Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Referendumi në Zvicër lehtëson eksportin e armëve

Referendumi në Zvicër lehtëson eksportin e armëve
Foto: ata.gov.al

GJENEVË, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Votuesit zvicerianë miratuan lehtësimin e rregullave të rrepta të vendit për eksportin e armëve me 54,3% të votave, sipas rezultatit përfundimtar të njoftuar sot nga Zyra Federale e Statistikave.

Ndryshimi i rregullave për eksportin e armëve

Ky rezultat do të thotë se, në shumë raste, blerësit e pajisjeve ushtarake të prodhuara në Zvicër nuk do të kenë më nevojë për miratimin e Zvicrës për t’i transferuar ato në vende të tjera.

Aktualisht, legjislacioni zvicerian nuk lejon eksportin e armëve drejt vendeve të përfshira në konflikte të armatosura, krahas kufizimeve të tjera, pavarësisht nëse ato janë agresorë apo po mbrohen.

Kjo politikë kufizuese i tensionoi ndjeshëm marrëdhëniet me vende miqësore, si Gjermania, në fillim të luftës në Ukrainë, pasi Zvicra refuzoi t’u lejonte Gjermanisë dhe vendeve të tjera transferimin e pajisjeve ushtarake të blera në Zvicër.

Qeveria zvicerane ishte e shqetësuar për konkurrueshmërinë e industrisë së mbrojtjes së vendit, pasi shtetet miqësore po u drejtoheshin furnizuesve të tjerë për të blerë pajisjet e tyre ushtarake.

Ndalimi i fishekzjarrëve

Në një referendum të dytë, votuesit miratuan një ndalim gjithëpërfshirës të fishekzjarrëve, kundër dëshirës së qeverisë dhe parlamentit. Një nismë qytetare theksoi stresin dhe panikun që fishekzjarrët e zhurmshëm u shkaktojnë kafshëve shtëpiake dhe atyre të egra.

Sipas rezultateve përfundimtare, 59,8% e votuesve mbështetën ndalimin e fishekzjarrëve “që prodhojnë zhurmë”.

Ky ndalim do të vlejë kryesisht për individët privatë dhe pritet të hyjë në fuqi brenda dy viteve të ardhshme. Shfaqjet publike me fishekzjarrë gjatë festivaleve dhe Ditës Kombëtare të Zvicrës do të vazhdojnë të lejohen.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha