TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Kur temperaturat kanë rënë dhe vjeshta ka ngjyrosur peizazhin natyror të luginës së Langaricës, ujërat termale të Bënjës në Përmet vazhdojnë të tërheqin vizitorë vendas dhe të huaj. Ata zgjedhin këtë destinacion për të shijuar burimet natyrore dhe qetësinë që ofron zona.
Burimet termale të Bënjës janë një nga atraksionet natyrore më të njohura të Përmetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ujërat termale të Bënjës, të cilat vizitohen nga turistët edhe gjatë kësaj fundjave të nëntorit.
Turizmi gjatë vjeshtës
Vizitat gjatë vjeshtës i japin zonës një dimension tjetër turistik. Vizitorët mund të përjetojnë ujërat e ngrohta termale të kombinuara me freskinë e ajrit dhe atmosferën karakteristike të stinës.
Përveç burimeve termale, vizitorët mund të eksplorojnë edhe Urën historike të Kadiut, një monument i trashëgimisë kulturore, si dhe kanionin e Langaricës, i njohur për bukuritë natyrore, formacionet shkëmbore dhe peizazhet mbresëlënëse.
Vlerat e burimeve
Burimet termale të Bënjës njihen për përbërjen e tyre minerale dhe përdorimin tradicional për relaksim. Ato janë një nga pasuritë natyrore që e kanë vendosur Përmetin në hartën e turizmit natyror dhe të mirëqenies.
Frekuentimi i tyre në çdo stinë tregon potencialin e kësaj zone për zhvillimin e turizmit përtej sezonit veror, duke e kthyer Përmetin në një destinacion që ofron përvoja natyrore gjatë gjithë vitit.
/k.s/
Burimi: ata.gov.al










