Juristi Kreshnik Spahiu ka folur për krijimin e partive të reja politike pas protestave, duke zbuluar emrat e 10 lëvizjeve që, sipas tij, kanë nisur procedurat për t’u kthyer në subjekte politike.
Spahiu zbulon emrat e lëvizjeve
I ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Frontline” në Report TV, Spahiu publikoi emrat e 10 partive që, sipas tij, kanë nisur procedurat për krijimin e partive të reja politike.
“Do ta jap votën për partinë e studentëve. Nuk do të krijohet një parti e vetme, por kanë filluar procedurat për krijimin e 10 partive. Kam publikuar fakte dhe emrat e partive. Në këto ditë, pas partisë shqiptare ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’, janë edhe Partia e Diasporës së Lirë, Partia Nacionaliste, Partia Islamiste, Lëvizja e Listës Studentore, Partia e Flamingove, Partia Ambientaliste e Gjelbër, Partia ‘Shqipëria e Re’, Partia e Intelektualëve dhe Forca Shqipëria. Aktualisht janë 10 lëvizje, të cilat kanë filluar procedurat për krijimin e 10 partive”, u shpreh Spahiu.
Sipas juristit krijimi i më shumë se 10 apo 20 partive opozitare nuk do të sjellë një rezultat tjetër, përveç forcimit të dyshes Rama-Berisha.
“Krijimi i më shumë se 10 apo 20 partive opozitare nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të forcojë edhe më shumë dyshen Rama-Berisha.”- tha Spahiu.
Spahiu: 5 arsye pse protestat e Shqipërisë s’do kenë rezultatet si protestat e Serbisë
Kreshnik Spahiu ka renditur gjithashtu arsyet se përse, sipas tij, protestat në Shqipëri nuk do të arrijnë të njëjtat rezultate si ato në Serbi.
Juristi veçoi si një nga dallimet kryesore mungesën e një subjekti të vetëm elektoral, ndryshe nga Serbia, ku studentët u organizuan në një listë të përbashkët dhe jo në disa parti të veçanta.
Spahiu evidentoi gjithashtu mungesën e një lideri që të marrë drejtimin e lëvizjes, paqartësinë rreth identitetit të saj si protestë studentore, faktin që protesta ka arritur kulmin dhe rënien e numrit të pjesëmarrësve.
“E para, protesta ka një meritë, pasi theu monopolin e dy partive të mëdha, por sipas meje ka arritur kulmin e saj, e ka mbyllur ciklin dhe tani po dëmton vetveten. E dyta, ndryshe nga Serbia, ku studentët nuk krijuan një parti të re, por një subjekt unik elektoral, në Shqipëri mungon një organizim i tillë politik. E treta, kjo lëvizje identifikohet si studentore, por jo të gjithë pjesëmarrësit janë studentë. E katërta, mungon një lider që të marrë drejtimin e lëvizjes përballë Ramës dhe Berishës. Nëse nuk kanë dinjitetin të nxjerrin një lider, atëherë pse protestojnë? E pesta, establishmenti nuk thyhet vetëm me protesta, tani ka ardhur momenti i produktit politik. Numri i protestuesve është reduktuar dhe me 1 mijë protestues nuk thyhet dot establishmenti”, u shpreh Spahiu.
Burimi: shqiptarja.com










