Nga Migena Aleksi
Zef Mazi, ish-kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, e konsideron krizën aktuale si produkt i problemeve të grumbulluara ndër vite dhe i një sistemi institucional që, sipas tij, nuk ofron mekanizmat e duhur për të dalë nga bllokimi.
Në këtë intervistë për DITA-n, ambasadori Mazi thekson se kërkesat e studentëve kanë marrë përmasa që shkojnë përtej arsimit dhe pasqyrojnë pakënaqësi më të gjera në shoqëri. Ai shprehet kundër dhunës dhe çdo tentativë për ta përvetësuar ose keqpërdorur protestën, por thekson se vazhdimi i krizës nuk do ta ndryshojë rezultatin e saj.
Si zgjidhje, ai propozon formimin e menjëhershëm të një “Këshilli të të Urtëve”, dorëheqjen e qeverisë, një Kuvend Kombëtar me përfaqësim të gjerë dhe rishikimin e Kushtetutës dhe të ligjit zgjedhor, të miratuara përmes referendumit.
Ky është një propozim që e zhvendos debatin nga menaxhimi i krizës te ndryshimi i rregullave që, sipas Mazit, kanë mundësuar ngërçin.
A mund të gjendet një zgjidhje përmes një procesi të gjerë institucional dhe jo thjesht përmes marrëveshjeve mes partive? Ish-kryenegociatori paraqet idetë e tij dhe argumenton pse, sipas tij, momenti për veprim ka ardhur.
Pyetje: Besoj i ndiqni protestat prej disa muajsh? Si e shikoni situatën?
Përgjigje: I kam ndjekur çdo ditë. Ndjej trishtim të thellë. Protestat masive pesëmujore të studentëve, të rinisë, që përbëjnë shumicën dërrmuese dhe janë në vijën e parë, u zgjeruan ditë pas dite me të gjitha moshat e popullsisë. Fryma e kësaj proteste është thelbësorja. Kërkesat e studentëve janë të drejta. Ato kalojnë përtej aspektit studentor-arsimor.
Fryma dhe kërkesat shprehin akumulimin e një morie problemesh që janë thelluar nga moszgjidhja e tyre. Kjo u përsërit nga një numër i intervistuarish në media. Pasi ranë në vesh të shurdhër për 5 muaj, brenda dhe jashtë vendit, protestat kulmuan me ngjarjet e trishtuara, të zymta, që prekin thellë ndjenjat civile.
Protesta as nuk duhet “të vidhet”, as të keqpërdoret, as të përdoret integrimi në BE si pretekst, pasi nuk është dhe nuk bëhet nga individi, por nga gjithë institucionet dhe shoqëria.
Dhuna, dëmtimi fizik, nuk janë zgjidhja. Dhuna vetëm do të përkeqësojë situatën, do të rrisë ndjenjat dhe vendosmërinë e studentëve, të rinisë, të popullsisë. Studentët, rinia, nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre e shumëmbështetur dhe e panegociueshme – dorëheqja e kryeministrit. Zgjatja e kësaj situate do të rrisë dhimbjen, nuk do të ndryshojë rezultatin.
Situata shumë e rëndë duhet të kishte marrë fund muaj më parë. Ai moment iku. Tani kërkohet veprim urgjent, i drejtë, me largpamësi, në të mirë të interesave të popullit, të vendit dhe në përputhje me frymën e protestës.
Pyetje: A shihni rrugëdalje nga kjo situatë?
Përgjigje: Ka rrugëdalje nga çdo situatë nëse ka vullnet politik dhe largpamësi për interesat madhore të vendit. E domosdoshme është të ngrihesh në nivelin e përgjegjësisë që kërkon situata.
Do të sugjeroja që një nga ish-Presidentët e Republikës të mbledhë urgjentisht një “Këshill të të Urtëve”, të përbërë nga 7 ose 9 vetë (numër tek). Anëtarët e këtij këshilli të jenë ish-presidentë, akademikë, juristë (të së drejtës kushtetuese), intelektualë të njohur. Këshilli të diskutojë dhe propozojë rrugëdalje institucionale nga kriza.
Pyetje: Më konkretisht?
Përgjigje: Situata aktuale e ngërçit politik dhe institucional duhet thyer. Ajo është rrjedhojë e ndryshimeve të bëra në paketën kushtetuese në vitin 2008, çka nuk ofron rrugëdalje.
Disa nga pikat që mund të jenë pjesë e propozimit do të ishin: dorëheqja e qeverisë; mbledhja e një kuvendi kombëtar me përfaqësues nga të gjitha zonat (të dalë nga këshillat bashkiake), nga partitë politike dhe studentët; rihartimi i kushtetutës me ndarje të qarta pushtetesh, sipas të cilës partitë politike të mos kenë mundësi të bllokojnë proceset institucionale dhe ato të drejtësisë; miratimi i kushtetutës së rihartuar me referendum (me dy të tretat e votuesve); rihartimi dhe miratimi i një ligji të ri zgjedhor me referendum (me dy të tretat e votuesve).
Vendi ndërkohë drejtohet nga një këshill nën udhëheqjen e një ish-presidenti, i cili do të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit. Në përgjigje të pyetjes tuaj, unë kështu e shoh.
Burimi: gazetadita.al










