TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, ndërsa traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028.
Deklaratat në konferencën për shtyp
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Kos u pyet për afatin e mundshëm të anëtarësimit të Shqipërisë.
“Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh vërtet. Ky vit, nëse i marrim parasysh të gjithë elementët, do të jetë viti më i suksesshëm për sa i përket zgjerimit në 25 vitet e fundit. Zgjerimi i fundit ndodhi në vitin 2013 me Kroacinë. Me shpresë, po përmbyllim negociatat me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria”, tha Kos.
Kushtet e përparimit të negociatave
Komisionerja Kos deklaroi se në raportin e sivjetshëm është thënë “se Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave, nëse do të ketë rezultate të reformave dhe sigurisht në rast se shtetet anëtare do t’i japin dritën e gjelbër Shqipërisë”.
Sipas Kos, nëse këto kushte përmbushen, rreth kësaj kohe vitin e ardhshëm Shqipëria mund të jetë shumë pranë përfundimit të negociatave.
Hapat e mëtejshëm drejt traktatit
Komisionerja shpjegoi se pas mbylljes së kapitujve të negociatave, hapi i mëtejshëm do të jetë krijimi nga vendet anëtare i grupit të punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit.
“Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, tha Kos.
/e.i/a.f/
Burimi: ata.gov.al










