Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile, analiza e Armand Shkullakut për frikën e kryeministrit dhe pasojat për Shqipërinë

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile, analiza e Armand Shkullakut për frikën e kryeministrit dhe pasojat për Shqipërinë

Këmbëngulja në përdorimin e dhunës, në armatosjen e civilëve dhe në shpërblimin e policëve si të ishin mercenarë nuk sjell paqe. Ankthi i Edi Ramës për atë që do të ndodhë kur të mos jetë më kryeministër nuk duhet të kthehet në makthin e Shqipërisë

Nga Armand Shkullaku

Përdorimi i punonjësve të administratës publike si forca paramilitare për të sulmuar studentët, si dhe shpërndarja e parave publike për uniformat që ushtrojnë dhunë të egër ndaj adoleshentëve protestues, janë dy shenja të qarta se Edi Rama, si çdo sundimtar i këtij lloji, është i vendosur ta çojë vendin drejt përplasjes civile nga frika e humbjes së pushtetit. Paniku i autokratit për atë që do të ndodhë me të ditën kur nuk do të jetë më në zyrën ku mendon se është i fortë, po rrezikon çdo ditë e më shumë gjakderdhjen mes shqiptarëve.

Historia jonë e afërt na ka treguar se pikërisht kur civilët kthehen në banda paramilitare, kur paratë e taksapaguesve derdhen për makinerinë represive të dhunës shtetërore në emër të një njeriu të vetëm, kur propaganda dhe mercenarët mediatikë mohojnë rebelimin popullor dhe flasin për duar të fshehta të Serbisë, Rusisë, Turqisë, Iranit… atëherë konflikti mes qytetarëve dhe një pushteti të verbër është i pashmangshëm. Atë nuk e shmangin as pagat e policëve dhe as mediat e milicëve.

Një foto, ku fiksohen fytyrat e punonjësve të një agjencie shtetërore, me dhe pa maska, që mbajnë në duar shkopinj bejsbolli e shufra hekuri, të cilët paguhen nga taksat e atyre që janë në protestë, rrëzon gjithë fabulën e “armikut të jashtëm” që na ka në sy e synon të na pengojë në rrugën tonë të lavdishme drejt BE-së. Kur shteti përdor punonjësit e tij si gangsterë kundër shtetasve të vet, a ka nevojë ndonjë shërbim i huaj të bëjë më shumë?

Shikoni se si e kanë trajtuar këtë episod tragjik mediat e Ramës për të kuptuar se po shkohet verbërisht drejt një konflikti që nuk i dihet fundi. Në një shoqëri normale, elita e saj e shikon stabilitetin e vendit të lidhur me rregullat dhe sistemin që kontrollon individin dhe jo anasjelltas. Individët, edhe kur shkallojnë, shkojnë e vinë. Është sistemi ai që garanton stabilitetin, janë zgjidhjet politike, rotacionet, paktet, kompromiset. Nëse edhe elita e këtij vendi e shikon fatin e saj njësoj si mercenarët e pushtetit, të lidhur me individin, pra me qenien e Edi Ramës kryeministër, atëherë çdo stabilitet është i rrejshëm dhe zgjidhja mbetet vetëm përplasja.

Elementi i dytë, për të kuptuar se ku po e çon Edi Rama vendin, janë paratë e shpërndara sot për policët që po mbrojnë karriken e tij. Nëse policia shqiptare meriton paga më të larta, shpërblime e trajtime dinjitoze, kjo duhet bërë në mënyrë institucionale dhe jo kur i duhet Edi Ramës. Paratë që marrin policët janë edhe të atyre që u thyhen eshtrat, mbyten në gaz e plumba gome, dhe Edi Rama i shpërndan pa pyetur, vetëm për të motivuar mbrojtjen e të ndenjurave të tij. Një akt i tillë s’ka asgjë të ndryshme nga skenat kur Eskobar hapte thesin dhe u hidhte tufat e dollarëve ushtarëve të tij pasi i kishte shpëtuar ndonjë operacioni të DEA-s. I vetmi dallim është se Eskobari i bënte paratë duke rrezikuar jetën e tij, ndërsa ky duke rrënuar jetët e të tjerëve.

A ka nevojë edhe në këtë rast për ndonjë agjenturë të huaj për të nxitur urrejtjen mes shqiptarëve? Çfarë mund të mendojë një baba që punon 12 orë në ditë për të rritur fëmijët e tij dhe ata përfundojnë të rrahur, të gjakosur e të trajtuar si kafshë nga ata që kryeministri sapo i shpërbleu me nga 2500 euro për kokë? A ka mënyrë më efikase se kjo për të provokuar konfliktin civil?

Në vend që të flasin për ca kioska të djegura e xhama të thyera, dëmi i të cilave nuk shkon më shumë se dy vilat e Ballukut në jug, ata që seriozisht duan stabilitetin dhe paqen sociale duhet të bërtasin për shkakun e vërtetë që po e çon vendin drejt një krize të përgjakshme. Çdo veprim i Edi Ramës, nga shpërthimi i revoltës e deri më sot, ka qenë një shishe benzine e hedhur mbi zemërimin popullor. Dhe mbajtja me çdo çmim e pushtetit dihet se ku të çon. Prandaj, në vend të agjenturave, duarve të zeza e të bardha, gishti duhet të drejtohet nga ai që, qoftë edhe nëse i kanë rënë në qafë pa të drejtë, duhet të largohet për të shpëtuar diçka më të madhe se karrikia e tij.

Këmbëngulja në dhunë, në armatosjen e civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë. Por një gjë është e sigurt: të rinjtë nuk i tremb dot një autokrat i plakur, sado policë e ushtarë të ketë pas vetes. Një ditë, ata do t’u tregojnë fëmijëve të tyre, në ndonjë muze të Surrelit, se si përfundoi kopja e një diktatori përballë fuqisë së kauzës që ata përqafuan e për të cilën luftuan./ Lapsi

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha