Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Sulmet ruse në Ukrainë lënë 2 të vdekur dhe 73 të plagosur; drejt Moldavisë fluturon dron rus

Sulmet ruse në Ukrainë lënë 2 të vdekur dhe 73 të plagosur; drejt Moldavisë fluturon dron rus
Foto: shqiptarja.com

Dy persona u vranë dhe 73 të tjerë u plagosën, ndër ta 9 fëmijë, nga një sulm rus me dronë mbrëmjen e kaluar në Kryvyi Rih, vendlindjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Mediat e huaja raportojnë se një sulm tjetër rus në qytetin e Zaporizhias plagosi tre persona, mes tyre dy fëmijë.

Dëmtime në Kiev dhe një incident në Moldavi

Në lagjen Vyshgorod të Kievit, një ndërtesë pesëkatëshe u dëmtua nga një sulm me dron rus. Pas goditjes shpërtheu zjarr, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën evakuimin e banorëve.

Ministria e Mbrojtjes së Moldavisë konfirmoi se një dron e shkeli dy herë hapësirën ajrore të vendit, në orën 11:20 dhe 11:31, duke ardhur nga territori ukrainas. Në të dyja rastet, droni u largua pas pak minutash.

Droni hyri për herë të parë në hapësirën ajrore të Moldavisë në orën 11:20 të mëngjesit të së shtunës, 21 nëntor, duke udhëtuar nga fshati ukrainas Troitske drejt fshatit Purcari. Pesë minuta më vonë, u largua nga hapësira ajrore moldave dhe u kthye drejt Troitske. Në orën 11:31 kaloi përsëri kufirin, nga Troitske drejt Purcari, dhe u largua prapë një minutë më vonë.

Falënderimi i Zelensky për armëpushimin në Oleshky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi Zonjën e Parë të SHBA-së, Melania Trump, për rolin e saj në arritjen e armëpushimit në Oleshky, i cili mundësoi evakuimin e civilëve nga zona.

“Jemi mirënjohës ndaj Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, për Oleshky-n, për ndihmën në zhbllokimin dhe evakuimin e njerëzve tanë.
Diskutuam me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykhailo Drapatyi, listën e vendbanimeve ku mund të kryhen operacione të ngjashme humanitare dhe e miratuam atë sot. Patëm një diskutim të detajuar rreth numrit të njerëzve që mund të evakuojmë dhe punës që kemi bërë deri më tani”, shkroi Zelensky në një postim në rrjetin social ‘X’.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha