Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Akademikët e diasporës kërkojnë hetim për dhunën policore dhe përgjegjësi politike për krizën

Akademikët e diasporës kërkojnë hetim për dhunën policore dhe përgjegjësi politike për krizën
Studente te vitit te pare gjate dites se pare te vitit te ri akademik universitar ne shkallet e Universitetit politeknik te Tiranes. Studentet e ketij universiteti kane hapur nje banderole, ku shkruhej "Ku jane studentet" duke marre shkas nga numri i vogel i studenteve te regjistruar kete vit./r/n/r/nFirst year students during the first day of the new academic year at the Polytechnic University of Tirana. The students of this university have opened a banner, which read "Where are the students" because of the small number of students registered this year.

Një grup i përbërë nga 97 akademikë dhe studiues shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit shprehën të dielën mbështetjen e tyre për protestuesit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar një hetim të pavarur mbi përdorimin e forcës nga policia dhe përgjegjësi politike për krizën që ka përfshirë vendin.

Në një deklaratë publike të datës 18 tetor, akademikët paralajmërojnë se përpjekjet për ta trajtuar revoltën e të rinjve thjesht si një çështje të rendit publik rrezikojnë të anashkalojnë shkaqet e pakënaqësisë së thellë shoqërore dhe mosbesimin ndaj institucioneve.

“Asnjë familje nuk duhet të presë me frikë kthimin në shtëpi të një të riu që ka dalë në protestë për të kërkuar një të ardhme më të mirë”, thuhet në deklaratë.

Reagimi vjen pas gjashtë ditësh protestash kundër qeverisë në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, arrestime masive dhe denoncime për përdorim joproporcional të forcës nga policia.

Akademikët distancohen nga çdo formë dhune, por theksojnë se përshkallëzimi i protestave nuk mund të shkëputet nga pakënaqësitë që i kanë nxitur ato dhe nga mungesa e përgjigjeve të besueshme institucionale.

“Protestat nuk janë reagim ndaj një ngjarjeje të vetme, por shprehje e një pakënaqësie të thellë shoqërore, të krijuar nga dështime të përsëritura politike dhe institucionale”, theksojnë nënshkruesit.

Sipas tyre, qeveria dhe klasa politike mbajnë një përgjegjësi të veçantë për zgjidhjen e krizës dhe nuk mund të mjaftohen me thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.

“Nuk mjafton t’u kërkohet qytetarëve qetësi dhe durim, ndërsa kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje”, thuhet në deklaratë, ku kërkohen angazhime publike, masa konkrete dhe afate të qarta për adresimin e problemeve të ngritura nga protestuesit.

“Përgjegjësia e atyre që kanë autoritetin dhe mjetet për të vepruar nuk mund të barazohet me atë të qytetarëve që kërkojnë ndryshim”, shtojnë akademikët.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet përdorimit të forcës nga policia gjatë protestave.

Duke iu referuar pamjeve filmike dhe dëshmive të publikuara ditët e fundit, nënshkruesit kërkojnë një shqyrtim të pavarur dhe transparent të ndërhyrjeve policore, përfshirë vlerësimin e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit të forcës, si dhe përgjegjësinë e drejtuesve të policisë.

“Forcat e rendit kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët edhe kur ata protestojnë kundër qeverisë”, theksojnë ata.

Deklarata e lidh revoltën e të rinjve edhe me problemet strukturore të sistemit arsimor dhe perspektivën e kufizuar profesionale në Shqipëri.

Sipas akademikëve, nënfinancimi i arsimit dhe kërkimit shkencor, mungesa e meritokracisë dhe ndërhyrjet politike kanë dobësuar besimin e të rinjve se mund të ndërtojnë një të ardhme dinjitoze në vendin e tyre.

“Kur dijes dhe punës së ndershme nuk u jepet vlera që meritojnë, dobësohet jo vetëm mundësia e të rinjve për të ndërtuar jetën në vendin e tyre, por edhe besimi se institucionet u shërbejnë qytetarëve”, vlerësojnë ata.

Akademikët u drejtohen gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht institucioneve të Bashkimit Europian, Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, duke u kërkuar të ndjekin nga afër zhvillimet dhe të nxisin respektimin e të drejtave demokratike dhe llogaridhënien institucionale.

Ata kujtojnë se i janë drejtuar më parë Komisionit Europian me shqetësime për arsimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë, duke theksuar se situata aktuale kërkon një angazhim që shkon përtej deklaratave të përgjithshme për qetësi.

“Paqja shoqërore nuk është thjesht mungesa e protestave apo e konfrontimeve. Ajo kërkon drejtësi, institucione që dëgjojnë dhe mundësi reale që qytetarët të ndikojnë në vendimmarrje”, thuhet në deklaratë.

Në përfundim, ata riafirmojnë mbështetjen për kërkesat e protestuesve dhe u bëjnë thirrje institucioneve shqiptare të garantojnë të drejtën e të rinjve për të kërkuar ndryshim pa frikën e dhunës dhe represionit.

“Të rinjve u detyrohemi një Shqipëri ku të mund ta ndërtojnë jetën me dinjitet dhe të kërkojnë ndryshim pa frikë”, përfundon deklarata.

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha