Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Populli nuk duron më, zhgënjimi që ushqen revoltën kundër Ramës

Populli nuk duron më, zhgënjimi që ushqen revoltën kundër Ramës

Të hënën në mesditë, në Tiranë, një vajzë e re i dolën përpara një autoboti të blinduar në bulevardin “Zhan D’Ark”, në një përpjekje për të bllokuar ecjen e tij, ndërkohë që një kolonë mjetesh policore ndiqte një grup protestuesish të rinj, të cilët ishin shpërndarë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Ky pamje të kujtonte imazhin e famshëm të “Tank Man”, protestuesit të paidentifikuar që më 5 qershor 1989 qëndroi përballë një kolone tankesh në Pekin, një ditë pas shtypjes së përgjakshme të protestave prodemokratike në sheshin Tiananmen.

Edhe pse rrethanat historike dhe shkalla e dhunës janë të ndryshme, të dyja skenat ndanin një element të përbashkët: guximin e një individi të vetëm që përpiqej të ndalte me trupin e tij përparimin e mjeteve të forcave të sigurisë.

Ndjekja e protestuesve nga forcat e rendit nisi në rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ku qindra të rinj ishin mbledhur për ditën e shtatë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Poshtë diktatura! Pa rini nuk ka Shqipëri! Dorëheqje!”, brohoritnin ata, ndërsa tërhiqeshin drejt Muzeut Historik Kombëtar. Protesta filloi paqësisht, por policia ndërhyri për ta shpërndarë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

E hëna ishte një tjetër ditë përshkallëzimi, me përleshje mes protestuesve dhe policisë dhe arrestime masive gjatë orëve të mbrëmjes, në vijim të një krize që prej një jave ka përfshirë kryeqytetin, pas më shumë se katër muajsh protestash paqësore.

Pas pamjeve të përplasjeve me policinë dhe shkatërrimit të pronës që kanë dominuar kronikat televizive, fshihet një histori më e thellë e zhgënjimit me Shqipërinë që të rinjtë kanë trashëguar. Pagat që nuk mjaftojnë për të jetuar, diplomat që nuk garantojnë punë dhe çmimet e banesave që e bëjnë pavarësinë ekonomike një ëndërr të largët kanë ushqyer një revoltë që shkon përtej kundërshtimit të një qeverie.

Për një brez të rritur nën pushtetin e Edi Ramës, protestat po kthehen në një përballje me një sistem politik dhe ekonomik që, sipas tyre, u kërkon të zgjedhin mes largimit nga vendi dhe pranimit të një të ardhmeje pa perspektivë.

Një brez pa perspektivë

Protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama nisën në fund të majit, fillimisht si reagim ndaj projektit të zhvillimit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Ato u shndërruan gradualisht në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe lidhjeve të politikës me interesat e biznesit. Megjithatë, pas më shumë se katër muajsh tubimesh paqësore, protestat po humbnin vrullin, ndërsa qeveria nuk kishte pranuar kërkesën kryesore të demonstruesve për dorëheqjen e kryeministrit.

Pika e kthesës erdhi më 13 tetor, kur mijëra studentë dhe gjimnazistë iu bashkuan lëvizjes, pas një thirrjeje për mobilizim kombëtar të shpallur tri ditë më parë. Të pakënaqur me kushtet e arsimit, kostot e studimeve dhe mungesën e perspektivës së punësimit, të rinjtë u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke i dhënë një shtysë të re revoltës kundër qeverisë.

Protesta u përshkallëzua në përleshje, pasi demonstrues hodhën gurë dhe sende të forta drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Në ditët pasuese, protestat u përhapën edhe në qytete të tjera të vendit, me nxënës dhe studentë që bojkotuan mësimin për të kërkuar dorëheqjen e Ramës.

Mobilizimi i të rinjve e shndërroi një lëvizje qytetare që po humbiste vrullin në një revoltë kombëtare, ndërsa përplasjet me policinë, arrestimet masive dhe denoncimet për përdorimin e forcës thelluan krizën politike dhe tensionet shoqërore.

Mes protestuesve të së hënës ishte edhe Çeleste Fejzo, e cila ruan ende një ftesë të marrë nga Edi Rama në vitin 2013, kur ishte nxënëse ekselente. Rama e kishte ftuar të merrte pjesë në një aktivitet të nismës “Shqipëria e Gjeneratës Europiane”, që premtonte një të ardhme më të mirë për brezin e ri.

Trembëdhjetë vjet më vonë, Fejzo ndodhej në rrugë duke kërkuar largimin e të njëjtit politikan nga pushteti. Për të, kontrasti mes shpresave të dikurshme dhe realitetit të sotëm ishte i thellë.

“Nuk ka lidhje fare Shqipëria që po na ofrohet”, tha ajo për BIRN.

Fejzo kundërshton etiketimet e kryeministrit ndaj studentëve dhe gjimnazistëve që protestojnë, duke e konsideruar revoltën e tyre një kauzë që i tejkalon ndarjet politike.

“Jam shumë krenare për gjithë këta të rinj që pas tre apo katër vitesh janë elektorat, për fatin e keq të Ramës”, tha ajo.

Zhgënjimi i Fejzos nga premtimet e së kaluarës gjen jehonë te protestues të tjerë, për të cilët mungesa e perspektivës ekonomike është kthyer në arsyen kryesore për të kërkuar ndryshim.

Ardit Demiraj thotë se ka dalë në protestë për katër muaj me radhë përpara Kryeministrisë, fillimisht në tubime paqësore. Sipas tij, përshkallëzimi i revoltës është pasojë e mungesës së përgjigjeve ndaj pakënaqësive të qytetarëve.

“Këtu janë çdo gjë më shtrenjtë se jashtë shtetit, domethënë më shtrenjtë se Franca apo Italia”, tha ai për BIRN. “Atëherë njerëzit kur iu dhemb barku, kuptohet që acarohen më shumë,” shtoi ai, duke u ankuar për koston e jetesës dhe korrupsionin.

Demiraj e sheh dhunën e ditëve të fundit si shenjë të një zemërimi të akumuluar, ndërsa akuzon policinë për përdorim joproporcional të forcës, përfshirë ndaj të miturve.

Për një tjetër protestues 29-vjeçar, i cili foli në kushtet e anonimatit, revolta lidhet drejtpërdrejt me pamundësinë për të ndërtuar një jetë normale në Shqipëri.

Ai është diplomuar për fizioterapi, por thotë se nuk ka mundur të gjejë një punë që t’i sigurojë jetesën në profesionin e tij. Për gjashtë vjet ka punuar në një qendër thirrjesh telefonike.

“Jam 29 vjeç aktualisht dhe një çift i ri e ka të pamundur të blejë shtëpi, se një shtëpi në Tiranë 1+1 kushton 150 mijë euro”, tha ai.

Për të, çmimet e banesave janë vetëm një pjesë e problemit. Ai ankohet edhe për mungesën e meritokracisë dhe pretendon se lidhjet partiake janë bërë vendimtare për punësimin në administratë.

“Thjesht po na detyrojnë të ikim nga vendi në emigrim”, shtoi i riu, i cili hodhi poshtë me përçmim akuzat e kryeministrit se rinia po manipulohet nga një “dorë e huaj”

“Nuk ka asnjë agjent të huaj, janë vetëm studentët dhe rinia shqiptare që ky e ka lënë rrugëve,” tha ai.

Shqetësime të ngjashme shpreh edhe një mësues biologjie, i cili thotë se nuk ka arritur të punësohet në profesionin e tij dhe po mendon të emigrojë.

Por ajo që e shqetëson më shumë është ndikimi i pasigurisë ekonomike te familjet e reja.

“Është e tmerrshme të mendosh që një fëmijë të rëndon ekonominë”, tha ai, duke argumentuar se të ardhurat e ulëta dhe kostot e larta të jetesës po ndikojnë në vendimet e çifteve për të pasur fëmijë.

Nga mbështetëse e Ramës në protestuese

Aida Kamulli nuk është studente. Ajo punon si instruktore palestre dhe prej dy dekadash siguron jetesën në sektorin privat.

Pas 20 vitesh punë, vazhdon të jetojë me qira në Tiranë dhe thotë se nuk ka parë ndonjë përmirësim domethënës në kushtet e saj ekonomike.

“Jam shumë e pakënaqur me kushtet e jetesës, me çmimet e ushqimeve, me çdo gjë”, tha ajo.

Kamulli ka edhe një arsye tjetër për të qenë në protestë, zhgënjimin nga një politikan që dikur e kishte mbështetur.

“Kam qenë simpatizante e tij dhe kam votuar për atë. Ia bëj haram çdo gjë që kam bërë”, tha ajo për Ramën,

“Ndihem shumë keq që e kam përkrahur dhe prandaj jam sot këtu”, shtoi Kamulli, duke u bërë thirrje qytetarëve të tjerë të bashkohen me protestën.

Përplasja për të vërtetën e protestave

whatsapp image 2026 10 19 at 6.06.10 pm (1)www.reporter.al

Të fundit Të gjitha