Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Studentët zbulojnë mungesat e planprogrameve dhe nisin një lëvizje me pedagogët

Studentët zbulojnë mungesat e planprogrameve dhe nisin një lëvizje me pedagogët
Foto: euronews.al

Studentët po i japin një dimension të ri organizimit të tyre, duke nisur ngritjen e forumeve të përbashkëta të diskutimit me pedagogët në çdo fakultet. Detajet lidhur me planin e ri të lëvizjes studentore i ka bërë me dije Mateo Yskollari, student i vitit të dytë Master për Inxhinieri Informatike në Universitetin Politeknik. Ai konfirmoi se vetëm pak ditë më parë është zhvilluar një nga këto forume në fakultetin e tij, me qëllim përcaktimin e formës më të duhur të organizimit dhe kanalizimin e rezistencës së tyre drejt një ndryshimi sistemik.

Lëvizja e hapur për çdo qytetar

Gjatë fjalës së tij, Yskollari nënvizoi se kjo lëvizje është e hapur për çdo qytetar që kërkon dinjitet, por refuzon ndërhyrjen apo shfrytëzimin nga elita e vjetër politike.

“Do duhet ta përdorim momentin e veçantë që ka Shqipëria për t’u bashkuar për atë që duam dhe për atë që kemi dalë të kërkojmë, që është dinjiteti mbi të gjitha.

Por nga ana tjetër, ne si studentë, të cilët padyshim jemi në një moment organizimi të brendshëm, do ta kemi dorën e shtrirë ndaj çdo qytetari që kërkon dinjitet në vendin e vet, por nuk mund të pranojmë edhe një herë elitën e vjetëruar politike, e cila ka qenë ajo që na ka nxjerrë prej 160 ditësh në këtë shesh.

Pa asnjë parti politike në shesh

Unë aty nuk kam dalë për parti! Në atë shesh studentët nuk kanë dalë t’i bëjnë miting asnjë partie politike, që të jemi të qartë! Kemi dalë për kërkesat tona dhe për mllefin e grumbulluar prej kaq shumë kohësh në fyt të çdo qytetari shqiptar, i cili minimalisht nuk jeton në vendin e vet ashtu siç do duhet të jetonte çdo qytetar evropian, kudo që ndodhet.

Patjetër që nëse studentët do ta shohin të arsyeshme që të organizohen më mirë, do të gjejnë edhe mundësitë për të krijuar gjuhën e komunikimit me çdo grup interesi.

Forumet student-pedagog

Ajo që mund të them momentalisht, sepse janë gjëra që ndodhen në organizimin tonë të brendshëm dhe nuk duhet t’i referohen mediatikisht në këto momente, është që studentët në çdo fakultet janë duke u organizuar, janë duke krijuar forume diskutimi midis tyre dhe patjetër edhe me pedagogët e tyre, pra forumi student-pedagog në çdo fakultet.

Po, mund të them që vetëm para dy ditësh në fakultetin tim është zhvilluar një prej këtyre forumeve, ku po diskutojmë mbi formën e duhur të organizimit dhe se si mund ta kanalizojmë të gjithë këtë lëvizje, që është tashmë prej disa ditësh në atë shesh, në diçka që do të ishte zgjidhja më e duhur për të ndryshuar sistemin që kemi dalë të kundërshtojmë dhe që nuk e pëlqejmë”, u shpreh studenti Yskollari.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha