Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Zgjedhjet në SHBA: të rinjtë votojnë masivisht demokratët, Trump ndëshkohet

Zgjedhjet në SHBA: të rinjtë votojnë masivisht demokratët, Trump ndëshkohet
Foto: abcnews.al

Në emisionin “NewsRoom” në ABC News, gazetarja Keida Kostreci komentoi zgjedhjet e mesmandatit në SHBA dhe humbjen e republikanëve.

Kostreci u shpreh se, megjithëse zgjedhjet u përqendruan te shqetësimet e brendshme të amerikanëve, pakënaqësia e votuesve u ndikua edhe nga politika e jashtme e administratës Trump, veçanërisht nga konflikti në Iran.

Ajo theksoi se një tjetër element i rëndësishëm ishte mbështetja e madhe e të rinjve për kandidatët demokratë, duke e konsideruar këtë si një tregues të pakënaqësisë ndaj politikave të Donald Trump, por edhe të ndryshimit të retorikës politike.

Gazetarja nënvizoi gjithashtu se shqetësimet e qytetarëve luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet për Kongresin, pasi kandidatët duhet të përfaqësojnë interesat dhe problematikat konkrete të shteteve ku garojnë.

Strategjia e demokratëve pas zgjedhjeve

Sipas saj, demokratët patën sukses me strategjinë e ndjekur në zgjedhjet e mesmandatit, por tashmë përballen me sfidën e krijimit të një strategjie të përbashkët dhe të një mesazhi të unifikuar për të vijuar betejën politike dhe për të synuar rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.

“Këto zgjedhje vërtet u mbajtën mbi shqetësimet e brendshme amerikane, por ajo anë negative mes votuesve amerikanë u shkaktua nga një krizë e politikës së jashtme, nga konflikti në Iran. Por këto ditë kanë dalë të dhëna interesante se të rinjtë kanë shkuar në numra të mëdhenj për demokratët. Dhe kjo jo vetëm flet për pakënaqësitë ndaj politikave të Donald Trump, por tregon edhe një ndryshim, një kahje të retorikës. Po të shohim, disa nga këta kandidatë janë 40 vjeç dhe retorika e tyre është e distancuar nga retorika e ashpër. Dhe kur votohet për Kongresin në këto zgjedhje të mesmandatit, shqetësimet parësore të qytetarëve janë në pararojë, sepse përfaqësuesit flasin pikërisht në gjuhën e shtetit të tyre. Ndaj edhe cilësia e demokratëve është e ndryshme shtet pas shteti. Pra, për strategjinë e mesmandatit, demokratët patën sukses, por gjithashtu kjo do të thotë se duhet të dalin me një strategji dhe një unifikim për të vazhduar betejën e tyre dhe për të marrë Shtëpinë e Bardhë me një mesazh të unifikuar”, tha ajo.

/abcnews.al/

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha