Më 22 Nëntor 2026 u mbushën 63 vjet nga vrasja e Presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kennedy.
Vrasja e Kenedit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, me ndikim të madh jo vetëm në historinë e SHBA-ve, por në tërë botën. Ajo ka përcaktuar drejtimin e zhvillimeve politike, ekonomike e sociale të viteve 1960-70 dhe më vonë.
Gjurmët e vrasjes në Dallas i gjejmë edhe sot në zgjedhjet presidenciale në SHBA, përfshirë tentativat për vrasjen e Donald Trump. Çdo zhvillim i rëndësishëm në politikën amerikane dhe mekanizmat mbi të cilët ajo funksionon, kanë sado pak në to vrasjen në Dallas dhe skandalin e Watergate.
Komisioni Warren dhe konkluzioni zyrtar
Për të zbardhur vrasjen e Presidentit Kenedi u ngrit një komision i posaçëm i Kongresit, i njohur me emrin Komisioni Warren, me objektiv hetimin e fakteve dhe provave dhe paraqitjen e versionit zyrtar për atentatin. Komisioni mori emrin e Earl Warren, Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe kryesuesit të Komisionit. Ai përbëhej nga 5 kongresmenë të shquar të të dy krahëve të politikës amerikane, Richard Russell, John McCoy, Gerald Ford, Sherman Cooper, Hale Boggs, dhe si këshilltar kishte ish-Drejtorin e CIA-s, Alan Dulles, shkarkuar nga Kenedi pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave.
Raporti i Komisionit iu paraqit Presidentit të SHBA-së, Lyndon Johnson, më 24 Shtator 1964 dhe konkludonte se vrasësi Lee Harvey Oswald veproi i vetëm dhe pa përkrahje. Për të mbështetur këtë tezë u organizua një operacion i madh në shtyp dhe TV, duke angazhuar disa nga gazetarët më të shquar të kohës, përfshirë Walter Cronkite.
Që në fillim konkluzioni i komisionit u prit me skepticizëm, por faktet dhe dokumentet që u zbuluan më vonë e bënë atë shumë të diskutueshëm. Në qarqet jozyrtare, historianë, gazetarë, njerëz të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë, të cilët ndër vite e kanë hetuar këtë ngjarje, prevalon mendimi që Komisioni Warren ishte një aleancë politike për të fshehur të vërtetën e vrasjes së Presidentit Kennedy. (1)
Gjyqi i Clay Shaw
Në vitin 1967, Prokurori i New Orleans, Jim Garrison, arrestoi biznesmenin Clay Shaw dhe e akuzoi se në bashkëpunim me Lee Harvey Oswald, David Ferrie, kontingjente të CIA-s e emigrantë kubanë, kishin komplotuar dhe vrarë Presidentin Kenedi. (2)
Clay Shaw u gjykua në vitin 1969 dhe megjithëse Gjykata pranoi ekzistencën e konspiracionit për të vrarë Presidentin Kennedy, ai u shpall i pafajshëm. Prokurori Jim Garrison nuk mundi të vërtetojë në mënyrë të qartë dhe të pamohueshme lidhjet e Clay Shaw me CIA-n. (3)
Disa vite më vonë, në 1978, Victor Marchetti, ndihmës i Richard Helms, Drejtor i CIA-s, publikoi në revistën The Spotlight një shkrim me titull: CIA të pranojë përfshirjen e Hunt në vrasjen e Kenedit në Dallas. Sipas tij, Howard Hunt (arrestuar në vitin 1972 në ndërhyrjen në hotelin Watergate) më 22 Nëntor 1963 ishte në Dallas, në sheshin ku u vra Kenedi. Hunt, në dëshminë që kishte dhënë para Komisionit Warren, e kishte mohuar kategorikisht që kishte qenë në Dallas më 22 Nëntor 1963.
