe e Shërbimit të Pediatrisë Infektive, tregon në këtë intervistë edhe atë që zakonisht mbetet pas bluzës së bardhë: një grua që ka dhënë shumë për profesionin, por që me kalimin e viteve ka kuptuar se përkushtimi nuk duhet të nënkuptojë të humbasësh veten.

Nëse do të ktheheshit te vajza që ishit dikur, çfarë do t’i thoshit për gruan që do të bëhej një ditë?

Do t’i thosha se jeta do të kërkojë shumë prej teje, por gjithashtu do të dhurojë gjëra të jashtëzakonshme. Do të bësh gabime gjatë jetës, por asnjëherë nuk duhet të dekurajohesh. Duhet të jesh vetja, të përkushtohesh, të bësh atë që di të bësh më mirë, duke e vendosur gjithnjë veten në vendin e të tjerëve, dhe patjetër që do t’ia dalësh. Dhe mos u përpiq të jesh diçka e madhe, sepse për të qenë e vlefshme nuk ka nevojë të jesh gjithmonë e përsosur.

Doktoreshë, pse zgjodhët mjekësinë dhe pikërisht pediatrinë?

Besoj që mjekësia është një zgjedhje, por edhe një thirrje, një mision. Gjatë më shumë se 40 viteve të karrierës, kam kuptuar se zgjedhja e mjekësisë nuk është një vendim që merret vetëm kur zgjedh universitetin. Ti e zgjedh atë përsëri çdo ditë: kur vazhdon të studiosh, kur qëndron e vëmendshme pas një dite të gjatë, kur përballesh me një rast të vështirë. Fëmijët kanë një vend shumë të veçantë në zemrën time, sepse përfaqësojnë jetën në formën më të brishtë, më shpresëdhënëse dhe më të sinqertë. Nuk ka gjë më të bukur sesa, me dijet, përkushtimin dhe profesionin tënd, të formosh shoqërinë e së ardhmes, asaj që do t’i besohet e ardhmja e vendit tonë. Kur kujdesesh për një fëmijë, kujdesesh për gjithë familjen. Frika, shpresa dhe besimi i tyre bëhen pjesë e marrëdhënies mjekësore.

Historitë që mbeten

A ka ndonjë fëmijë apo histori pacienti që ende e kujtoni?

Sigurisht që ka shumë. Mbaj mend një fëmijë që kishte kaluar 17 herë meningjit, një infeksion të rëndë të cipave të trurit. U përpoqëm maksimalisht ta kthenim këtë fëmijë në një jetë normale, në kushtet kur mjekësia nuk ishte në ato nivele që është sot. Një betejë që bën fëmija me jetën dhe kundër vdekjes, e bën fëmija, e bën familja, por e bën edhe mjeku që përfshihet në të. Kujtoj edhe raste të bukura. Një fëmijë pa prindër, i shtruar në spital dhe për të cilin kujdesej gjyshja, festoi pesëvjetorin e tij brenda spitalit. Të gjithë u aktivizuam, improvizuam një dekor të vogël, blemë dhurata, i vumë këngë për fëmijë dhe krijuam një atmosferë festive, që ai të mos i ndiente mungesat e prindërve apo problemet shëndetësore (preket). Leitmotivi im profesional ka qenë gjithmonë: unë nuk mjekoj sëmundjen apo diagnozën; unë mjekoj personin, mjekoj familjen dhe, indirekt, mjekohet edhe fëmija.

Mëmësia dhe mjekësia

Kur u bëtë nënë, a ndryshoi mënyra se si e perceptonit sëmundjen e një fëmije?

Përpara mëmësisë e kuptoja sëmundjen e një fëmije përmes formimit tim mjekësor: bëja një sintezë të simptomave, diagnozës, përvojës klinike dhe përgjegjësisë profesionale. Kur u bëra nënë, kuptova dimensionin emocional të frikës dhe të dridhjes që ke ndaj jetës së fëmijës. Mendoj që mëmësia e ndryshoi gjykimin tim mjekësor dhe i dha një nivel të ri kuptimi. U bëra më e vetëdijshme dhe justifikoja çdo shqetësim, qoftë edhe të ekzagjeruar të prindërve, sepse e kuptoja se çfarë do të thotë të jesh prind. Mëmësia më ka bërë njëkohësisht më të fortë dhe më të ndjeshme. Më të fortë, sepse më ka mësuar qëndrueshmërinë, aftësinë për të vazhduar kur jeta është kërkuese. Më të ndjeshme, sepse e kuptoj se sa thellë mirëqenia e fëmijës ndikon në botën emocionale të familjes.

Si bashkëjetojnë Gjeorgjina nëna, bashkëshortja, gruaja dhe mjekja në të njëjtën grua?

Ato bashkëjetojnë si pjesë të ndryshme, por të pandashme tek i njëjti person. Mjekja që jam është formësuar nga gruaja që jam, nga fëmija që kam qenë, nga familja ime, nga përvojat, përgjegjësitë dhe njerëzit që dua. Sigurisht, ka pasur momente konflikti. Mjekësia është një profesion që kërkon sakrifica dhe nuk respekton gjithmonë kufijtë që do të dëshironim të vendosnim mes punës dhe jetës personale. Ka ditë kur nevojat e pacientëve përkojnë me nevojat e familjes dhe nuk ekziston një zgjidhje e përsosur. Por kam mësuar gjithashtu se një rol e pasuron tjetrin. Unë nuk jam vetëm profesioni im dhe nuk jam vetëm roli im në familje. Jam të gjitha këto përvoja të bashkuara tek një grua.

Kostoja e përkushtimit

Çfarë ju ka kushtuar më shumë profesionalisht?

Kostoja më e madhe ka qenë ndoshta koha. Do të thosha që kam të vetmin peng se ndoshta kam qenë disi një nënë jo gjithmonë e pranishme. Kualifikimi, përkushtimi ndaj jetës profesionale, aktivitetit akademik, ngritja në shkallët e karrierës dhe marrja e gradave mjekësore kanë hyrë në pjesën e të qenit nënë. Ndoshta, po të kthehesha mbrapsht, do të doja të realizoja më shumë praninë time si nënë, pa qenë më pak mjeke apo profesioniste. Nuk mendoj që kam bërë gabim. Për sa i përket pjesës personale, ajo ka qenë shumë e cunguar. Nuk kam bërë një procedurë estetike, një masazh relaksues apo një procedurë termale. I kam kushtuar shumë pak kohë relaksit tim. Gjithnjë një mjek mbetet një student i përjetshëm. Në fillim të karrierës besoja se të ishe një mjeke e mirë do të thoshte gjithmonë të jepje më shumë. Me përvojën kam mësuar se edhe pushimi, familja dhe qetësia personale nuk janë shenja dobësie. Janë thelbësore për të ruajtur forcën, për të grumbulluar kurajë dhe për të vazhduar përpara. Nuk do të ndryshoja përkushtimin tim ndaj mjekësisë. Por do t’u thosha mjekëve të rinj se mund t’i përkushtohesh profesionit pa besuar se duhet të sakrifikosh çdo pjesë të vetes për ta merituar atë përkushtim.

Si nënë dhe si mjeke, cili është një gabim që shihni se prindërit bëjnë shpesh nga dashuria dhe frika për fëmijët?

Prindërit shpesh bëjnë gabime në mënyrën se si e perceptojnë sëmundjen e fëmijës. Infeksionet e lehta virale me të cilat fëmija përballet gjatë jetës janë një domosdoshmëri fiziologjike, pjesë e krijimit të një bagazhi imunitar, dhe nuk duhen parë si shkak për panik. Marrëdhënia prind-pediatër duhet të bazohet në komunikim, jo në frikë apo në diagnoza dhe mjekime të dëgjuara apo të lexuara diku tjetër.

Mësimet e jetës

Pas gjithë këtyre viteve përballë sëmundjes dhe shërimit, çfarë ju ka mësuar profesioni për jetën, familjen dhe kohën që kemi me njerëzit tanë?

Shpeshherë jemi aq të zënë me përgjegjësitë tona, sa harrojmë sa të çmuara janë momentet e thjeshta: të ulemi së bashku në tryezë, të ndajmë një vakt, të bëjmë një telefonatë të rëndësishme, të pyesim dikë se si ndihet vërtet dhe t’i themi sa shumë e duam. Profesioni më ka mësuar se koha nuk matet vetëm me numrin e viteve që jetojmë, por edhe me cilësinë e marrëdhënieve që krijojmë, me kujdesin dhe dashurinë që u ofrojmë të tjerëve. Nëse do të ishte një mësim që do të doja ta ndaja, ai do të ishte ky: Mos i shtyni gjërat që kanë më shumë rëndësi. Shprehni dashurinë tuaj, gjeni kohë për familjen dhe mos prisni një moment të vështirë për të kuptuar vlerën e njerëzve që keni pranë.

Pas bluzës së bardhë

Kush do të ishte Gjeorgjina pa bluzën e bardhë?

Pa bluzën e bardhë do të isha një grua që shijon gjërat e thjeshta: të kaloj kohën me familjen, të bëj një bisedë me kuptim, të qesh, të pushoj dhe t’i lejoj vetes të përjetoj një ditë pa ndërgjegjësimin e vazhdueshëm për përgjegjësinë profesionale. Të dëgjoj muzikë të bukur, të lexoj një libër kuptimplotë, të merrem me hobet dhe dëshirat e mia, t’i përkushtohem familjes. Më pëlqen edhe të shoh filma komikë, sepse jeta ime është një serial me përjetime të mëdha emocionale dhe shpeshherë kam nevojë për diçka që më bën të relaksohem dhe të harroj për një moment përgjegjësitë e jetës apo të profesionit. Megjithatë, mjekësia është pjesë e jetës sime. Ajo është bërë pjesë e identitetit tim, e mënyrës se si e shoh botën dhe e mënyrës se si lidhem me njerëzit. Mund ta heq bluzën e bardhë, por nuk mund të ndahem plotësisht nga vetja ime, e formësuar nga përvojat që më kanë bërë atë që jam. Nëse do ta konkretizoja ëndrrën time jashtë mjekësisë, do të doja shumë të isha më e përkushtuar si gjyshe, meqenëse si nënë nuk kam qenë gjithmonë e pranishme. Më vjen keq që humbas pjesë, kujtime dhe detaje nga jeta dhe rritja e mbesës sime, e cila nuk jeton në Shqipëri. Shpesh, ato përmblidhen në klipet që më dërgojnë prindërit e saj apo në komunikimet e shkurtra. Bluza e bardhë është pjesë e identitetit tim profesional, por nuk është e gjithë ajo që jam. Pas saj qëndron një grua që vazhdon të mësojë, të ndiejë, të dashurojë dhe të jetë mirënjohëse për jetën që i është dhënë. Pra, pa bluzën e bardhë do të isha thjesht Gjeorgjina, pa titullin profesor doktor, por me gjithçka që më ka mësuar ky rrugëtim.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha