TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Më 11 nëntor 1990 Shqipëria rifitoi lirinë fetare, një datë që ka hyrë në histori.
Atë ditë, në varrezat e Rrmajit në Shkodër, Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë të madhe publike, duke sfiduar dekadat e egra të diktaturës komuniste. Ngjarja shënoi rikthimin e lirisë fetare dhe qytetare në vend, duke i dhënë fund izolimit dhe ndalimit zyrtar të fesë që kishte zgjatur që nga viti 1967.
Guximi i besimtarëve në Shkodër
Guximi i Dom Simonit, i cili sapo kishte dalë nga burgjet e diktaturës, i klerikëve të tjerë dhe i mijëra besimtarëve që mbushën varrezat e qytetit, i dha goditjen e parë dhe vendimtare regjimit ateist. Përmes këtij rituali të shenjtë u hodhën themelet e një epoke të re shprese për të gjithë shqiptarët.
Xhamia e Plumbit rihapet për besimtarët
Prania e popullit në varrezat e Shkodrës u bë e papërmbajtshme. Më 16 nëntor 1990, besimtarët myslimanë shqiptarë e morën përsëri Xhaminë e Plumbit, simbol i fesë së tyre, që gjithashtu ishte ndaluar nga totalitarizmi komunist ateist.
Kjo ngjarje u kthye në simbol të fitores së lirisë dhe dinjitetit njerëzor mbi diktaturën, duke nderuar sakrificën e çdo besimtari që guxoi të ngrihej atë ditë. /j.p/

1 nga 2
Burimi: ata.gov.al