Në gjyqin që Hunt hapi kundër Marchetti në vitin 1984, deponoi edhe ish-Drejtori i CIA-s, Richard Helms. Gjatë deponimit ai pranoi që Clay Shaw ishte bashkëpunëtor i CIA-s, fakt që e kishte konfirmuar edhe në dëshminë që Helms kishte dhënë në një tjetër gjyq të ngjashëm të Hunt kundër gazetarit Weberman në vitin 1979. Clay Shaw ndërkohë kishte ndërruar jetë 10 vjet më parë, në vitin 1974. (4)
Komisioni i Senatit (1976–1979)
Faktet dhe dokumentet që u zbuluan në dhjetëvjeçarin e parë pas vrasjes së Presidentit Kenedi nxitën shumë zëra për nevojën e një hetimi të ri. Teoria e vrasësit të vetëm ishte pak ose aspak bindëse për opinionin publik, pavarësisht se në mbrojtje të saj ishin ngritur dhe kishin shkruar shumë njerëz të shquar të politikës, drejtësisë dhe medias.
I ndodhur para presionit në rritje, Senati i SHBA-ve në vitin 1976 miratoi Rezolutën 1540 dhe më 15 Shtator 1976 u ngrit Komisioni i Posaçëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara (Komisioni Schweiker, sipas senatorit që e kryesonte) për të hetuar vrasjet e John Kenedit në vitin 1963 dhe Dr. Martin Luther King Jr. në vitin 1968.
Hetimet e Komisionit u mbyllën më 3 Janar 1979, kur u paraqit raporti përfundimtar. Konkluzioni i Komisionit ishte që “Kenedi ndoshta ishte vrarë si rezultat i një konspiracioni, por Komisioni nuk ishte në gjendje të identifikonte qitësit e tjerë dhe madhësinë e konspiracionit”. (5)
Komisioni gjithashtu deklaroi se në konspiracion nuk janë të përfshira Qeveritë e Kubës, BRSS, FBI, CIA, grupet anti-Castro apo grupe të krimit të organizuar.
Pas arritjes në këtë përfundim, me të drejtë ngrihet pyetja: nëse nuk e kanë vrarë këta, kush tjetër mbetet të ketë mundësinë dhe mjetet për të vrarë Presidentin Kenedi?
Për vrasjen e Presidentit Kenedi janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, ese dhe raporte, janë bërë filma dhe dokumentarë. Shumica e autorëve e drejtojnë gishtin te Deep State i SHBA-së, që nënkupton korporatat, industrinë ushtarake, Pentagonin, CIA-n, FBI-në dhe Shërbimin e Sigurisë që ruante Presidentin Kenedi. Për këtë qëllim, thonë autorët e ndryshëm, u përdorën grupet anti-Castro në Miami, si dhe Mafia. (6)
Më poshtë, nga autorë të ndryshëm, janë përmbledhur ngjarjet që përcaktuan fatin politik të Presidentit Kenedi, si dhe aktorët që mund të kenë qenë përfshirë dhe që mund të kishin interesa në këtë vrasje:
a) Zbarkimi në Gjirin e Derrave në Kubë
Industria ushtarake është kontribuesja dhe punëdhënësja më e madhe e ekonomisë amerikane. Konfliktet nëpër botë dhe prodhimi i armëve të reja janë ushqimi i saj kryesor. Pa luftëra nuk ka prodhim armësh, nuk ka fitime dhe rrezikohen investimet e jashtëzakonshme në këtë sektor.
Në vitin 1959, nën drejtimin e Zv/Presidentit Nixon, po përgatitej plani për të ndërhyrë në Kubë dhe rrëzuar Fidel Kastron. Plani parashikonte ndërhyrjen në Gjirin e Derrave të rreth 1400 kubanezëve anti-Castro të stërvitur nga CIA. Ata formonin brigadën 2506. Sapo desantët të zbarkonin në tokë, ata do të mbështeteshin nga aviacioni amerikan me tre valë goditjesh ndaj trupave dhe objekteve të ushtrisë kubane.
Nixon i humbi zgjedhjet e vitit 1960 dhe Kenedi u bë President. Sapo ai mori detyrën, CIA i paraqiti planin e ndërhyrjes në Gjirin e Derrave. Kenedi e miratoi, por pa qenë i qartë plotësisht për shkallën e angazhimit amerikan. Një nga planifikuesit dhe drejtuesit më kryesorë të ndërhyrjes në Gjirin e Derrave ishte Howard Hunt, eksponent i CIA-s, i cili vite më vonë drejtoi ndërhyrjen në hotelin Watergate, në zyrat e Partisë Demokratike.
Ndërhyrja në Gjirin e Derrave u realizua në Prill të vitit 1961. Trupat emigrante kubane zbarkuan në tokë dhe kërkuan mbështetje nga ajri nga ushtria amerikane.
Ligjet e SHBA-ve dhe ato ndërkombëtare nuk e lejonin Kenedin të ndërhynte në Kubë pa miratimin e Kongresit. Pavarësisht kësaj, Pentagoni dhe CIA dëshironin të ndërhynin me trupa tokësore dhe ta pushtonin Kubën.
Kenedi kuptoi që kishte rënë në kurth. I gjendur në një rrugë pa krye, ai mbështeti zbarkimin formalisht nga ajri me numër shumë të reduktuar avionësh dhe kreu vetëm një sulm ajror. Ai refuzoi të angazhonte trupat tokësore.
Operacioni në Gjirin e Derrave rezultoi një katastrofë e vërtetë. 200 kubanezë u vranë dhe rreth 1100 u kapën rob. Të tjerët ikën nga sytë këmbët.
Ngurrimi i Kenedit në Gjirin e Derrave binte ndesh me premtimin e bërë gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, ku ai ishte shprehur që do të mbante qëndrim të ashpër ndaj Kubës dhe do ta zgjidhte përfundimisht çështjen e saj. Drejtuesit e ushtrisë, CIA-s dhe emigracioni kubanez në Miami e konsideruan qëndrimin e Presidentit gjatë zbarkimit në Gjirin e Derrave tradhti dhe ajo shënoi çarjen e parë të madhe midis tyre.
b) Kriza e raketave në Kubë
Në Tetor të vitit 1962, amerikanët zbuluan nëpërmjet fotografive të bëra nga aeroplanët U2, se në përgjigje të dislokimit të raketave amerikane në Itali dhe Turqi, sovjetikët kishin dislokuar raketa në Kubë, të afta të godisnin dhe shkatërronin çdo qytet të SHBA-së.
Ky zhvillim kaq dramatik erdhi në kohën kur Kenedi dhe rrethi i tij i ngushtë po bisedonin me sovjetikët për të nënshkruar traktatin e ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore, si dhe çtensionimin e marrëdhënieve amerikano-sovjetike.
Departamenti i Mbrojtjes dhe Pentagoni kërkuan goditjen e Kubës dhe pushtimin e saj me çdo çmim.
Kenedi i druhej fillimit të Luftës së Tretë Botërore, e cila do të ishte nukleare dhe mund të çonte në fundin e civilizimit. Përgjegjësia ishte e madhe dhe si kundërpërgjigje të parë ai urdhëroi bllokimin e hapësirës detare të Kubës. Sovjetikëve iu kërkua të hiqnin urgjent raketat nga Kuba.
Poshtë asaj që dukej, midis amerikanëve dhe sovjetikëve u vendosën kontakte të shumta dhe u zhvilluan bisedime me ndërmjetës të tretë, ku i përfshirë ishte edhe Robert Kenedi, vëllai i Presidentit Kenedi.
Disa historianë janë të mendimit se Hrushovi u paralajmërua nga vëllai i Presidentit që nëse ai nuk tërheq raketat, ushtarakët amerikanë mund të organizojnë grusht shteti për të rrëzuar Presidentin Kenedi dhe lufta do të ishte e pashmangshme.
Pas dy javësh tensioni të jashtëzakonshëm, sovjetikët vendosën të tërheqin raketat nga Kuba. Si kompensim, Kenedi deklaroi që nuk do ta pushtojë Kubën në asnjë rast dhe tërhoqi disa raketa nga Turqia.
Zemërimi i ushtarakëve amerikanë ishte i pashoq. Ata e konsideruan marrëveshjen të turpshme për SHBA-në dhe Kenedin si frikacak që po dobëson Amerikën, forcon sovjetikët dhe komunizmin global.
c) Lufta në Vietnamin e Jugut
Në Janar të vitit 1961, kur Kenedi erdhi në pushtet, situata në Vietnamin e Jugut ishte shumë e trazuar, me luftime të ashpra me forcat e Vietnamit të Veriut të mbështetura nga BRSS dhe Kina.
Amerikanët kishin në terren rreth 20 mijë këshilltarë ushtarakë, të cilët këshillonin ushtrinë dhe qeverinë e atij vendi. Pentagoni, CIA dhe Departamenti i Mbrojtjes insistonin të ndërhynin me trupa tokësore në Vietnamin e Jugut, sepse vetëm kështu, sipas tyre, mund të pengohej përhapja e komunizmit në Azinë Juglindore.
Kenedi kishte tjetër mendim: nuk deshi të rriste angazhimin ushtarak në Vietnamin e Jugut. Ai dëshironte paqe kudo në botë.
Më 5 Tetor 1963, më pak se dy muaj para se të vritej në Dallas, Kenedi nënshkroi dekretin për tërheqjen dhe kthimin në shtëpi, deri në fund të vitit 1965, të gjithë këshilltarëve amerikanë nga Vietnami i Jugut. 1000 këshilltarët e parë do të tërhiqeshin deri në fund të Dhjetorit të vitit 1963.
Politika e re ndaj Vietnamit të Jugut i tërboi ushtarakët amerikanë, Pentagonin, CIA-n dhe industrinë e luftës. Ajo u bë edhe gozhda e fundit në arkivolin e Kenedit.
Më 22 Nëntor 1963, pas më pak se dy muajsh nga ky vendim, Kenedi u vra në Dallas. Më 26 Nëntor 1963, katër ditë pas vrasjes së Kenedit, Presidenti i sapoemëruar Johnson, që e zëvendësoi Kenedin, anuloi vendimin e mësipërm dhe gradualisht dërgoi rreth 500 mijë trupa tokësore në Vietnamin e Jugut.
d) Marrëdhëniet me CIA-n
Raportet e Kenedit me CIA-n, megjithëse ajo e ndihmoi të fitojë zgjedhjet e vitit 1960, u përkeqësuan që në muajt e parë të pushtetit për shkak të ngjarjeve në Gjirin e Derrave. Kenedi krijoi mendimin që CIA e futi në një aventurë që dihej se do të dështonte, në mënyrë që më pas të ndërhyhej ushtarakisht në Kubë.
Pas dështimit në Gjirin e Derrave, Kenedi shkarkoi Drejtorin e CIA-s, Alan Dulles, Zv/Drejtorin Charles Cabell dhe Drejtorin e operacioneve klandestine Richard Bissell. Në një bisedë me vëllain e tij Robert, Presidenti Kenedi u shpreh se do ta griste CIA-n si letër në një milion copa dhe do t’i hidhte ato nga dritarja.
Shpejt ai reduktoi kompetencat e CIA-s dhe zvogëloi buxhetin e Agjencisë me 25%. Këto vendime ngulën gozhdën e parë në arkivolin e Kenedit. Pas vrasjes së Kenedit, Alan Dulles u caktua këshilltar i Komisionit Warren. Shumë historianë janë të mendimit që ai u caktua këshilltar në Komision për të fshehur të vërtetën dhe jo për ta zbuluar atë.
e) Marrëdhëniet me FBI-në
Në rrethet politike të Washingtonit ishte e njohur urrejtja e John Edgar Hoover, Drejtorit legjendar të FBI-së, për vëllezërit Kenedi. Me ardhjen në pushtet, Kenedi deshi ta zëvendësonte Hoover, por ngurroi ta bënte. Ai i frikësohej dosjeve që Hoover mund të kishte dhe të bënte publike për lidhjet e tij me femrat dhe Mafian.
Marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave dhe krizës së raketave, pasi Kenedi mendonte që Hoover nuk ndante me të informacione të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
Hoover ishte tepër i fuqishëm dhe i frikshëm për politikën në Washington. Kur Johnson mori presidencën, një mik i tij e pyeti: Përse nuk e shkarkon Hooverin? Ai jo vetëm që ka 40 vjet në krye të FBI-së, por ka nga një dosje për secilin prej nesh dhe na bën shantazh kur i duhet.
Johnson, pasi e dëgjoi, iu përgjigj: Është më mirë ta mbajmë brenda e të pështyjë jashtë, sesa ta lëmë jashtë e të na pështyjë brenda.
Asnjë nga 8 Presidentët me të cilët Hoover punoi nuk guxoi ta prekë. Ai qëndroi në krye të BOI, paraardhëses së FBI-së, p
Burimi: shqiptarja.com










