Sa i përket situatës së krijuar nga protestat e dhunshme gjatë tetë ditëve të fundit në Tiranë, zgjidhja nuk gjendet as në duart e Partisë Socialiste dhe as të Partisë Demokratike. Në analizën e tij për emisionin “Repolitix” në Report Tv, Kreshnik Spahiu vlerësoi se situata ka dalë jashtë kontrollit.
Demonstruesit janë plotësisht kundër establishmentit politik dhe nuk kanë lejuar as kryetarin e PD-së, Sali Berisha, të bashkohet me ta në bulevard, pavarësisht këmbënguljes së tij për t’i mbështetur.
Sipas juristit, zgjidhja ndodhet në duart e Shteteve të Bashkuara.
“Shqiptarët nuk kanë arritur kurrë ta zgjidhin vetë një krizë, sidomos të këtij niveli. Unë shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadorit të Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së që të ndërhyjnë dhe të bëhen garantë të marrëveshjeve historike për të ndaluar destabilizimin e Shqipërisë. Kjo për një arsye themelore: katër muaj protesta të zhvilluara në bulevard janë trajtuar nga mediat amerikane, britanike, gjermane, franceze dhe italiane si një revolucion anti-Trump. SHBA-ja ka një detyrim ndaj Shqipërisë për të rivendosur paqen. Këto protesta nisën ditën që zbriti Ivanka Trump në Shqipëri dhe për çështjen e Zvërnecit. Së dyti, në këtë u përfshinë shumë faktorë ndërkombëtarë e europianë, përfshirë edhe lindorë. Sot Shqipëria ndodhet në këtë situatë pikërisht për këtë arsye. Duhet të shpërblehet Shqipëria, jo qeveria. SHBA-ja dhe Brukseli duhet të dërgojnë një ndërmjetës ndërkombëtar dhe të organizojnë një tryezë”, përfundoi Spahiu.
Burimi: shqiptarja.com










