Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Banka e Shqipërisë garanton sigurinë e depozitave pavarësisht dëmeve nga protestat

Banka e Shqipërisë garanton sigurinë e depozitave pavarësisht dëmeve nga protestat

Banka e Shqipërisë kërkoi të hënën të qetësonte opinionin publik lidhur me sigurinë e depozitave dhe vijimësinë e funksionimit të sistemit bankar, pas akteve të dhunshme ndaj disa degëve bankare dhe bankomatëve gjatë protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Përmes një deklarate për mediat më 19 tetor, institucioni qendror pranoi se ngjarjet e ditëve të fundit kishin shkaktuar dëme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të shërbimeve në disa degë, por theksoi se sistemi financiar po vazhdonte të operonte normalisht.

“Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta”, citohet në deklaratë.

“Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave”, shtoi institucioni.

Siç njofton Banka e Shqipërisë, shërbimet e pagesave kanë vijuar pa ndërprerje, ndërsa kufizimet e vendosura në degë të caktuara lidhen me nevojën për të garantuar sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve.

Institucioni u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve të ndjekin njoftimet e bankave tregtare dhe të përdorin kanalet alternative të shërbimit bankar.

Deklarata vjen pas një jave protestash kundër qeverisë, të udhëhequra kryesisht nga të rinj, nxënës dhe studentë, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë, si dhe dëmtime të institucioneve publike, bizneseve dhe degëve bankare në kryeqytet.

Banka e Shqipërisë njoftoi se ndodhet në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përgjegjëse për të monitoruar situatën dhe masat e sigurisë.

Duke theksuar rëndësinë e sistemit bankar për funksionimin e ekonomisë, institucioni u bëri thirrje protestuesve të respektojnë dhe mbrojnë infrastrukturën financiare.

“Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve”, theksoi Banka e Shqipërisë.

Banka qendrore deklaroi se do të vijojë të monitorojë zhvillimet dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të garantuar stabilitetin financiar dhe vijimësinë e shërbimeve bankare.

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha