Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se komunizmi dhe Vëllazëria Myslimane përbëjnë të dyja rrezik serioz, por sipas tij kjo e fundit mund të jetë kërcënimi më i madh në këtë moment.
Në një intervistë me gazetarin amerikan Hugh Hewitt, të botuar më 12 nëntor, Trump u pyet se cili prej këtyre dy grupimeve paraqet rrezikun më të madh.
Ai u përgjigj se të dyja janë të rrezikshme, por theksoi se Vëllazëria Myslimane po fiton gjithnjë e më shumë terren.
“Unë mendoj se të dyja janë shumë të rrezikshme. Për momentin, mendoj se Vëllazëria Myslimane mund të jetë më e rrezikshme. Duket se po bëhet më në modë”, deklaroi Trump.
Trump: Veprimtaria e Vëllazërisë Myslimane duhet ndalur
Gjatë intervistës, presidenti amerikan tha se veprimtaria e kësaj lëvizjeje duhet të ndalet.
“Ata duhet të – nëse përdorim një fjalë më të butë – neutralizohen, sepse po veprojnë dhe janë të çmendur”, u shpreh ai.
Trump tha gjithashtu se qëndrimi i tij për këtë çështje ka ndryshuar me kalimin e kohës, duke theksuar se pesë vjet më parë do të kishte dhënë një përgjigje tjetër.
Kritika ndaj administratave të mëparshme
Ai kritikoi edhe administratat e mëparshme amerikane, duke pretenduar se ato nuk e kanë trajtuar këtë çështje dhe se përgjegjësia për t’u përballur me të i ka mbetur administratës së tij.
Burimi: insajderi.org









