Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Bizneset e dëmtuara nga protestat aplikojnë për rimbursim përmes e-Albania, ja procedura hap pas hapi

Bizneset e dëmtuara nga protestat aplikojnë për rimbursim përmes e-Albania, ja procedura hap pas hapi

Ndërmarrjet që kanë pësuar humbje gjatë protestave të kohëve të fundit do të mund të deklarojnë dëmet e tyre dhe të kërkojnë kompensim, pasi institucionet kompetente të kryejnë verifikimin dhe vlerësimin e secilit rast.

Nëpërmjet shërbimit elektronik “Dëmi im” në portalin e-Albania, bizneset mund të njoftojnë dëmet e shkaktuara në mjediset e tyre, duke plotësuar formularin e caktuar dhe duke paraqitur dokumentet që vërtetojnë dëmin.

Për të filluar procedurën, ndërmarrjet duhet fillimisht të identifikohen në portalin e-Albania si subjekte tregtare dhe më pas të zgjedhin shërbimin “Dëmi im”.

Formulari elektronik kërkon plotësimin e të dhënave të nevojshme, duke përfshirë sipërfaqen e njësisë tregtare dhe informacionin mbi sigurimin e biznesit. Nëse subjekti është i siguruar, duhet të deklarohet edhe shoqëria përkatëse e sigurimit.

Një nga hapat kryesorë të aplikimit është dokumentimi i dëmeve. Për këtë arsye, subjektet duhet të ngarkojnë fotografi të dëmeve të shkaktuara, si dhe dokumente të tjera mbështetëse që ndihmojnë në verifikimin e situatës së raportuar.

Pasi formulari të plotësohet dhe dokumentacioni të ngarkohet, aplikimi dërgohet përmes butonit “Dërgo”. Në fund të procesit, sistemi gjeneron një kod unik raportimi, të cilin bizneset duhet ta ruajnë për çdo komunikim të mëtejshëm me administratën tatimore në lidhje me dëmet e deklaruara.

Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria, mbi 50 biznese kanë pësuar dëme gjatë protestave. Ndërkohë, 10 ekipe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë angazhuar në terren për të verifikuar dëmet e raportuara.

Megjithatë, deklarimi i dëmit përmes portalit nuk nënkupton miratimin automatik të rimbursimit. Çdo rast do të shqyrtohet dhe vlerësohet veçmas nga institucionet përgjegjëse.

Në rastet kur bizneset kanë sigurim, një pjesë e kompensimit mund të mbulohet nga kompania e sigurimit, ndërsa pjesa tjetër mund të përballohet nga qeveria, në varësi të vlerësimit të dëmit dhe rrethanave konkrete.

Në përfundim të procesit të verifikimit, qeveria pritet të përcaktojë një buxhet të posaçëm për këtë qëllim, ndërsa masa e rimbursimit do të vendoset rast pas rasti.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha