Lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të arrijë një pikë vendimtare vitin e ardhshëm, e cila mund të çojë drejt disfatës së Moskës. Kështu ka deklaruar presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs.
Ai ka përmendur përkeqësimin e ekonomisë ruse dhe rritjen e presionit ndërkombëtar si faktorë që mund të ndikojnë në ndryshimin e rrjedhës së luftës.
Situata e Ukrainës dhe mbështetja evropiane
Presidenti letonez paralajmëroi se Ukraina po përballet me një situatë tejet të vështirë, për shkak të dimrit të ashpër, sulmeve të intensifikuara ndaj infrastrukturës energjetike dhe goditjeve gjithnjë e më të shpeshta ndaj objektivave civile.
Sipas Reuters, megjithatë, ai theksoi se Evropa po vazhdon ta mbështesë Kievin me ndihmë ushtarake, financiare dhe infrastrukturore, ndërsa Ukraina ka dëshmuar vazhdimisht qëndrueshmërinë e saj.
Pika e kthesës dhe presioni ndërkombëtar
“Nëse shohim se Ukraina arrin të mbijetojë nga pikëpamja ushtarake dhe ekonomike – dhe jam i bindur se do t’ia dalë – atëherë pika e kthesës mund të vijë vitin e ardhshëm, në pranverë ose verë”, deklaroi Rinkēvičs në intervistën e realizuar të hënën.
Ai shtoi se, përveç presionit ndaj ekonomisë ruse, po rritet edhe konsensusi politik ndërkombëtar për nevojën e përfundimit të luftës.
Si shembuj të përhapjes së pasojave të konfliktit përtej rajonit, ai përmendi sulmet në të cilat janë vrarë detarë indianë, si dhe goditjet ndaj anijeve nga Filipinet dhe vende të tjera.
“Numri i shteteve që po ushtrojnë presion po rritet, kështu që pika e kthesës mund të vijë në pranverë ose verë të vitit të ardhshëm”, tha ai. /Klankosova
Burimi: www.gazetaexpress.com










