Avokati Caca tha se Elisa Spiropali ka kontribuar për forcimin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama, dhe sipas tij, ajo nuk mund të dalë kundër tij në një moment kur janë prishur interesat e tij personale. Ndërkohë, Arsejda Gjyli tha se Spiropali nuk mund të krijonte dot një lëvizje të përmasave të tilla sa të rrezikonte kryeministrin Rama.
Në studion e emisionit “Repolitix” me gazetarin Denis Minga në Report TV u diskutua reagimi i Elisa Spiropalit pas përjashtimit të saj nga Grupi Parlamentar i PS, ku ajo i kërkoi kryeministrit Edi Rama të ndryshojë modelin e qeverisjes ose të ikë.
Vlerësimi i Arsejda Gjylit
Pedagogia Arsejda Gjyli tha se Spiropali sot paraqiti disa pretendime, si për reformën zgjedhore apo për hapjen e partisë, që në thelb, sipas saj, janë të qenësishme.
“Mua sot Spiropali nuk m’u duk drejtpërsëdrejti me platformë. Pra nuk erdhi me platformën që ajo propozoi në kohën e flamingove. Por ajo erdhi me disa pretendime që në thelb parimisht janë të qenësishme. Në termat e reformës zgjedhore, të ndryshimeve që duhet të bëhen. Të ligjeve adekuate, të mbajtjes së konsideratë të një hapjeje të partisë. Tejkalimin ndoshta të asaj linjës së ngurtë të monopolizimit edhe të vetë pushtetit, që patjetër që është në dëm edhe të vetë partive politike. Duhet thënë që janë disa kritere të përgjithshme që Spiropali pretendoi dhe përmendi në linjën që ajo tanimë po ndjek”, tha mes të tjerash Gjyli.
Sipas Gjylit, reagimi i Spiropalit dukej më shumë si një reagim reaksionar ndaj përjashtimit nga partia, por edhe ndaj sulmeve që, sipas saj, ajo pretendon se ka pësuar ndaj bizneseve të familjes së saj. Ajo nuk e sheh Spiropalin të aftë të krijojë një lëvizje të gjerë kundër pushtetit të Edi Ramës.
“Por nuk duket se ka ardhur me pretendimin e asaj që kishte ngritur si platformë (ajo e Shqipërisë së re), por sot ajo vjen me një reagim. Dhe mua m’u duk më shumë reagim reaksionar si rrjedhojë e përjashtimit, por mbase edhe sulmeve që ajo pretendon se ka pasur ndaj bizneseve apo subjekteve personale që drejton të familjes së saj. Nuk gjykoj që Spiropali mund të krijojë një lëvizje. Përsa kohë që s’ka ndodhur me Veliajn, nuk gjykoj se mund të ndodhë me Spiropalin. Për mënyrën sesi është ndërtuar realiteti politik në Shqipëri, do një guxim të veçantë. Unë nuk e di nga ku Spiropali e ka marrë këtë garanci, ose mbrojtjen për të dalë kundër liderit të saj politik, që për 17 vite nuk ka patur zgjedhje brenda partisë. Sot ka ardhur momenti i konkurrencës për Kryesinë. Fjalimi i Spiropalit është një akt i mirëfilltë politik”, shtoi Gjyli.
Krahasimi i avokat Cacës
Avokati Përparim Caca e krahasoi “lëvizjen” e Spiropalit me atë të Ervin Salianjit brenda PD-së. Sipas tij, mesazhet e dhëna sot gjatë konferencës për mediat tregojnë se Spiropali synon të sfidojë kryeministrin Edi Rama, qoftë edhe duke garuar për kryetare të Partisë Socialiste.
“Mua më duket më shumë si lëvizja e Salianjit. Nëse lëvizja brenda PS-së, që për mendimin tim ka qenë ndër më të respektuarat, ka qenë LMN-ja e famshme e asaj kohe. Kishte personazhe të rëndësishëm. Unë e pashë si një reagim faktikisht të Spiropalit, duke kaluar nga një status që kishte ‘e pakënaqur’ brenda partisë, me platforma të caktuara parimore, në një person që tashmë dha 2 mesazhe të rëndësishme. E para është që ‘Rama të ndryshojë modelin e qeverisjes ose të ikë’. Pra kemi një monito drejtpërdrejtë për Ramën. Dhe e dyta në thonjza është që duket sikur tashmë kërkon të sfidojë Ramën, qoftë edhe duke garuar për kryetar të Partisë Socialiste. Sesa do jetë e mundur, kjo është për t’u parë”, tha mes të tjerash Caca.
Caca tha gjithashtu se edhe nëse tezat e Spiropalit janë të drejta, ato nuk mund të legjitimohen, pasi, sipas tij, ajo vetë ka punuar për forcimin e pushtetit të Edi Ramës, të cilin, sipas Cacës, Spiropali deri para pak kohësh e quante “Skënderbe”.
“Unë jam kundër heroizimit që u bëhet këtyre personazheve. Tani Spiropali. Ajo zonja aty nuk legjitimohet absolutisht edhe në ato platforma. Spiropali ka dalë në Sheshin Skënderbej dhe ka thënë ‘ky Skënderbeu këtu’. Këtë lloj mitizimi ti e ke bërë vetë. Ti ke kontribuar që ky lider të jetë në këto përmasa. Kur ti humb shpresat që ai nuk është më mbrojtësi yt, është një person shumë i përkëdhelur Spiropali në PS. Pse pikërisht në këtë moment. Unë jam shumë i kënaqur që ka këto lëvizje brenda PS-së. Absolutisht, jo vetëm nga Spiropali, por edhe nga të tjerë që mund t’i bashkohen Spiropalit”, shtoi Caca.
Burimi: shqiptarja.com










