Nga Andi Bushati
Kjo kryengritje e të rinjve pati një vlerë të madhe. Ajo i bëri të dukshme publikut të gjerë anën më kriminale të këtij regjimi, e cila deri tani kishte mbetur e fshehur në cepat më të errët. Nëse revolucioni jashtëzakonisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk gëzonte më mbështetje popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov, po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushtet.
Prej një dekade, ose më saktë që pas zgjedhjeve të 2017-ës, kur PS-ja mori timonin e vetëm, një debat e ka ndarë shoqërinë në dy grupe të mëdha: a është Edi Rama një autokrat që mund të largohet me zgjedhje? Njëra palë pohonte se, mirë apo keq, Shqipëria mbetej një demokraci, ku pushteti duhej vendosur vetëm përmes kutive të votimit, dhe përderisa kjo nuk ndodhte, faji ishte kryesisht i opozitës, por edhe i sistemit të ndryshuar në 2008, i kundërpushteteve të dobëta si media apo shoqëria civile e kështu me radhë.
Pala tjetër këmbëngulte gjithnjë e më fort se kriminalizimi i qeverisjes, fluksi i parave të pista, kapja e drejtësisë dhe e televizioneve të mëdha e kishin bërë të pamundur një rotacion normal politik. Sipas tyre, nëse Edi Rama do të rrëzohej, kjo do të ndodhte vetëm me revoltë, pasi ai e kishte uzurpuar aq keq pushtetin, sa nuk kishte ndër mend të hiqte dorë nga karrigia.
Ngjarjet e katër muajve të fundit, e sidomos ato të javës që sapo lamë pas, e kanë zgjidhur këtë dilemë. Ato treguan se kryeministri është i gatshëm ta ruajë pushtetin edhe me gjak. Dhuna e egër policore, gazi lotsjellës, rrahja e adoleshentëve para kamerave, të gjitha këto nën moton qesharake se “Edi është i vetmi që mund të na çojë në Europë”, e kanë kapërcyer dilemën që na ka munduar prej vitesh. Rama vështirë se i ka lënë vetes mundësinë për një jetë të tretë përtej politikës: ai ose do të mbetet në karrige, ose do të përfundojë në burg.
Por tani, kur kjo gjë është kuptuar thuajse nga të gjithë, idhtarët e “rrugës paqësore”, që në pjesën më të madhe nuk janë gjë tjetër veçse kriptoramisë, kanë ndryshuar lëkurë. Ata pranojnë, sa për sy e faqe, se kjo klikë është diskredituar mes skandalesh të paimagjinueshme korruptive, ata pohojnë se revolucioni i flamingove nxori në pah një pakënaqësi të madhe popullore, të fshehur deri tani përmes garave të trukuara elektorale, por – sepse gjithmonë ka një por – ata dënojnë përshkallëzimin e ditëve të fundit dhe qajnë me lot krokodili për shkatërrimet.
Nga dilema e parë ata po rrekën të imponojnë të dytën: a është zgjidhja tek dhuna?
Le të mundohemi ta shtjellojmë këtë pyetje. Ka një episod që na ndihmon për të kuptuar gjithçka. Ai i një grupi të vogël adoleshentësh të egërsuar që u shkëputën nga turma për të shkuar me gurë drejt Partisë Socialiste. Ata sulmuan selinë, goditën e thyen xhamat. Por ky akt, në dukje i papranueshëm, nxori në pah një të vërtetë më të madhe: se partia në pushtet nuk ruhej në mënyrë institucionale me polici, por nga banda të armatosura paramilitarësh, të cilët përveçse të paligjshëm, ishin formalisht edhe punonjës të IKMT-së, pra paguheshin nga taksat e të gjithëve vetëm për t’i shërbyer PS-së. Pra, a nuk shërbyen ata gurë mbi xhama për të shpërfaqur në sytë e publikut fytyrën e një partie tashmë të kriminalizuar, bërjen njësh të administratës me Rilindjen, të bandave me hunj në dorë me partinë në pushtet?
I njëjti krahasim mund të bëhet edhe në episodin e mësymjes violente ndaj ministrisë së arsimit. Nëse ai nuk do të kishte ndodhur, a do të mësonim vallë se vrasja e Klodian Rashës nuk qe një rastësi, por se brenda uniformave blu nuk është një rast i izoluar arketipi i kriminelit gjakftohtë, që të godet për të thyer këmbën pasi të ka çmobilizuar, që ushtron dhunë shtazarake kur vetëm mund të të shoqërojë në mënyrë njerëzore, që nuk e ka për gjë të përdorë plumbat e gomës madje të të kthejë dhe gurët mbrapsht?
Po po të mos ishte shkulur kalldrëmi në bulevard, a do të kishim pasur ne mundësi të shihnim fytyrën e vërtetë të autokratit, që i hakërrehej që në pikë të mëngjesit popullit të vet: “jeni një tufë të paaftësh dhe zliqiqarësh që nuk më mundni dot me zgjedhje”? A do ta shihnim dot atë duke kërcënuar familjet e protestuesve dhe ndonjë nga gratë e harremit të tij t’u shantazhonte prindërve moskthimin në shtëpi të fëmijëve?
Kjo kryengritje e të rinjve pati një vlerë të madhe. Ajo i bëri të dukshme publikut të gjerë anën më kriminale të këtij regjimi, e cila deri tani kishte mbetur e fshehur në cepat më të errët. Nëse revolucioni jashtëzakonisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk gëzonte më mbështetje popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov, po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është i gatshëm të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushtet.
Dhe kur ke mësuar këtë, të duken tejet qesharake ato shprehjet standarte se në demokraci në fund vendos vota. Të vjen edhe më për të vjellë me ato debatet në studio televizive, ku marrin përpara dy tre adoleshentë me pyetjet e shpifura: “si do e rrëzoni ju Ramën”, “si do shkoni në votime”, “çfarë alternative keni”?
Natyrisht ashtu si këta idiotë të dobishëm, të gjithë e dinë se në fund gjithçka përfundon tek vota popullore. Edhe në një krizë si ajo e vitit 1997, që tani për tani qe më e madhe se kjo e sotmja, ndryshimi i pushtetit u bë përmes zgjedhjeve. Por puna është se si u arrit deri aty. U desh që shteti të binte, që njerëzit të merrnin armët, që Berishës të mos i lejohej në duar asnjë forcë formale apo okulte, sepse në të kundërt ai do të merrte me votime të njëjtin rezultat plebishitar që pati korrur një vit më parë.
Edhe sot, përpara se t’u predikojmë atyre adoleshentëve të revoltuar hipokrizinë e rrugës paqësore, përpara se t’u kërkojmë llogari për bindjen dhe alternativën politike, ne duhet t’i falenderojmë se me guximin e tyre ata po shembin, një nga një, tullat e një regjimi kriminal. Pastaj, nëse ia dalin, kushtet do të jenë që gjithësecili të shkojë e të votojë sipas bindjeve dhe preferencave të tij.
Por, tani për tani nuk jemi në këtë fazë, sepse as nuk ka përfunduar plotësisht shpërfaqja e plotë e tipareve të kësaj kaste të dhunshme, as nuk janë shkallmuar përfundimisht barrierat që shpien drejt lirisë. Vetëm nëse ky proces shkon deri në fund, edhe ata që fillimisht i trembeshin asaj që e stigmatizuan si dhunë do të ndërgjegjësohen për fytyrën e një autokracie që e kishte zhveshur këtë shoqëri nga çdo alternativë tjetër.
Burimi: gazetashqiptare.al










