Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Dhimbjet e kockave në mot të ftohtë: çfarë thotë shkenca

Dhimbjet e kockave në mot të ftohtë: çfarë thotë shkenca
Foto: lajmifundit.al

Qielli është i kthjellët, por kyçet tuaja fillojnë të dhëmbin? Po afron koha me shi? A i ndjejnë vërtetë kockat motin, apo është thjesht një përrallë e moçme? Besoni apo jo, është e vërtetë: kockat tuaja mund të parashikojnë motin, falë efekteve që ka ndryshimi i presionit barometrik në trup.

Dhimbja kronike dhe moti

Është e zakonshme që njerëzit t’ia atribuojnë kohës së vrenjtur shtimin e dhimbjeve të kockave. Robert Newlin Jamison, profesor në Departamentet e Psikiatrisë dhe Anesteziologjisë në Harvard Medical School dhe studiues i efekteve të motit te dhimbjet kronike të pacientëve, vëren se pacientët kanë frikë të tallen kur e pohojnë këtë gjë. “Për çfarëdo arsye, njerëzit me dhimbje kronike janë shumë të rezervuar në lidhje me këtë, sepse mendojnë se njerëzit e tjerë nuk u besojnë dhe thjesht do t’i tallin”, thotë ai.

Por Jamison nuk mendon kështu. Në hulumtimet e mëparshme, të botuara në revistën Pain, ai kërkoi një lidhje mes motit dhe dhimbjeve kronike në katër qytete: San Diego, Nashville, Boston dhe Worcester. Nga të gjithë njerëzit që intervistoi, “dy të tretat thanë se ishin mjaft të sigurt që moti do të ndikonte në dhimbjen e tyre”, thotë ai.

“Shumica e tyre kanë raportuar se i ndjejnë ndryshimet edhe para se moti të ndryshojë. Me fjalë të tjera, kanë dhimbje më të forta në ditët para shiut”.

Si mund të shkaktojë moti dhimbje?

Është tipike që dhimbjet e kyçeve të fillojnë para se të bien pikat e para të shiut, thotë David Borenstein, reumatolog dhe profesor klinik i mjekësisë në George Washington University Medical Center.

Një teori që shpjegon lidhjen mes ndryshimit të motit dhe dhimbjes së kyçeve ka të bëjë me ndryshimet e presionit të ajrit. Edhe pse shumë njerëz thonë se dhimbjet shtohen kur vjen shiu, kërkimet kanë treguar se nuk janë i ftohti, era, shiu apo bora ata që i shtojnë dhimbjet. “Ajo që ndikon tek njerëzit është presioni barometrik”. Presioni barometrik, me fjalë të thjeshta, është “pesha” e atmosferës që na rrethon.

Nëse i imagjinoni indet përreth kyçeve si një tullumbace, presioni i lartë barometrik që shtyp trupin nuk i lejon ato të zgjerohen. Por presioni barometrik shpesh bie para se të fillojë shiu. Ky presion i ulët shtyp më pak trupin, duke bërë që indet të zgjerohen, dhe indet e zgjeruara ushtrojnë presion mbi kyçet.

Megjithatë, lidhja midis dhimbjeve dhe ndryshimeve të motit mbetet hipotetike. Sipas Jamison-it, rezultatet nuk janë shumë të qarta, që do të thotë se ka njerëz që thonë se moti nuk ndikon në dhimbjet e tyre.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha