Sipas Ylli Patës, përplasja e Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit me Edi Ramën mund të duket si një mundësi për opozitën, por në fund mund të rezultojë në favor të vetë Ramës.
Beteja politike brenda mazhorancës po kthehet në një zhvillim thuajse të përditshëm, me reagime, diskutime, debate dhe analiza.
Ky zhvillim duket se ndikon jo pak edhe në zhvillimet e kampit opozitar, dhe nga ky ndikim lindin disa dilema.
Beteja e Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit me Edi Ramën do të ketë ndikim në mjedisin politik dhe, më e rëndësishmja, në atë elektoral, në pragun e zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Një analizë e parakohshme
Për të bërë një analizë të tillë duket se është herët, pasi deri në fillimin e fushatës zgjedhore pritet të rrjedhin shumë ujra. Fakti është se lëvizja politike është aktive, madje shumë, qoftë nga deklaratat e kryebashkiakut Erion Veliaj, qoftë nga ato të Elisa Spiropalit.
Këto deklarata dhe qëndrime kanë ngjallur entuziazëm te opozita e Sali Berishës, i cili i ka përkrahur menjëherë, pa asnjë rezervë, madje më shumë se kolegët e tyre nga mazhoranca.
Dilema e opozitës
Një qëndrim i njohur tashmë, që e kemi parë edhe me ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili u arratis nga drejtësia para dy vitesh. Ky qëndrim është dialektik, normal dhe taktik, pasi i shërben një logjike politike që Berisha e ka si bazë të politikës së tij. Porosia e vjetër “përça e sundo” ka jetë sa bota.
Megjithatë, këtu ka një problem jo të vogël. Të tre personazhet që Berisha synon të marrë nën krahë nuk janë të parëndësishëm. Ata kanë qenë ndër politikanët që opozita e tij ka harxhuar shumë energji për t’i sulmuar, akuzuar dhe denoncuar. Në media dhe në rrjetet sociale është ngritur një fushatë e gjatë linçimi kundër tyre.
Kthimi i fletës është taktikë e njohur politike, por në kushtet e një mjedisi ku këta personazhe janë bullizuar pa fund, a mund të pranohen si aleatë nga zgjedhësit e opozitës? Radikalët e opozitës do ta pranojnë, sepse nuk kanë shumë problem me të, por pjesa tjetër e zgjedhësve do të shohë mungesë koherence politike dhe çorientim, të paktën në aspektin moral.
Kjo është veçanërisht e dukshme në lidhje me drejtësinë. Gazment Bardhi, që konsiderohej mbështetësi më i madh i SPAK, e shpall sot këtë institucion të telekomanduar nga Edi Rama.
Efekti LSI dhe objektivi final
Qëllimi duket se është të krijohet një efekt LSI brenda mazhorancës. Logjika është e kuptueshme, por situata sot nuk është e njëjtë, pasi tani flitet për objektiva politike e jo për ngjarjet e vitit 2005.
Mazhoranca e Edi Ramës ka një objektiv të qartë: anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një proces që po shënon hapa thuajse të rregullt dhe progresiv. Një mazhorancë në mandatin e katërt, sipas të gjitha gjasave, nuk ka problem nga lëvizjet politike brenda saj, sepse ato janë zhvillime normale dhe dialektike. Thelbi është arritja e objektivit final, dhe këtu qëndron edhe çështja e debatit politik, të cilin Rama e ka futur në vend që ta bëjë pjesë të fushatës zgjedhore të 2025-ës, kur kërkoi votën për anëtarësimin në BE.
Realisht, pavarësisht nga të gjitha zhvillimet e tjera, qendra e gravitetit politik rrotullohet rreth këtij objektivi. Deri tani ai nuk është mbrojtur as nga opozita e Berishës, as nga opozita e re, as nga lëvizja e re brenda PS-së. Këta të fundit e shohin dobësimin e Edi Ramës vetëm te ndalimi apo bllokimi i procesit të anëtarësimit. Ndoshta kanë arsye taktike, por strategjikisht i kanë dhënë armën më të fortë kreut të mazhorancës.
Kjo ka krijuar një front politik që thotë: pa e rrëzuar Edi Ramën, le të mos futemi në BE. Imagjinoni fushatën elektorale ku kreu i qeverisë, politikani më i aftë për këto gjëra, do t’i marrë para të gjithë këta faktorë.
Në këto kushte, a do të krijohet një LSI e re? Ndoshta do të dalë ndonjë partiçkë, por si variant i vitit 2004. Megjithatë, kemi kohë për spektaklin, i cili sapo ka nisur. Fakti është se flamingot, maskat apo shamitë e islamit politik e kanë humbur skenën, dhe drita e saj është ndezur brenda mazhorancës. Spektakli sapo ka filluar.
Burimi: shqiptarja.com










