Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar hollësi për kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë, pas pyetjeve të shumta që, sipas këtij institucioni, kanë pranuar nga publiku ditëve të fundit.
Në një njoftim, Specialja ka bërë të ditur se kushtet në paraburgim janë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për trajtimin e personave të privuar nga liria, duke theksuar se garantohet respektimi i dinjitetit njerëzor dhe ndalohet çdo formë diskriminimi.
Aktivitetet dhe jeta e përditshme
Sipas njoftimit, të paraburgosurit kanë mundësi të dalin çdo ditë në ajër të pastër, të merren me aktivitete fizike dhe të luajnë sporte të ndryshme, përfshirë tenis dhe futboll.
Ata mund të angazhohen edhe në kopshtari, pikturë dhe gatim, si dhe të kalojnë kohë me të paraburgosurit e tjerë. Po ashtu, u ofrohet qasje në shërbime fetare, libra, revista, gazeta, programe televizive e radiofonike në gjuhën shqipe dhe mësime të gjuhëve të huaja.
Specialja ka bërë të ditur se të paraburgosurve u shërbehen tri vakte në ditë, ndërsa ata që dëshirojnë mund ta përgatisin vetë ushqimin në hapësirat e pajisura për gatim. Gjithashtu, kanë mundësi të blejnë produkte ushqimore nga furnizues të jashtëm.
Financat dhe kontaktet familjare
Sa i përket financave, institucioni ka sqaruar se të paraburgosurit nuk lejohen të mbajnë para të gatshme, por secili prej tyre ka një llogari personale kredie, në të cilën mund të depozitohen mjete për blerjen e produkteve të ndryshme.
Në pjesën që lidhet me kontaktet familjare, Specialja ka bërë të ditur se secili i paraburgosur ka në dispozicion dhjetë ditë në muaj për vizita nga familjarët dhe miqtë. Komunikimi mund të bëhet edhe përmes telefonatave, letrave dhe videolidhjeve.
Sipas njoftimit, të paraburgosurit kanë gjithashtu mundësi për vizita private me bashkëshortet dhe fëmijët, pa qenë nën shikimin apo dëgjimin e zyrtarëve të paraburgimit.
Shëndetësia dhe mbikëqyrja
Për kujdesin shëndetësor, Dhomat e Specializuara pretendojnë se standardet mjekësore në objektin e paraburgimit përmbushin ose tejkalojnë ato që janë përgjithësisht të disponueshme për qytetarët në Holandë.
Specialja ka përmendur edhe mekanizmat e mbikëqyrjes së kushteve në paraburgim. Sipas saj, Rregullorja e Paraburgimit është hartuar në konsultim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili ka të drejtë të kryejë inspektime të rregullta, të pavarura dhe të paparalajmëruara.
Përveç KNKK-së, mbikëqyrjen e bën edhe Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, i cili, sipas institucionit, ka realizuar 12 vizita. E fundit është zhvilluar në tetor të vitit 2026.
Të paraburgosurit kanë të drejtë të paraqesin ankesa te shefi i paraburgimit, Avokati i Popullit apo KNKK-ja. Në rast se nuk janë të kënaqur me trajtimin e ankesës, ata mund t’i drejtohen Administratores dhe më pas një paneli gjykatësish.
Burimi: insajderi.org










