Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Veliaj e merr Elisën me vete, Leka thotë se interesat e tyre u prishën

Veliaj e merr Elisën me vete, Leka thotë se interesat e tyre u prishën
Foto: abcnews.al

Erion Veliaj tentoi të prishë Asamblenë Socialiste në Gjirin e Lalëzit, por brenda një ore u gjend jashtë politikës. Edi Rama e shkarkoi nga drejtimi politik i Tiranës, pasi Veliaj tentoi të imponojë një mocion kundër tij nga burgu. Efekti i vetëm politik i Veliajt sot ishte ftesa që mori nga Sali Berisha, i cili e ftoi të bashkohet në një aleancë politike kundër Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.

Analisti: një lëvizje për të shmangur akuzat penale

Analisti i njohur, Martin Leka, i ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se Veliaj hodhi gurin e tij të fundit, në përpjekje për të anashkaluar akuzat penale të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) duke i paraqitur ato si akuza politike.

“Mendoj se nuk ishte letra e fundit, e cila kërkonte disa masa, mes tjerash mocionin për shkarkimin e Edi Ramës. Ai po përdor gurin e tij të fundit për të anashkaluar akuzat e veta juridike të SPAK për t’i devijuar ato në akuza politike. Për ta trajtuar Veliajn si një të burgosur politik duhet mund dhe djersë e madhe dhe duhet të fantazosh gjëra nga më të çuditshmet”, tha ai.

Spiropali dhe Veliaj sipas Lekës

Leka theksoi se Elisa Spiropali dhe Erion Veliaj kanë hyrë në Partinë Socialiste pa asnjë kontribut të dukshëm dhe kanë përfituar prej saj pushtet dhe ofiqe të tjera. Ai përmendi shembullin e Spiropalit, e cila, sipas tij, sapo u hoq nga detyra e ministres së Jashtme filloi të sulmonte Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

“PS është e ndarë në dy pjesë, është partia e socialistëve dhe partia e shokëve të Edi Ramës. Si Spiropali, si Veliaj, nuk i janë bashkuar PS. Iu ka pëlqyer pushteti, morën pushtet, morën poste, morën dhe para dhe shumë privilegje të tjera, dhe pasi iu ikën të gjithë këto interesa… dhe menjëherë pasi u shkarkua nga ministre e Jashtme filloi të ngrinte shkelmat ndaj Edi Ramës dhe ndaj PS. Ky është një diversion i madh që e bën Sali Berisha, por duke bërë këtë diversion u jep edhe një shtysë tjetër, përveç shtysës së tyre që kanë marrë tatëpjetën”, tha ai.

Caktimi i Koçiut dhe Demos për Tiranën

Gjatë diskutimit Leka analizoi edhe caktimin e Albana Koçiut dhe Ervin Demos si drejtues politikë për Tiranën.

Sipas tij, kjo është një lëvizje e zgjuar, dhe nuk përjashtohet që Partia Socialiste të nxjerrë Ervin Demon si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Në këto kushte, sipas tij, Demo mund të konsiderohet kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.

“Janë dy figura që të imponojnë respekt institucional dhe njerëzor. Mendoj se dalja në skenë e këtyre do të thotë një konsolidim i pozitës aktuale të zv.kryeministres dhe i një kandidature të mundshme të z. Demo për Tiranën.

Sulmi që i bën Berisha Demos duhet parë më shumë si një shenjë se ai konsiderohet kandidat potencial për Bashkinë e Tiranës. Nëse është kandidat i Bashkisë së Tiranës, mund ta quajmë që sot kryetar i Bashkisë. Berisha e ka humbur Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera”, tha ai.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha