Nga DASHNOR KALOÇI
Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45-të të OKB-së pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së. Kjo nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum me kryeministrin e asaj kohe, Mehmet Shehu.
Edhe pse kanë kaluar 36 vite, vizita mbetet e mbuluar me mister. Me përjashtim të disa dëshmive të pjesëtarëve të delegacionit (kujtimet e Reiz Mailes apo Lisen Bashkurtit) dhe pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, pak dihet për pjesëmarrjen e Ramiz Alisë në sesionin e 45-të, i cili zgjati rreth tre javë, deri në mesin e tetorit 1990.
Shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që e shoqëruan Ramiz Alinë dhe çfarë funksionesh mbanin? Sa persona përbënin stafin ndihmës? Çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve gjatë qëndrimit në SHBA, dhe a u realizua ai sipas protokollit? Me cilët krerë delegacionesh të huaja u takua dhe çfarë u bisedua? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër” me të cilët u takua, dhe a pati incidente me mërgatën antikomuniste të arratisur pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen për bashkatdhetarët në Boston, dhe si shkoi ai takim?
Pyetje po aq të rëndësishme lidhen me udhëtimin. Cili ishte itinerari nga Tirana drejt SHBA, përse delegacioni u nda në grupe dhe pse qëndroi një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, dhe si u justifikua pjesëmarrja e tij? Cilat dhurata mori delegacioni dhe kujt iu dhuruan ato? Përse u zgjodh hoteli “Plaza” për akomodimin e Ramiz Alisë, një hotel që sot është në pronësi të presidentit të SHBA, Donald Trump? Sa kushtoi vizita dhe përse u shtuan fonde gjatë qëndrimit?
Përgjigje lidhur me këto çështje mund të japin dokumentet e Arkivit Qendror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat publikohen për herë të parë me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
Vijon nga numri i kaluar.
**Dokumenti arkivor me procès-verbalin e takimit të kreut të shtetit shqiptar, Ramiz Alia, me presidentin e Tanzanisë, më 29 shtator 1990, në hotel “Intercontinental”**
**Ndryshimet në Shqipëri rrjedhin nga vetë zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit**
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, më 29.9.1990 u takua në Nju Jork, në hotel “Intercontinental”, me presidentin e Tanzanisë, Ali Hassan Mwinyi. Midis tyre u zhvillua kjo bisedë:
**Shoku Ramiz Alia:** Gëzohem shumë që takohem me ju. Me Tanzaninë kemi marrëdhënie shumë të mira. Ne tanzanianët i shohim si vëllezër. Pavarësisht se ndryshojmë nga pamja e fytyrës, ne së bashku jemi miq të ngushtë. Të dy palët luftojnë për interesat e popujve, për liri, paqe dhe progres. Prandaj takimi me ju ka rëndësi të veçantë.
**A.H. Mwinyi:** Jam shumë i prekur dhe shumë i gëzuar që m’u dha rasti të takohem me ju. Jam plotësisht dakord se midis dy vendeve tona ekziston një miqësi e madhe dhe një bashkëpunim i ngushtë. Do të dëshiroja të më tregonit më gjerë për vendin tuaj, megjithëse ne tanzanianët lexojmë dhe dëgjojmë shumë për ju personalisht dhe për popullin mik shqiptar. Do të dëshiroja të dëgjoja mendimet tuaja lidhur me ndryshimet në Evropën Lindore. Është fakt se ne jemi të paprekur nga ajo që ndodhi atje, por nuk duhet harruar se lexojmë shumë për ndryshimet në ato vende. Ne dimë për marrëdhëniet tuaja me Ballkanin, se flitet shumë për to.
**Shoku Ramiz Alia:** Po, ka shumë shkrime dhe piktura për vendin tonë, por kjo varet nga shkrimtari dhe piktori, sepse disa shkruajnë mirë, disa keq, disa e pikturojnë drejt e realisht, disa keq.
**A.H. Mwinyi:** Jemi në të njëjtën anije.
**Shoku Ramiz Alia:** Më mirë të bisedojmë edhe për realitetet që na rrethojnë. Ndryshimet në Evropën Lindore sot bota perëndimore i paraqet me një eufori, duke pretenduar se të njëjtat fenomene ndodhin dhe do të ndodhin edhe në vende të tjera. Ne kemi probleme, por ato rrjedhin thjesht nga zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Analogji me Evropën Lindore është e vështirë të bësh, dhe kjo jo për arsye ideologjike, me të cilët nuk na bashkon asgjë, por edhe nga pikëpamja se që nga viti 1960 Shqipëria nuk ka pasur asnjë marrëdhënie ideologjike dhe politike me asnjë nga vendet e Evropës Lindore.
Që nga viti 1960, me Bashkimin Sovjetik nuk ka pasur as marrëdhënie diplomatike. Bëjmë ndryshime, por gjithmonë duke iu përshtatur zhvillimeve dhe kushteve tona. Ne konsiderojmë se imitimi, kopjimi, shabllonet, nuk janë të përdorshme dhe të përshtatshme. Ajo që mund të jetë mirë për ne mund të mos jetë mirë për Tanzaninë dhe e kundërta, sepse historia e Shqipërisë, psikologjia e popullit shqiptar, niveli kulturor etj., janë të ndryshme. Në vendet e Lindjes ka pasur uniformitet që diktohej nga Bashkimi Sovjetik, nga ajo e ashtuquajtura bashkësi socialiste. Shqipëria është zhvilluar ndryshe nga të tjerët.
Këto që po ndodhin atje tani nuk është e nevojshme të ndodhin edhe në Shqipëri. Ne bëjmë ato që kërkon koha. Në fushën ekonomike kemi pasur probleme. Është fakt se çështja e centralizimit ka ekzistuar jo vetëm si koncept teorik, por edhe si praktikë. Shqipëria është vend i vogël. Në fillim kishim, le të themi, 10 fabrika. Ishte më lehtë të mbahej centralizimi, por tani zhvillimi është shumë më i madh dhe është vështirë të ecet me këtë centralizim. I njëjti organizim i atëhershëm tani nuk shkon.
Nuk mund të pengohen iniciativat, as ato të individëve. Nuk është e mundur të bëhet çdo gjë nga lart dhe në mënyrë kaq rigoroze; tani ka më shumë liri. U është dhënë iniciativa ndërmarrjeve dhe individëve, çka kërkon edhe një shpërblim më të mirë të punës. Një ndërmarrje që ka të ardhura më të mëdha duhet të ketë edhe paga më të larta. Del edhe problemi i tregut në përshtatje me kushtet e reja.
Megjithatë, kur marrim organizimin e tregut, kuptohet se shteti duhet të mbrojë edhe konsumatorin dhe jo ta lërë atë në mëshirën e tregut. Del çështja e çmimeve, një riorganizim i tërë i këtij sistemi, del problemi fiskal, pra i taksës, me anën e së cilës shteti rakordon interesin e ndërmarrjes me atë të qytetarit. Të gjitha reformat ekonomike synojnë të rrisin edhe rolin e masave.
Tani të gjithë drejtorët, shefat e reparteve, pra drejtuesit, ua kemi lënë masave që t’i zgjedhin; klasa punëtore t’i zgjedhë, por edhe t’i heqë. Pra, klasa punëtore të mbajë ata drejtues që u sigurojnë plotësimin e nevojave dhe kërkesave të saj. Në fshat ne ecëm mbi bazën e sistemit kooperativist. Por vumë re se konsumi individual nuk plotësohej mirë nga kolektivi, dhe atëherë morëm disa masa me qëllim që të inkurajonim prodhimin dhe plotësimin më të mirë të nevojave. U dhamë fshatarëve sasi toke, si dhe bagëti. Kjo ka nxitur rritjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të çdo familjeje.
Pra çdo familje i plotëson nevojat nga toka dhe bagëtitë që ka; mund të dalë edhe në treg, duke ndihmuar kështu edhe furnizimin e qytetit. Ndryshimet në fushën ekonomike sjellin ndryshime edhe në raportet midis njerëzve, midis fshatarit dhe kooperativistit, midis shtetit dhe kooperativës, midis fshatarit dhe shtetit. Të gjitha këto raporte shoqërohen edhe në rrugë ligjore, pra në rakordimin e këtyre të drejtave. Kuptohet që të mos preken interesat e individit, por të mbrohen edhe interesat e shtetit.
Ndryshimet në marrëdhëniet ekonomike, politike etj. kanë shtruar çështje edhe në fushën e politikës së jashtme. Ne kemi nevojë për teknologji. Kjo nuk arrihet vetëm nga vetë vendi, por kërkohet edhe një bashkëpunim ndërkombëtar. Kemi bërë ligje të reja që parashikojnë mundësinë e investimeve të huaja në vendin tonë, por të gjitha nën kontrollin e shtetit. Edhe një herë dëshiroj të theksoj se po bëjmë ndryshime që i përshtaten vendit tonë. Ne nuk nxitojmë; përkundrazi, ecim me kujdes të madh, sepse ju e dini se çdo ndryshim ka perturbacionin e vet.
Edhe udhëtimi nga Tanzania në Nju Jork, si dhe nga Shqipëria në Nju Jork, shkakton ndryshime në trupin e njeriut. Të them të drejtën, kam tri ditë që nuk fle mirë. Imagjinoni në një shtet të bëhen ndryshime brenda ditës; sa pasoja kolosale do të kishte. Jemi të parimit që të ecim pa u ndalur, por duke i vënë këmbët në tokë me kujdes si elefanti. Kjo është për të mirën e popullit, por gjithmonë kemi parasysh edhe situatën ndërkombëtare.
Ne jetojmë në gadishullin ballkanik, ku ka probleme të shumta, e, në veçanti, probleme nacionale. Kemi fqinjë Jugosllavinë dhe Greqinë, por duhet thënë se jemi të kujdesshëm me to, sidomos me Jugosllavinë, ku ekziston një krizë e thellë në disa drejtime. Synimi ynë është që të krijohen rrugë sa më të mira për bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ne gjithmonë kemi ndjekur politikën që të mos i dëmtojmë aspak fqinjët tanë.
Nuk kemi pasur kurrë pretendime territoriale, sepse respektojmë lirinë dhe pavarësinë tonë, por respektojmë edhe lirinë dhe pavarësinë e të tjerëve. Si miq të vërtetë, duke respektuar njëri-tjetrin, duam bashkëpunim me të gjithë. Për sa i përket Tanzanisë, është një kënaqësi e madhe, jo vetëm aktualisht, por edhe shumë më parë, që te populli tanzanian kemi pasur shokë dhe miq shumë të afërt. Zoti Nyerere është mik i madh i Shqipërisë; gjithashtu edhe ju, zoti Mwinyi, jeni mik i nderuar i popullit shqiptar.
**A.H. Mwinyi:** Shumë, shumë faleminderit, jam plotësisht dakord me ju. Ndryshimet bëhen kur dhe si duhen, duke pasur parasysh kushtet e vendit, aspektet tradicionale dhe fetare të një vendi. Ai që kopjon nuk arrin asgjë. Situata të tilla kemi pasur edhe ne, por edhe tani kemi probleme. Në rastin tonë nuk ndjejmë ndonjë nevojë të ngutshme për ndryshime, por vende të Evropës Perëndimore na bëjnë presion, duan të na shohin duke ndryshuar në përputhje me ato që kanë vetë.
**Shoku Ramiz Alia:** Këto presione i kemi edhe ne.
**A.H. Mwinyi:** E dimë që ndihmat shpesh janë kushtëzuar me ndryshime. Këtë e kemi ndjerë, por ka ardhur koha që ne të mendojmë vetë, thellë, nëse ka nevojë për ndryshime apo jo. Në rastin tonë ndjejmë se duhen bërë. Para 29 vjetësh fituam pavarësinë; më parë ishim të shtypur nga sistemi kolonial. Siç është zakoni i kolonializmit, ne ishim të ndarë në grupe fisesh, fetare, në grupe kundërshtarësh.
Sapo fituam pavarësinë, ndjemë që duhej luftuar për zhvillimin e frymës nacionaliste dhe për njësimin e kombit. Doli nevoja të mendojmë vetë për çështjen kombëtare. Menduam se ishte e domosdoshme të kishte një parti, pra të kishim një shtet dhe një parti. Gjatë 28 viteve bëmë punë të mirë për rritjen e mirëqenies së popullit tonë, sepse nëpërmjet partisë zhvilluam dhe forcuam unitetin dhe paqen, gjithmonë duke pasur parasysh që të ishim një vend i qëndrueshëm.
Ishte pikërisht kjo parti që arriti të na mbajë fort. Na mungonin shkollat, por pas pavarësisë hapëm shkolla të mesme, universitete, dhe tani kushdo e ka të qartë se qëllimi i partisë ishte bashkimi dhe zhvillimi i vendit. Në qoftë se do të lejonim sistemin pluralist, kurrë nuk do t’i kishim arritur këto rezultate. Në qoftë se tani populli do parti të tjera, ai vetë ta zgjidhë këtë çështje. Nëse doli nevoja e ndryshimeve, le të bëhen, por jo sepse do dikush nga jashtë. Ne tani jemi në një proces debati në tërë vendin dhe, sapo të mbarojë, do të marrim përfundimet e tij dhe do të vendosim. Jam plotësisht dakord me ju për ato që thatë lidhur me ndryshimet.
**Shoku Ramiz Alia:** Problemi i partive është problem në Perëndim, sepse, sipas tyre, demokracia lidhet me numrin e partive. Demokracia nuk është fenomen që lindi tani, por që nga Greqia e lashtë. Demokracia është e drejta e qytetarit të ketë punë, arsim, të ketë të siguruar jetën dhe të ardhmen, të drejtën ta thotë hapur mendimin e vet, të zgjedhë dhe të zgjidhet, të kritikojë etj. Pra demokracia është një koncept shumë i gjerë. Po marr, p.sh., Italinë, ku ka 9 parti, por ka 45 vjet që njëra prej tyre është në pushtet. A është kjo demokraci? Pra, tek ne që ka një parti, nuk do të thotë se s’ka demokraci.
Jam plotësisht dakord që problemi duhet studiuar, por të mos pengojmë lirinë e secilit që mendon se duhen bërë ndryshime për demokratizimin e vendit. Organizatat e masave duhet të kenë personalitet, të mos jenë thjesht instrumente, por të gëzojnë të gjitha të drejtat për të thënë fjalën e tyre. Tek ne ka organizatë fronti, organizatë të gruas, organizatë rinore, ka shoqata të shkrimtarëve, të shkencëtarëve etj., që kanë një strukturë të tërë.
Të gjitha këto mund të quhen parti, por nuk ka nevojë të quhen parti, sepse nuk duam të bëjmë gjëra formale. Ato mund të marrin forcë dhe të bëjnë presion pozitiv ndaj partisë, për të nxitur ose frenuar diçka. Tek ne çështja e gruas nuk është e thjeshtë; besoj se e tillë është edhe në Tanzani. Organizata e gruas mund të bëjë presion për paqen, për të drejtat shëndetësore etj. Unë jam kundër recetave dhe nuk jap receta.
**A.H. Mwinyi:** Shumë e drejtë, kjo është demokraci.
**Shoku Ramiz Alia:** Shpesh herë Evropa Perëndimore, e entuziazmuar nga ngjarjet në Lindje, kujton se ka gjetur shkopin magjik, por përvoja tregoi se shkopi magjik krijoi probleme shumë të mëdha kombëtare, ekonomike, politike etj. Edhe në Bashkimin Sovjetik janë krijuar probleme kolosale. Republikat e Baltikut kërkojnë të shkëputen; po kështu edhe Ukraina, Azerbajxhani.
Këto janë probleme të reja, por shumë të mëdha. Nëse i shohim si produkte të demokracisë, ne nuk i hamë, sepse produkte të tilla janë të rrezikshme. Nuk duam që të na ndodhin. Përsëris idenë se ndryshimet i dikton situata e brendshme dhe e jashtme, por ne ecim me kokën tonë, kemi mendimet tona.
**A.H. Mwinyi:** Jam plotësisht dakord me ju. Keni plotësisht të drejtë.
**Shoku Ramiz Alia:** Shumë faleminderit! U kënaqa që u takova me ju. Urimet më të mira për popullin tanzanian. Ju lutem t’i transmetoni zotit Nyerere përshëndetjet e mia më të mira, me dëshirën që marrëdhëniet tona të zhvillohen akoma më tej.
**A.H. Mwinyi:** Shumë, shumë faleminderit. Patjetër, për zotin Nyerere do të jetë një kënaqësi e madhe kur t’i transmetoj përshëndetjet tuaja. Edhe unë, gjithashtu, i uroj popullit shqiptar suksese të mëdha dhe juve personalisht shëndet të plotë, për të mirën e popullit. Shpreh bindjen se marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të forcohen akoma më shumë.
*Burimi: Memorie.al*
Burimi: gazetashqiptare.al










