Dimri është ndoshta sezoni më i mirë për të eksperimentuar me veshjet, por sekreti për një pamje elegante nuk qëndron gjithmonë te palltot apo çizmet që zgjidhni. Shpesh, janë pikërisht aksesorët ata që bëjnë diferencën dhe e kthejnë një kombinim të thjeshtë në një veshje që duket e menduar deri në detaj.
Për dimrin 2026, pasarelat kanë sjellë një sërë tendencash që ia vlen t’i përfshini në garderobën tuaj. Nga dorezat e gjata prej lëkure, te karficat dekorative dhe shallët prej gëzofi artificial, këto detaje janë mënyra më e lehtë për t’i dhënë më shumë karakter stilit tuaj, pa pasur nevojë të ndryshoni të gjithë veshjen.
Edhe nëse preferoni kombinimet minimaliste dhe ngjyrat neutrale, këta gjashtë aksesorë do t’ju ndihmojnë të dukeni më elegante dhe të kuruara gjatë gjithë sezonit.

1. Dorezat e gjata prej lëkure
Dorezat e gjata janë një prej detajeve më elegante të këtij sezoni. Të frymëzuara nga estetika luksoze e veshjeve të mbrëmjes, ato po largohen nga përdorimi vetëm në raste të veçanta për t’u bërë pjesë e kombinimeve të përditshme.
Në koleksionet vjeshtë-dimër 2026 të shtëpive të modës si Boss, Michael Kors, Uma Wang dhe Paul Costelloe, dorezat deri mbi bërryl u shfaqën në nuanca të ndryshme, nga e zeza dhe kafja, te e kuqja dhe gri. Përveç që i japin veshjes një pamje më të sofistikuar, janë edhe një zgjedhje praktike për ditët e ftohta.

2. Karficat dekorative
Karficat po rikthehen si një prej aksesorëve më interesantë të dimrit 2026. Dikur të rezervuara kryesisht për veshjet elegante të mbrëmjes, këtë sezon ato po bëhen pjesë e garderobës së përditshme.
Të vendosura mbi një pallto, xhaketë apo triko të thjeshtë, karficat janë një mënyrë e shkëlqyer për t’i dhënë karakter kombinimit pa e mbingarkuar atë. Giorgio Armani, Bottega Veneta, LaQuan Smith dhe Litkovska i përfshinë në koleksionet e tyre, duke dëshmuar se ky aksesor mund të duket luksoz edhe kur pjesa tjetër e veshjes është minimaliste.

3. Getat me ngjyra
Nëse gjatë dimrit mbështeteni gjithmonë te getat e zeza, ndoshta ka ardhur momenti të provoni diçka ndryshe. Getat me ngjyra janë një prej tendencave më të spikatura të sezonit dhe mënyra ideale për t’i dhënë jetë një kombinimi neutral.
Në pasarelat e Hermès, Rabanne, Zankov dhe Julie Kegels, ato u shfaqën në nuanca të ndryshme, nga vjollca dhe jeshilja e butë, te bordo dhe e verdha e ndezur. Nuk është e nevojshme të ndërtoni një veshje të guximshme nga koka te këmbët. Mjafton një palë geta me ngjyrë për ta bërë edhe kombinimin më të thjeshtë të duket më interesant.

4. Shallët prej gëzofi artificial
Shallët prej gëzofi artificial nuk janë një risi në modë, por pas disa sezonesh larg vëmendjes, rikthehen fuqishëm për dimrin 2026. Këtë herë, ato vijnë në forma dhe ngjyra të ndryshme, duke kombinuar ngrohtësinë me elegancën.
Magda Butrym, Zimmermann, Gabriela Hearst dhe CFCL i përfshinë në koleksionet e tyre, nga modelet në nuanca neutrale që kombinohen lehtësisht me gjithçka, deri te ato me ngjyra më të guximshme. Janë aksesor ideal për t’i dhënë një pamje më luksoze edhe palltos apo xhaketës më të thjeshtë.

5. Kapelet që bien në sy
Nëse zakonisht i shmangni kapelet sepse ju duken paksa të ekzagjeruara, koleksionet e këtij sezoni mund t’ju bëjnë të ndryshoni mendje. Për dimrin 2026, ato nuk shërbejnë vetëm për t’u mbrojtur nga i ftohti, por janë kthyer në një element të rëndësishëm të stilit.
Nga kapelet prej leshi te modelet prej lëkure dhe ato me teksturë gëzofi artificial, zgjedhjet janë të shumta. Bottega Veneta, Michael Kors, Balenciaga dhe Tolu Coker sollën versione të ndryshme në pasarelë, duke dëshmuar se një kapele interesante mund të bëhet pika kryesore e gjithë kombinimit.
6. Aksesorët që e bëjnë kombinimin të duket yll
Një prej mësimeve kryesore të koleksioneve të këtij sezoni është se nuk nevojitet një garderobë e tërë e re për të krijuar kombinime elegante. Shpesh, mjaftojnë disa detaje të zgjedhura me kujdes për të ndryshuar tërësisht pamjen.
Dorezat e gjata, karficat, getat me ngjyra, shallët prej gëzofi artificial dhe kapelet janë ndër zgjedhjet që meritojnë një vend në garderobën e dimrit. Sekreti është t’i kombinoni me veshjet që keni tashmë, duke luajtur me teksturat, ngjyrat dhe përmasat.
Burimi: anabelmagazine.com










