Qeveria ka miratuar një vendim për të dhënë një shpërblim financiar për 2 750 punonjës të Policisë së Shtetit, si kompensim për angazhimin e shtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave të dhunshme që po ndodhin këto ditë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Vendimi u bë i ditur këtë mëngjes nga kryeministri Edi Rama dhe për këtë arsye buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme do të rritet me 740 milionë e 80 mijë lekë (afërsisht 8.2 milionë euro). Kostoja financiare prej 740 milionë e 80 mijë lekësh për shpërblimin e efektivëve do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2026.
Vendimi i ngarkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit përcaktimin e listës emërore të punonjësve përfitues, në bazë të dokumentacionit përkatës, si dhe kryerjen e procedurave për dhënien e shpërblimit.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Njoftimi i Qeverisë:
Vendim për dhënie shpërblimi punonjësve të policisë së shtetit dhe për një shtesë në buxhetin e ministrisë së punëve të brendshme, miratuar për vitin 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Burimi: tirananews.al










